ASTER PARKER | JETËSHKRIM
Doja një jetë të fokusuar në shërbim të Jehovait
U jam mirënjohëse prindërve të mi të dashur që më mësuan të vërtetën që në foshnjëri. Kur isha e vogël, më tregonin figura dhe histori nga libri Nga parajsa e humbur në parajsën e rifituar, të cilat më lanë shumë mbresa. Çdo gjë që mësoja, ua tregoja gjithë entuziazëm fëmijëve që jetonin pranë nesh dhe gjyshit kur na vinte për vizitë. Prindërit ndiqnin një program të rregullt për të adhuruar Jehovain, dhe kjo e ndihmoi familjen tonë të përshtatej kollaj kur u transferuam nga Asmara, Eritre, në Adis-Abebë, Etiopi.
Që në moshë të vogël, e doja shumë të vërtetën. Doja t’ia kushtoja jetën Jehovait dhe të pagëzohesha. Në moshën 13-vjeçare, kur e arrita këtë synim, gati sa s’fluturoja nga gëzimi. Më pas, kur mbusha 14 vjeç, vëllai Helg Link a më pyeti nëse kisha menduar të shërbeja si pioniere. Edhe pse babi dhe mami kishin shërbyer si pionierë të përkohshëm (ose siç i themi tani, pionierë ndihmës), nuk e kisha idenë se ç’do të thoshte të ishe pionier i rregullt. Pyetja e vëllait Link mbolli një farë në zemrën time: dëshirën për t’i shërbyer më shumë Jehovait.
E përgatitur për përndjekjen
Në vitin 1974, trazirat politike në Etiopi çuan në arrestime, vrasje dhe kaos. Brenda pak kohe nuk mund të predikonim më shtëpi më shtëpi dhe mund të mblidheshim vetëm në grupe të vogla. Prindërit filluan të na përgatitnin ne fëmijët për kundërshtimin e mëtejshëm. Parimet e Biblës na ndihmuan të kuptonim domethënien e asnjanësisë së krishterë. Mësuam se Jehovai do të na ndihmonte të dinim çfarë të thoshim nëse do të na merrnin në pyetje, dhe se ndonjëherë do të duhej edhe të mos flisnim.—Mateu 10:19; 27:12, 14.
Pasi mbarova shkollën, nisa të punoja për kompaninë ajrore Ethiopian Airlines. Një mëngjes, kur shkova në punë, kolegët më uruan sepse isha përzgjedhur për të drejtuar paradën me rastin e përvjetorit të qeverisë. Menjëherë e vura në dijeni përgjegjësin se, për shkak të asnjanësisë së krishterë, nuk do të merrja pjesë në festime.
Ditën tjetër, ndërsa po punoja në aeroport, pashë që nga larg disa burra me pushkë në krah, që po vinin drejt sportelit të biletave. Mendova se kishin ardhur për të arrestuar dikë që po përpiqej t’ia mbathte nga vendi. Por ishte krejt ndryshe, ata po tregonin me gisht nga unë. Pyesja veten se çfarë po kërkonin nga unë. Ajo që kishte nisur si një ditë normale, ndryshoi krejt papritur.
Ndihmë në burg
Ushtarët më çuan në një zyrë ku më morën në pyetje për orë të tëra. «Kush i financon Dëshmitarët e Jehovait?—pyetnin me insistim,—A punon për Frontin e Çlirimit të Eritresë? Ti ose babai yt mos punoni për qeverinë e Shteteve të Bashkuara?» Ndonëse ishte një situatë shumë stresuese, unë kisha paqe të brendshme falë ndihmës së Jehovait.—Filipianëve 4:6, 7.
Pasi më morën në pyetje, ushtarët më çuan në një shtëpi që e përdornin si burg, dhe më vendosën në një dhomë 28 metra katrorë, ku ndodheshin edhe 15 gra të reja, të burgosura për arsye politike.
Atë natë, ndërsa qëndroja e shtrirë në dyshemenë e parehatshme ende e veshur me uniformën e punës, nisa të mendoja sa në ankth do të ishin prindërit dhe vëllezërit e motrat. Ata e dinin që më kishin arrestuar, por nuk e kishin idenë se ku ndodhesha. Ndaj iu luta Jehovait t’i ndihmonte të më gjenin ku isha.
