Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

DEJVID MEJZI | JETËSHKRIM

Rimëkëmben sërish pas tragjedisë

Rimëkëmben sërish pas tragjedisë

Pasi studiova Biblën dhe zbatova parimet e saj, më në fund arrita të kisha atë që e mendoja të pamundur—një familje të lumtur. Bashkë me time shoqe dhe tre fëmijët po i shërbenim Jehovait me gjithë zemër.

Mirëpo u gjendëm plotësisht të papërgatitur për kthesën e tmerrshme që mori jeta jonë më 24 prill 2004.

 Kur gruaja ime Kei solli në jetë vajzën tonë, Lorenën, s’ia kisha haberin si të isha një baba i mirë. Nuk ndihesha ndryshe as kur lindi fëmija ynë i dytë, Majkëlli. Ndërsa rritesha, kisha parë prindërit që vetëm ziheshin me njëri-tjetrin, derisa në fund u divorcuan. Doja shumë të isha një kryefamiljar i mirë, por nuk dija si.

 Si për t’i keqësuar gjërat, në adoleshencë kisha krijuar varësi nga alkooli dhe droga. Edhe si i rritur, jeta ime ishte komplet jashtë kontrollit. Mora shumë vendime të gabuara për shkak të varësive, siç ishte edhe bixhozi. Gjendja u katandis aq keq, sa Kei mori dy fëmijët dhe më la. Kisha prekur fundin.

 Pyeta Kein çfarë duhej të bëja që të kthehej tek unë. Ndërkohë ajo kishte filluar të bënte biseda rreth Biblës me Glorian, një Dëshmitare e Jehovait, prandaj kushti i saj ishte i qartë: «Studio Biblën.» Nuk e dija çfarë nënkuptonte kjo dhe nuk më interesonte Bibla, por pranova të takohesha me Glorian dhe burrin e saj, Billin, sa për ta fituar sërish Kein.

Një bisedë që më ndryshoi jetën

 Kur Billi dhe Gloria erdhën në shtëpinë tonë, më bëri përshtypje marrëdhënia e ngrohtë që kishin me njëri-tjetrin. Mësova se fëmijët e tyre të rritur, që ishin pak a shumë mosha ime, po bënin një jetë domethënëse. Për herë të parë nisa të mendoja se ndoshta Bibla ishte çelësi për të pasur një familje të lumtur.

 Në atë rast, folëm me Billin dhe Glorian për problemet e mia. Më treguan çfarë thotë Bibla te Galatasve 6:7: «Çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.» Ndaj mendova me vete: «Sikur t’i kisha marrë vendimet me këtë parim në mendje, do t’i kisha kursyer vetes shumë telashe!»

Kei dhe Dejvidi

 Me kalimin e kohës pashë se zbatimi i parimeve të Biblës ma përmirësoi goxha jetën. Unë dhe Kei lamë duhanin dhe ia dola të çlirohesha edhe nga veset e tjera. Më 1985, kur na lindi fëmija i tretë—Dejvidi, që me përkëdheli e thërritnim Dejvi—më në fund ndihesha gati për të qenë një baba i mirë.

I shërbejmë Jehovait të bashkuar

 Si prindër, bashkë me Kein kuptuam se, ndërsa i mësonim fëmijët të donin Jehovain, edhe ne lidheshim më ngushtë me Të. Mësuam shumë nga botime të tilla, si Dëgjoni Mësuesin e Madh. Gjithashtu, në kongregacion kishim familje që ishin shembull për ne dhe për fëmijët.

Majkëlli me të shoqen, Dianën

 Me kohë, të tre fëmijët tanë u bënë pionierë. Në fillim të 2004-s, Lorena po shërbente në një kongregacion të gjuhës spanjolle. Majkëlli sapo kishte dalë nga Betheli që të martohej, dhe bashkë me gruan, Dianën, po bëheshin gati që të transferoheshin për të predikuar në Guam. Dejvi, 19 vjeç, sapo kishte filluar të shërbente në Republikën Domenikane.

