Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

FILIS LIANG | JETËSHKRIM

Jehovai e ka bekuar gatishmërinë time

Jehovai e ka bekuar gatishmërinë time

«Po, dua.» Kështu u përgjigj Rebeka, siç tregohet në Bibël, kur iu kërkua të bënte një ndryshim rrënjësor në jetë për hir të vullnetit të Jehovait. (Zanafilla 24:50, 58) Ndonëse nuk e konsideroj veten të veçantë, jam përpjekur të tregoj të njëjtën frymë të gatshme në shërbim të Jehovait. Kam pasur sfida, por kam parë se Jehovai e ka bekuar frymën time të gatshme, nganjëherë në mënyra që s’i prisja.

Një burrë i moshuar na sjell një thesar

 Babai vdiq disa vjet pasi familja jonë u transferua në qytetin e Rudeportit, në Afrikën e Jugut. Në vitin 1947, kur isha 16 vjeçe punoja në kohë të plotë në shërbimin telefonik shtetëror për të mbështetur familjen. Një ditë, kur isha në shtëpi na erdhi te dera një burrë i moshuar dhe na ftoi të abonoheshim te Kulla e Rojës. Ne u abonuam sa për mirësjellje.

 Ama, shumë shpejt donim të dinim më shumë rreth Biblës. Mamaja, e cila frekuentonte Kishën e Reformuar Holandeze kur ishte më e re, arrinte ta dallonte ndryshimin midis asaj që mëson Bibla dhe asaj që mësonte kisha. Pranuam të studionim Biblën dhe shumë shpejt filluam të ndiqnim mbledhjet e kongregacionit. Në vitin 1949, unë isha e para nga familja që u pagëzova. Vazhdova të punoja edhe për disa vjet. Megjithatë doja të bëja më shumë në shërbim të Jehovait.

E gatshme të shkoj ku ka nevojë

FomaA/stock.adobe.com

Petulla të skuqura (koeksisters)

 Në vitin 1954, fillova të shërbeja si pioniere e rregullt dhe pyeta zyrën e degës së Afrikës së Jugut se ku kishte më shumë nevojë. Zyra e degës më sugjeroi qytetin e Pretorias dhe caktoi një motër që të shërbente me mua. Shtëpia ku jetonim ishte deri diku e rehatshme, dhe akoma i mbaj mend petullat e skuqura në formë gërsheti me sherbet (koeksisters), që shiteshin aty pranë.

 Pasi shoqja ime e shërbimit u martua, shërbëtori i degës, vëllai Xhorxh Filips, më pyeti nëse kisha dëshirë të shërbeja si pioniere speciale. E pranova ftesën me shumë kënaqësi.

 Caktimin tim të parë si pioniere speciale e nisa në vitin 1955, në qytetin e Harismithit. Unë dhe shoqja ime e re e shërbimit e patëm të vështirë të gjenim një vend të përshtatshëm për të banuar. Për shembull, kur kisha e asaj zone mori vesh që ne kishim ardhur, i bëri presion pronares së shtëpisë të na nxirrte nga banesa.

 Më vonë u caktova në Parkhërst, Johanesburg. Atje u bashkova me dy motra misionare. Më vonë, njëra prej tyre u martua, ndërsa motra tjetër u caktua diku tjetër. Një motër e dashur që quhej Ajlina Porter, më mori në shtëpinë e saj, edhe pse ajo e familja e saj kishin një banesë të vogël. Unë flija në një hapësirë të vogël që ishte e ndarë me perde nga pjesa tjetër e shtëpisë. Ajlina ishte e sjellshme dhe më jepte zemër. Ndihesha shumë rehat me të. Më bënte goxha përshtypje zelli që kishte për të vërtetën, edhe pse i duhej të kujdesej shumë për familjen.

 Pak më vonë, u caktova në Aliual North, një qytet në provincën e Kepit Lindor, për të shërbyer me një motër që quhej Merlina (Merli) Lorens. Që të dyja ishim në të njëzetat dhe na jepte goxha forcë shembulli i një motre të moshuar me emrin Doroti, të cilën me përzemërsi e thërritnim teze Doti. Kur ishte e re, një ditë gjatë shërbimit, e kishte sulmuar egërsisht një grup qensh. Por kjo nuk ia zbehu zellin.

 Në vitin 1956, Merlina mori ftesën për të ndjekur klasën e 28-të të Galadit. Atëherë doja shumë ta ndiqja Galadin me të. Megjithatë, teze Doti u kujdes shumë për mua dhe u bëmë shoqe të ngushta, edhe pse kishim 50 vjet diferencë.

 Imagjinoni sa e lumtur isha, kur edhe unë si Merlina, mora ftesën për të ndjekur Shkollën e Galadit. Para se të largohesha, qëndrova gati tetë muaj në një qytet që quhet Najxhel, ku shërbeva me një motër të diplomuar në Galad, Keti Kukin. Ajo ma shtoi edhe më shumë entuziazmin për atë që më priste në Galad, dhe në janar të vitit 1958 shkova në Nju-Jork.