Mëngjesin tjetër, kur u zgjova, vura re një rojë që e njihja. Djaloshi më pa i shokuar dhe më pyeti: «Aster, ç’bën ti këtu?» Iu përgjërova që të shkonte në shtëpinë e prindërve dhe t’u tregonte se ku ndodhesha. Po atë ditë, pak më vonë, mora një pako me ushqime dhe rroba nga prindërit. Roja u kishte thënë se ku ndodhesha. Jehovai i ishte përgjigjur lutjes sime! Kjo eksperiencë më siguroi se nuk isha vetëm.
Nuk më lejohej të kisha një Bibël dhe as ndonjë botim të organizatës. Veç kësaj nuk më lejoheshin as vizitat nga familjarët dhe miqtë. Megjithatë Jehovai po më jepte forcë me anë të të burgosurave të tjera. U predikoja çdo ditë, dhe ato mahniteshin me të vërtetën për Mbretërinë e Perëndisë. Shpesh më thoshin: «Ne po luftojmë për një qeveri njerëzore, ndërsa ti po lufton për qeverinë e Perëndisë. Ndaj mos bëj kompromis, edhe sikur të të kërcënojnë me vdekje!»
Ndonjëherë rojat i merrnin në pyetje të burgosurit dhe i torturonin. Një natë, rreth orës 11, erdhën për mua. Kur arritëm në dhomën ku merrnin në pyetje, filluan të ngrinin akuza të shumta kundër meje. Ata thoshin se nuk po e mbështetja qeverinë. Dhe kur refuzova të përsëritja pas tyre një slogan politik, dy roja më goditën. Sesione të tilla të marrjes në pyetje u përsëritën disa herë. Në çdo rast, i lutesha me zjarr Jehovait, dhe e ndieja mbështetjen e Tij.
Pas tre muajsh, një nga rojat erdhi dhe më tha se isha e lirë, ndaj mund të largohesha. Edhe pse u habita dhe u gëzova, prapë më vinte pak keq që nuk do të mund t’u flisja më për shpresën e Mbretërisë të burgosurave.
Disa muaj pas lirimit, kur nuk isha në shtëpi, ushtarët erdhën dhe arrestuan të gjithë adoleshentët e familjes: dy nga motrat e mia dhe një nga vëllezërit. Në atë moment, kuptova që ishte më mirë të largohesha nga vendi. Edhe pse s’mund ta imagjinoja që ta lija sërish familjen, mamaja më inkurajoi që të isha e fortë dhe të kisha besim te Jehovai. Pak pas kësaj, mora avionin për në Shtetet e Bashkuara. Po atë mbrëmje, ushtarët erdhën sërish në shtëpinë time për të më arrestuar për të dytën herë. Meqenëse nuk më gjetën në shtëpi, nxituan për në aeroport. Por, kur arritën atje, avioni im ishte nisur.
Mbërrita në Merilend, ku më pritën Hejud dhe Xhoana Uard, misionarët që kishin studiuar me prindërit e mi. Pesë muaj më vonë, arrita synimin të bëhesha pioniere. Sindi, vajza e çiftit Uard, u bë shoqja ime e shërbimit, dhe së bashku kaluam shumë kohë të bukura.
E zhytur në shërbim të Jehovait në Bethel
Verën e vitit 1979, vizitova Bethelin e Nju-Jorkut dhe u njoha me Uesli Parker. Vlerësova cilësitë e tij të mira dhe dëshirën që kishte për të bërë më shumë për Jehovain. Në vitin 1981, u martuam dhe u transferuam në Uollkill, Nju-Jork, ku shërbyem së bashku në Bethel. Punova në pastrim dhe në lavanderi, e më vonë me skuadrën e MEPS-it në Departamentin e Kompjuterëve. Puna në Bethel më dha mundësinë që të zhytesha më tepër në shërbim të Jehovait e të njihja motra dhe vëllezër, me të cilët lidha miqësi jetëgjata.
Familja ime në Etiopi po haste përndjekje të egra, dhe kjo më hidhëronte. Dy motrat dhe vëllai im vazhdonin të ishin ende në burg. b Çdo ditë, mamaja duhej t’u përgatiste dhe t’u dërgonte vaktet, sepse burgu nuk siguronte ushqim.