 Sa krenarë ishim unë dhe Kei për vendimet që kishin marrë fëmijët tanë! Fjalët te 3 Gjonit 4 përshkruanin më së miri ndjenjat tona: «Më bëhet zemra mal kur dëgjoj që fëmijët e mi vazhdojnë të ecin në të vërtetën.» Por s’na e priste mendja që një telefonatë do të na e ndryshonte krejt jetën.

Një tragjedi që na theu zemrën

 Më 24 prill 2004, bashkë me Kein kishim dalë për darkë me dy çifte të tjera. Meqë restoranti ishte mbi 100 kilometra larg, udhëtuam të gjashtë me makinën time. Pas darkës, i lashë të tjerët në një kafene ku do të hanim ëmbëlsirën dhe shkova të gjeja parkim. Papritur më merr në telefon një vëlla, të cilit po i dridhej zëri.

 Ai tha: «Ka ndodhur diçka e tmerrshme. Dejvi ka bërë aksident.»

 «Si është djali?»,—e pyeta tërë frikë.

 Në fillim, s’po nxirrte dot asnjë fjalë. Pastaj, me gjysmë zëri më tha se Dejvi kishte humbur jetën.

 Pasi mbylla telefonin, iu luta Jehovait për forcë. Hyra në kafene dhe u thashë të tjerëve se nuk po ndihesha mirë dhe se doja të ktheheshim në shtëpi. Doja t’ia thosha Keit lajmin për Dejvin kur të ishim vetëm për vetëm.

 Ai udhëtim 90-minutësh për në shtëpi ishte një agoni e vërtetë. Rrugës Kei po u thoshte të tjerëve tërë entuziazëm se mezi priste të na vinte Dejvi. Ndërkohë, para se Kei ta merrte vesh se djali ynë kishte vdekur, në telefon më vinin pareshtur mesazhe ngushëllimi.

 Pasi u ndamë nga të tjerët, u kthyem në shtëpi. Kei më pa drejt e në sy dhe e kuptoi se kishte ndodhur diçka e rëndë, ndaj më pyeti: «Çfarë ka ndodhur?» E dija se lajmi do t’ia copëtonte zemrën, ashtu siç ma copëtoi zemrën mua telefonata që kisha marrë 2 orë më parë.

Përballojmë humbjen e djalit

 Kishim hasur edhe më përpara probleme dhe e dinim se Jehovai i mbështet shërbëtorët e tij. (Isaia 41:10, 13) Por asgjë nuk krahasohej me këtë që po kalonim. Vrisja mendjen vazhdimisht: «Si mund t’i ndodhte kjo Dejvit kur bënte aq shumë për Jehovain? Pse s’e mbrojti Jehovai?»

 Edhe fëmijët tanë u tronditën jashtë mase. Lorena ishte si nënë e dytë për Dejvin, ndaj e përjetoi shumë keq humbjen e tij. E po ashtu edhe Majkëlli. Ndonëse kishte rreth pesë vjet që jetonte larg shtëpisë, Majkëlli kishte vënë re sa i pjekur ishte bërë vëllai i tij i vogël.

 Kongregacioni na erdhi në ndihmë menjëherë. Për shembull, ndërsa Kei ishte ende e shokuar nga vdekja e djalit, vëllezër e motra nga kongregacioni erdhën në shtëpi për të na ngushëlluar e mbështetur. (Proverbat 17:17) S’do ta harroj kurrë dashurinë që na treguan!

 Që të mos na mbyste pikëllimi, unë dhe Kei vazhduam të luteshim rregullisht, të studionim Biblën dhe të ndiqnim mbledhjet e krishtere. Këto s’na e shuanin dhimbjen, ama e dinim se ishin jetësore që të ruanim një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain.—Filipianëve 3:16.