E gatshme për t’u stërvitur

 Në Galad isha në dhomë me Tia Alunin nga Samoa dhe me Ivi Kavin, një motër maori. Në Afrikën e Jugut, qeveria e apartejdit i ndante të bardhët nga racat e tjera, ndaj ishte diçka krejt e re për mua të jetoja në të njëjtën dhomë me këto motra. Shpejt u bëmë shoqe dhe isha shumë e lumtur që në klasë kishte studentë nga kombësi të ndryshme.

 Një nga instruktorët e Galadit ishte vëlla Maksuell Frendi. Ndonjëherë, ai tregohej i rreptë gjatë mësimit. Ai mbante në klasë tri llamba, që i kishte emërtuar «Toni i zërit», «Ritmi» dhe «Fuqia». Teksa një student mbante një fjalim a bënte një demonstrim, vëlla Frendi ndizte njërën prej tyre kur mendonte se prezantimit i mungonte diçka. Ngaqë isha tip i tërhequr, ai i ndizte shpesh ato llamba të frikshme gjatë pjesëve të mia, dhe ndonjëherë shpërtheja në lot. Prapëseprapë më pëlqente vëlla Frendi. Ndonjëherë, kur kisha caktimin për të pastruar gjatë pushimit ndërmjet orëve të mësimit, ai me dashamirësi më sillte një filxhan kafe.

 Ndërsa muajt kalonin, vrisja mendjen se ku do të më caktonin. Shoqja ime e mëparshme e shërbimit, Merli, ishte caktuar në Peru pas diplomimit në Galad. Ajo më sugjeroi të pyesja vëllanë Nejthën Nor, i cili merrte drejtimin e veprës në atë kohë, nëse mund të zëvendësoja shoqen e saj misionare, që do të martohej së shpejti. Vëlla Nori vinte një herë në disa javë te godina ku mbahej Shkolla e Galadit, ndaj s’e pata të vështirë të flisja me të. Kur u diplomova, më caktuan në Peru.

Shërbimi në male

Me Merlin (djathtas) në Peru, në 1959-n

 Sa e lumtur isha që po shërbeja sërish me Merlin, kësaj here në Limë, Peru! Që në fillim, pata studime që po përparonin, edhe pse s’e dija mirë spanjishten. Më vonë, mua dhe Merlin na caktuan në Ajakuço, lart në male. Më duhet ta pranoj se s’ishte caktim i lehtë. Kisha mësuar tashmë pak spanjisht, por shumica e njerëzve atje flisnin vetëm keçua. Na u desh ca kohë të mësoheshim me lartësitë e mëdha dhe me mungesën e oksigjenit.

Duke predikuar në Peru, në 1964-n

 Më dukej sikur s’po bëja shumë në Ajakuço dhe vrisja mendjen nëse e vërteta do të lulëzonte ndonjëherë në atë vend. Ama, sot në qytetin e Ajakuços ka mbi 700 lajmëtarë si dhe një zyrë rajonale përkthimi për gjuhën keçua (Ajakuço).

 Pas ca kohësh, Merli u martua me një mbikëqyrës qarkor që quhej Ramon Kastijo. Në vitin 1964, Ramoni ndoqi një kurs 10-mujor në Galad. Ai kishte në klasë një vëlla me të cilin pata bërë shkollën e Galadit, një djalë të ri që quhej Fu Lon Liang. Ai shërbente në Hong-Kong, por e kishin ftuar përsëri në Galad për stërvitje të mëtejshme në lidhje me zyrën e degës. a Fu Loni e pyeti Ramonin si po ia kaloja në Peru, dhe më pas filluam t’i shkruanim njëri-tjetrit.

 Që në fillim, Fu Loni e bëri të qartë se po më shkruante ngaqë donte të më njihte më shumë. Në Hong-Kong, vëllai Harold King që ishte po ashtu misionar, shkonte rregullisht te posta, ndaj pranoi të më dërgonte letrat e Fu Lonit. Haroldi bënte vizatime të vogla dhe më linte shënime të shkurtra mbi zarfet e Fu Lonit, ku thoshte: «Do ta nxis të të shkruajë më shpesh.»

Me Fu Lonin

 18 muaj pasi kishim filluar t’i shkruanim njëri-tjetrit, Fu Loni dhe unë vendosëm të martoheshim. U largova nga Peruja pasi kisha shërbyer atje për rreth shtatë vjet.