Gjatë asaj periudhe stresuese, Jehovai u bë streha ime, dhe familja Bethel më ngushëlloi e më mbështeti. (Marku 10:29, 30) Një ditë, vëllai Xhon Buth më tha: «Jemi shumë të lumtur që po shërben këtu në Bethel. Kjo nuk do të ishte e mundur nëse nuk do të kishe bekimin e Jehovait.» c Ato fjalë të përzemërta më siguruan se Jehovai e kishte bekuar vendimin tim për lënë Etiopinë dhe se do të kujdesej për familjen time.
I shërbejmë Jehovait si familje
Në janar të vitit 1989, mësuam që isha shtatzënë. Në fillim u tronditëm pak. Por pas disa ditësh, frikërat tona u kthyen në gëzim. Megjithatë ende ishim pak në merak se çfarë prindërish do të ishim, ku do të jetonim dhe si do ta mbanim veten pasi të linim Bethelin.
Më 15 prill 1989, paketuam gjërat dhe i futëm në makinë. Pastaj u nisëm për në Oregon, ku kishim vendosur që të vazhdonim shërbimin në kohë të plotë si pionierë. Megjithatë, pak pasi arritëm, disa miq me qëllime të mira na thanë se nuk ishte e arsyeshme të shërbenim si pionierë. Në fakt ishte e vërtetë që kishim pak nga ana materiale dhe po prisnim një fëmijë, ndaj çfarë do të bënim? Pikërisht në atë kohë, na vizitoi mbikëqyrësi qarkor, Gaj Piërs, dhe gruaja e tij, Peni. d Ata na inkurajuan të mos hiqnim dorë nga synimi ynë. Kështu nisëm të shërbenim si pionierë dhe kishim besim se Jehovai do të na ndihmonte. (Malakia 3:10) Vazhduam shërbimin si pionierë edhe pas lindjes së djalit të parë, Lemuelit, e madje edhe pas lindjes së djalit të dytë, Jadonit.
E kujtojmë me nostalgji periudhën e shërbimit si pionierë, kur fëmijët ishin ende të vegjël. Ky lloj shërbimi na dha mundësinë t’u shpjegonim të vërtetat e Biblës jo vetëm të tjerëve, por edhe djemve tanë. (Ligji i Përtërirë 11:19) Megjithatë, pas lindjes së djalit tonë të tretë, Jafetit, na u desh ta ndërpritnim për pak kohë shërbimin si pionierë.—Mikea 6:8.
U mësojmë djemve tanë t’i shërbejnë Jehovait
Kuptuam se përgjegjësia më e madhe për ne si prindër ishte ta bënim Jehovain real për secilin nga djemtë tanë dhe t’i ndihmonim të kishin miqësi të ngushtë me Të. Për ta arritur këtë, u përpoqëm që ta bënim adhurimin familjar diçka që ata do ta pritnin me padurim. Që kur ishin shumë të vegjël, lexonim së bashku botimet Dëgjoni Mësuesin e Madh dhe Libri im i tregimeve biblike. Madje disa nga tregimet i luanim me role. Unë isha e vetmja grua në shtëpi, ndaj kur luajtëm historinë e Jezebelës, unë bëra rolin e saj. Djemve u pëlqente veçanërisht momenti kur bënin sikur më hidhnin nga divani dhe luanin rolin e qenve. Përveç adhurimit familjar, Uesli drejtonte studimin e Biblës me secilin nga djemtë.
I donim e kujdeseshim shumë për djemtë tanë, dhe gjithmonë luteshim për një familje të bashkuar. Ndërsa ata rriteshin, u mësuam disa gjëra praktike. Ata lanin enët, pastronin dhomën e tyre dhe lanin rrobat. Gjithashtu mësuan edhe si të gatuanin.
Mund të them se jo vetëm fëmijët po mësonin, por gjithashtu edhe ne si prindër. Kishte raste kur nxeheshim dhe u thoshim fjalë lënduese njëri-tjetrit ose fëmijëve. Por, më pas tregonim përulësi dhe kërkonim falje.