Lorena dhe burri i saj, Xhastini

 Ndërkohë, Majkëlli dhe Diana u transferuan që të banonin afër nesh, kurse Lorena u kthye sërish në kongregacionin tonë anglishtfolës. Gjatë viteve që pasuan, e patëm më kollaj ta merrnim veten ngaqë ishim më afër njëri-tjetrit. Më vonë, kur Lorena u martua, edhe i shoqi, Xhastini, u bë një mbështetje e çmuar për ne.

Një udhëtim i mundimshëm

 Pak pas vdekjes së Dejvit ndërmorëm një hap që na ndihmoi ta përballonim humbjen. Ishte shumë i vështirë, por na solli mjaft bekime. Po lë Kein të tregojë më shumë.

 «Kur burri më tha se Dejvi kishte vdekur, rashë në një gjendje dëshpërimi të thellë, nga e cila nuk dola dot për një kohë të gjatë. Isha kaq e hidhëruar, sa nuk bëja dot as gjërat më normale të jetës së përditshme. Qaja pa pushim. Të them të vërtetën, kishte raste kur ndihesha e zemëruar me Jehovain dhe me këdo që ishte akoma gjallë. Më dukej sikur e kisha humbur komplet arsyen.

 Doja të shkoja në Republikën Domenikane. Kisha nevojë të shihja ku kishte jetuar Dejvi dhe ku i kishte shërbyer Jehovait muajt e fundit të jetës. Në të njëjtën kohë isha shumë e brishtë dhe ndihesha krejt e pafuqishme për atë udhëtim.

 Por një mike e ngushtë më tha se edhe miqtë e Dejvit në Republikën Domenikane ishin të pikëlluar dhe kishin nevojë të takonin familjen e tij. Fjalët e saj më dhanë forcë që të hipja në avion.

 Ai udhëtim ishte pikërisht ajo që na duhej. U prekëm jashtë mase kur mësuam sa i përqendruar kishte qenë Dejvi në shërbim të Jehovait. Plaku i vetëm në kongregacionin ku shërbente Dejvi na tha se e kishte pasur Dejvin krah të djathtë për çdo caktim.

 Ndërsa ecnim në lagjen ku kishte banuar Dejvi, njerëzit na ndalonin e na tregonin për gjithë gjërat e mira që kishte bërë për ta. Gjithmonë e kam ditur sa i mirë ishte Dejvi, por ato që dëgjova, më treguan edhe më qartë se djali im ishte përpjekur fort të ndiqte me kujdes gjurmët e Jezuit.

Dejvi kur shërbente në Republikën Domenikane

 Takuam edhe një burrë, i cili kishte studiuar Biblën me Dejvin dhe që ishte i ngujuar në shtrat në shtëpinë e tij shumë të vogël. Ai burrë jetonte në kushte të mjerueshme, por motrat e vëllezërit në kongregacion na treguan se Dejvi e trajtonte plot dinjitet e respekt. U ndjeva shumë krenare për tim bir!

 Ky ishte udhëtimi më i vështirë në jetën time. Megjithatë, na ndihmoi të gjithëve si familje të ndanim hidhërimin me ata që e njihnin Dejvin dhe të ngushëllonim njëri-tjetrin. Dukej sikur na e lehtësoi disi dhembjen.»

Motivohen nga shembulli i Dejvit

 Në revistën Zgjohuni! të 8 janarit 2005, doli një artikull që fliste për vdekjen e Dejvit dhe për shërbimin e tij në Republikën Domenikane. Në atë kohë nuk ia kishim idenë si do të ndikonte ai artikull te lexuesit. Për shembull, në maj të 2019-s, një vëlla që quhet Nik na kontaktoi dhe na tregoi sa vijon:

 «Në fund të vitit 2004 studioja në universitet dhe nuk kisha synime teokratike. Nuk ndihesha fare i lumtur. Prandaj iu luta Jehovait të më ndihmonte që t’i përdorja më mirë vitet e rinisë. Pa kaluar shumë, lexova te Zgjohuni! historinë e Dejvit. Ishte fiks përgjigjja e lutjes sime!