Një jetë e re në Hong-Kong

 Më 17 nëntor 1965, unë dhe Fu Loni u martuam. Më pëlqente jeta e re në Hong-Kong. Jetonim në zyrën e degës bashkë me dy çifte të tjera. Gjatë ditës unë predikoja, ndërsa Fu Loni merrej me përkthim. S’e pata të lehtë të mësoja gjuhën kantoneze, por motrat e tjera misionare dhe burri im i dashur më ndihmuan me durim. Ndërsa mësoja gjuhën, pata mundësinë të studioja Biblën me disa fëmijë të vegjël, dhe kjo më ndihmoja ta hiqja pak sikletin.

Gjashtë anëtarët e familjes Bethel në Hong-Kong në mes të viteve 1960. Fu Loni dhe unë jemi në mes

 Pas disa vjetësh, unë dhe Fu Loni u transferuam në një shtëpi misionare në një pjesë tjetër të Hong-Kongut, në Kun-Tong, në mënyrë që Fu Loni t’u mësonte gjuhën kantoneze misionarëve të sapoardhur. b Aq shumë e kam shijuar shërbimin atje, sa ndonjëherë s’më bëhej të kthehesha në shtëpi.

 Në vitin 1968, u emocionova shumë kur morëm botimin e ri për studim E vërteta që të çon në jetën e përjetshme. Ishte më i thjeshtë se botimi i mëparshëm «Le të dalë Perëndia i vërtetë», sidomos për studentët që nuk dinin shumë rreth Biblës dhe krishterimit.

 Mendoja se studentët po përparonin ngaqë dinin t’u përgjigjeshin pyetjeve të paragrafit, por e kisha pasur gabim. Në një rast, unë s’e kisha kuptuar se një nga studentët e mi të Biblës nuk besonte te Perëndia, edhe pse e kishte studiuar gjithë librin E vërteta. Prandaj u përpoqa të diskutoja më shumë me studentët, që të kuptoja çfarë mendonin për atë që po mësonin.

 Pasi jetuam disa vjet në Kun-Tong, u kthyem sërish në zyrën e degës dhe Fu Loni filloi të shërbente si anëtar në Komitetin e Zyrës së Degës në Hong-Kong. Përgjatë viteve, kam punuar në pastrim dhe në recepsion. Me raste, Fu Lonit i duhej të udhëtonte për caktime teokratike që ishin konfidenciale, ndaj unë nuk mund ta shoqëroja. Prapëseprapë, ndihesha e lumtur ta mbështetja teksa ai përmbushte përgjegjësitë e tij.

Fu Loni duke prezantuar vëllimin e dytë të librit Profecitë e Isaisë në gjuhën kineze tradicionale dhe të thjeshtuar

Një ndryshim i papritur

 Mjerisht, në vitin 2008 jeta ime ndryshoi kryekëput brenda një nate. Fu Loni im i dashur vdiq papritur gjatë një udhëtimi, pak para Përkujtimit të vdekjes së Jezuit. Isha e shkatërruar. Vëllezërit e motrat erdhën menjëherë dhe më qëndruan pranë. Arrita ta mbaja veten gjatë fjalimit të Përkujtimit, ngaqë ndihmova një të interesuar të gjente shkrimet që po lexoheshin. Më dha forcë një nga shkrimet e preferuara të Fu Lonit, që thotë: «Unë, Jehovai, Perëndia yt të kap nga dora e djathtë... ’Unë do të të ndihmoj.’»—Isaia 41:13.

 Shtatë vjet pas vdekjes së Fu Lonit, vëllezërit në Hong-Kong më sugjeruan të shkoja në një zyrë dege më të madhe, ku mund të merrja kujdesin shëndetësor që më duhej. Prandaj, në vitin 2015 u transferova në degën e Afrikës së Jugut, që nuk është shumë larg nga vendi ku mora të vërtetën në 1947-n.

 Kam kaluar shumë vite të lumtura në shërbim të Jehovait dhe e kam ndier se Jehovai e ka bekuar qëndrimin tim të gatshëm. I mbaj ende kontaktet me ish-studentët e mi të Biblës, të cilët i shërbejnë Jehovait me besnikëri. Gjithashtu, kam parë se Jehovai i bekon edhe përpjekjet në dukje të vogla në veprën e predikimit. Për shembull, numri i lajmëtarëve në Peru u rrit nga thuajse 760 në 1958-n, në rreth 133.000 në 2021-shin dhe në Hong Kong nga rreth 230 në 1965-n, në 5.565 në 2021-shin.

 Për shkak të moshës, nuk bëj dot aq sa dikur. Ama, gatishmërinë e kam akoma dhe mezi pres ta shfaq këtë frymë në botën e re të Jehovait, kur të ketë shumë punë për të bërë. Atëherë do të them plot zell: «Po, dua.»

a Tregimi se si vëllai Fu Lon Liang mori të vërtetën, gjendet te Libri vjetor i Dëshmitarëve të Jehovait 1974 (anglisht), në faqen 51.

b Një nga përvojat e Fu Lonit në Kun-Tong, gjendet te Libri vjetor i Dëshmitarëve të Jehovait 1974 (anglisht), në faqen 63.