Në shtëpinë tonë mikpritnim rregullisht motra dhe vëllezër të kongregacionit, bethelitë, misionarë, mbikëqyrës udhëtues dhe ata që shërbenin ku kishte më shumë nevojë. (Romakëve 12:13) Ndërsa shijonim shoqërinë e të ftuarve, nuk i çonim fëmijët për të luajtur në dhomën tjetër. Ata qëndronin me ne dhe kënaqeshin me bisedat dhe eksperiencat e motrave e vëllezërve. Shpesh fëmijët kujtonin më shumë detaje nga këto raste sesa unë dhe Uesli.
Unë dhe Uesli punonim fort që ta shijonim sa më shumë jetën në shërbim të Jehovait. Për shembull, planifikonim që më parë e kursenim pará dhe ditë pushimi për të vizituar vende të ndryshme. Në çdo udhëtim vizitonim zyrat e degës, ndiqnim mbledhjet dhe merrnim pjesë në shërbim me kongregacionin e zonës. Kjo na rriti çmueshmërinë për organizatën mbarëbotërore të Jehovait dhe na bashkoi më shumë si familje.
Plotësisht të përkushtuar në shërbim
Vumë re që në zonën tonë kishte shumë persona që flisnin spanjisht, por që nuk u predikohej rregullisht. Ndaj kur fëmijët ishin të vegjël, pyetëm vëlla Piërs se çfarë mendonte për idenë që të transferoheshim në kongregacionin e gjuhës spanjolle. Me një buzëqeshje të madhe, ai na e ktheu: «Kush është peshkatar, shkon atje ku ka peshq.» Pasi morëm këtë inkurajim, u transferuam në kongregacionin e gjuhës spanjolle në Udbërn, Oregon. Patëm kënaqësinë të studionim me shumë persona që përparuan. Disa i ndihmuam të pagëzoheshin dhe pamë si një grup i vogël i gjuhës spanjolle u bë kongregacion.
Kur Uesli humbi punën, na u desh të transferoheshim në Kaliforni se kishte gjetur një punë të re. Dy vite më vonë, unë, Lemueli dhe Jadoni filluam të shërbenim si pionierë. Në vitin 2007, pata kënaqësinë të ndiqja Shkollën e Shërbimit për Pionierë së bashku me ta. Pak pas shkollës, vumë re që në territorin tonë kishte shumë persona që flisnin arabisht. Ndaj, pasi kishim kaluar 13 vjet në fushën e gjuhës spanjolle, familja jonë vendosi që t’i bashkohej kongregacionit të gjuhës arabe. E kemi shijuar predikimin me emigrantët që flisnin arabisht, si në zonën tonë, ashtu edhe në fushatat speciale të predikimit jashtë vendit. Vazhdojmë të shërbejmë si pionierë në fushën e gjuhës arabe në San-Diego, Kaliforni, edhe sot e kësaj dite.
Uesli është bashkëshort dhe kryefamiljar i shkëlqyer. Ai ka respekt të thellë për organizatën e Jehovait dhe kurrë nuk ka thënë diçka negative për Bethelin apo drejtimin që jepet në kongregacion. Përkundrazi ka gjithmonë diçka pozitive për të thënë. Ai lutet me mua e për mua, dhe kur kemi kaluar situata të vështira, lutjet e tij më kanë dhënë zemër dhe më kanë ndihmuar të jem e qetë.
Kur kthej kokën pas, mendoj sa shumë e kemi shijuar shërbimin në kohë të plotë, rritjen e fëmijëve dhe shërbimin aty ku ka më tepër nevojë. Kemi parë se Jehovai i bekon ata që e vënë në vend të parë, ndaj nuk na ka munguar kurrë asgjë. (Psalmi 37:25) Jam e bindur se vendimi për të pasur një jetë të fokusuar në shërbim të Jehovait, është vendimi më i mirë që kam marrë ndonjëherë.—Psalmi 84:10.
a Vëllai Link shërbeu në zyrën e degës së Kenias që mbikëqyrte veprën në Etiopi.
b Motrat dhe vëllai im u liruan nga burgu pas katër vjetësh.
c Vëllai Buth shërbeu si anëtar i Trupit Udhëheqës derisa përfundoi jetën e tij në tokë më 1996.
d Vëllai Piërs më vonë shërbeu si anëtar i Trupit Udhëheqës derisa përfundoi jetën e tij në tokë më 2014.