 Lashë universitetin dhe fillova të shërbeja si pionier. Gjithashtu vura synim të mësoja spanjishten dhe të transferohesha në një shtet tjetër. Pas ca kohësh, shërbeva në Nikaragua dhe bashkë me gruan ndoqëm Shkollën për Ungjillëzuesit e Mbretërisë. Kur më pyesin çfarë më motivoi të filloja si pionier, i tregoj përvojën e Dejvit.»

 Patëm një tjetër surprizë të bukur kur takuam Ebin, një motër që rrinte në të njëjtin hotel me ne kur shkuam si delegatë në Kongresin Ndërkombëtar të vitit 2019 në Buenos Ajres, Argjentinë. Na bëri për vete tipi i saj i dashur dhe i ngrohtë. Si mua, edhe Keit na kujtoi Dejvin.

Përvoja e Dejvit e motivoi Ebin të fillonte shërbimin e plotkohor dhe të transferohej në një territor të izoluar

 Kur shkuam në dhomën e hotelit, i dërguam Ebit me link artikullin e revistës Zgjohuni! që fliste për Dejvin. Na ktheu përgjigje ca minuta më vonë dhe donte të fliste patjetër me ne, prandaj e takuam te recepsioni. Me lot në sy, Ebi na tregoi se përvoja e Dejvit e kishte motivuar të fillonte shërbimin si pioniere në shtator 2011 dhe pastaj të shërbente në një territor të izoluar. Ajo na tregoi: «Sa herë has vështirësi në caktim, rilexoj artikullin.» Madje kishte edhe një kopje me vete.

 Përvoja të tilla tregojnë se jemi pjesë e një familjeje mbarëbotërore. Asgjë në botë nuk krahasohet me unitetin që gëzon populli i Jehovait!

 Unë dhe Kei marrim shumë zemër kur mendojmë çfarë ndikimi të shkëlqyer pati Dejvi te të tjerët. E kjo vlen për gjithë të rinjtë tanë të shtrenjtë që i japin Jehovait më të mirën. Ata ndikojnë te të tjerët që vërejnë zellin e tyre në mënyra që mbase as ua merr mendja. Përveç kësaj, me shembullin që lënë, i motivojnë t’i japin më të mirën Jehovait.

«Për të, të gjithë ata janë gjallë»

 Te Luka 20:37, Jezui citoi fjalët e Jehovait që e quajti veten «Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit». Jehovai nuk tha se ishte Perëndia i tyre vetëm kur ata ishin gjallë, por se është akoma Perëndia i tyre. Pse? Siç e tregon Jezui në vargun 38: «Për të, të gjithë ata janë gjallë.»

 Po, nga pikëpamja e Jehovait, të gjithë shërbëtorët e tij besnikë janë gjallë; kjo vërteton sa i vendosur është ai që t’i kthejë sërish në jetë. (Jobi 14:15; Gjoni 5:28, 29) S’kam pikë dyshimi se Jehovai ndihet njësoj për Dejvin dhe për të gjithë shërbëtorët e Tij që kanë rënë në gjumin e vdekjes.

 Mezi po pres ta shoh sërish Dejvin, megjithatë gjëja që dëshiroj akoma më fort është ta shoh kur të takohet sërish me Kein. S’kam parë askënd tjetër të vuajë aq shumë emocionalisht sa ajo. Fjalët e Lukës 7:15 kanë domethënie të veçantë për mua: «I vdekuri u kthye në jetë, u ngrit e ndenji ulur, dhe nisi të fliste. Jezui ia dha së ëmës.»

 Në shtator të 2005-s, fillova të shërbeja edhe unë si pionier bashkë me Kein. Çfarë privilegji është të shërbej si pionier përkrah gruas, fëmijëve dhe bashkëshortëve të tyre! Si një familje e bashkuar, mbështetim njëri-tjetrin dhe i mbajmë sytë te shpresa e botës së re ku do të përqafojmë sërish Dejvin tonë të shtrenjtë.