Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

IRMA BENTIVOLI | JETËSHKRIM

I shërbej Dhënësit të ‘çdo dhurate të mirë’

I shërbej Dhënësit të ‘çdo dhurate të mirë’

 Sirenat e luftës kumbonin ngado. Mamaja mori vëllanë e vogël në krahë dhe më pas vrapuam drejt një pemishteje aty pranë që të fshiheshim poshtë pemëve. Isha vetëm 6 vjeçe.

 Kur mbaruan bombardimet, shkuam të kërkonim shoqen e saj të ngushtë. Na pikoi në shpirt kur morëm vesh se kishte vdekur gjatë sulmit. Ca ditë më vonë nisi sulmi tjetër. Babai më hipi menjëherë në pjesën e përparme të biçikletës dhe u dha pedaleve me sa fuqi kishte që të na nxirrte nga qyteti.

 Lufta e Dytë Botërore bëri kërdinë në gjithë Italinë. I kam ende të freskëta në mendje kujtimet e atyre viteve. Megjithatë, ajo që ka lënë vërtet mbresa të thella në jetën time ka qenë shoqëria që në vogëli me njerëz që e njohin dhe e duan fort Jehovain.

E vërteta: një dhuratë e çmuar

 Dimrin e 1936-s, pak muaj para se të vija në jetë, babai punonte me mirëmbajtjen e hekurudhave dhe kishte një koleg që quhej Vinçenco Artusi. Ai nuk ishte pagëzuar akoma si Dëshmitar, por i donte me gjithë zemër të vërtetat e Biblës. Teksa pastronin hekurudhën nga bora, Vinçenco i fliste babait për gjërat që po mësonte.

 Im atë e dalloi menjëherë tingullin e së vërtetës. Bashkë me disa të tjerë në qytetin tonë, në Faencë, donte të mësonte më shumë për të vërtetat e Biblës. Në atë kohë, Dëshmitarët nuk i mbanin dot mbledhjet lirisht për shkak të përndjekjes nga regjimi fashist. Madje mund t’i arrestonin nëse u gjenin botime të bazuara në Bibël. Disa Dëshmitarë i kishin burgosur. Prandaj, babai me miqtë e tij takoheshin në disa shtëpi të izoluara në fshat për të lexuar Biblën dhe për të studiuar botimet që kishin. Gjithashtu, një herë në javë, na mblidhte si familje në mbrëmje që të studionim Biblën.

Dhurata e radhës: shembujt e mirë

 Në vitin 1943, liruan shumicën e Dëshmitarëve të burgosur për aktivitete fetare. Në mesin e tyre ishte edhe një motër beqare, Maria Picato. Ndërsa kthehej për në shtëpinë e saj në veri të Italisë, Maria qëndroi një natë te ne. Ajo kishte luajtur rol kyç duke i ndihmuar Dëshmitarët të merrnin botime dhe të mbanin lidhje me degën e Zvicrës, që atëherë mbikëqyrte veprën në Itali. Ndonëse dukej e brishtë, Maria ishte grua e fortë dhe e guximshme. Sa kënaqeshim kur pas luftës vinte herë pas here të na takonte në Faencë!

 Një motër tjetër që e kujtoj me nostalgji ishte Albina Kumineti. Kur isha adoleshente, kjo vejushë e moshuar jetonte në godinën ku mbanim mbledhjet. Ajo kishte filluar të shërbente në Itali si përhapëse (ungjillëzuese në kohë të plotë) që në fillim të viteve 20. Albina më tregonte plot histori mbresëlënëse për veprën në ato vite të hershme.

 Ajo kishte një koleksion me botime e objekte të tjera historike. Një ditë pashë një stemë në formë karfice me kryq dhe me kurorë, të cilën e mbanin dikur Studentët e Biblës (siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait). U habita dhe qesha nga sikleti, ngaqë e dija se kryqi kishte origjinë pagane. Atëherë Albina më shpjegoi diçka që m’u bë vath në vesh. Duke cituar fjalët e Zakarisë 4:10, më tha: «Mos e përbuz ditën e gjërave të vogla!»

Kur isha 14 vjeçe

 Ato fjalë ishin një mësim i vyer. Ndonëse Studentët e Biblës në atë kohë nuk e kuptonin plotësisht të vërtetën, meritonin respektin tim. E ngaqë s’i kishin të gjitha botimet në italisht, disave iu desh kohë të ecnin në një hap me shpjegimet e përditësuara. Prapëseprapë, Jehovai i vlerësoi përpjekjet e tyre, e po kështu duhej të bëja edhe unë.

 Ndonëse isha shumë më e re se Albina, më pëlqente tej mase të bisedoja me të. Ajo, Maria dhe motra të tjera të zellshme që i shërbyen me besnikëri Jehovait përballë sfidave të jashtëzakonshme, u bënë shembuj për mua. Sa mirënjohëse jam që pata mundësinë t’i njihja!

Dhurata e shërbimit në Bethel

 Në verën e vitit 1955 shkova në Romë që të ndiqja asamblenë me temë «Mbretëria triumfuese». Me atë rast, shkova në Bethel bashkë me delegatë nga vende të tjera. Thashë me vete: «Sa bukur duhet të jetë të shërbesh këtu!»

 U pagëzova më 18 dhjetor 1955. Isha ende në shkollë, por e kisha ndarë mendjen të shërbeja në kohë të plotë. Në vitin 1956, në një asamble që u mbajt në qytetin e Gjenovës, u njoftua se në Bethel kishte nevojë për vullnetarë. Mirëpo, përfaqësuesi i degës tha se nuk kishte nevojë për motra.

 Më vonë fola për synimet e mia me mbikëqyrësin qarkor, Piero Gatin. a Ky ungjillëzues entuziast dhe i zellshëm më tha: «Do të të rekomandoj që të shërbesh si pioniere speciale.»

 Pas ca kohësh, mora një letër nga zyra e degës. Isha e sigurt se më kishin emëruar pioniere speciale, por në fakt jo. Më ftonin të shërbeja në Bethel.

Me Ilaria Kastilionin (në këmbë), një përkthyese tjetër, në vitin 1959

 Mbërrita në Bethel në janar të 1958-s. Në atë kohë, familja Bethel përbëhej nga rreth 12 veta. Më caktuan të ndihmoja dy përkthyesit që shërbenin asokohe në degë. Kishte shumë punë, dhe unë isha fare e papërvojë në fushën e përkthimit. Megjithatë, falë Jehovait më hyri në zemër ky caktim.

 Gjithsesi, në më pak se dy vjet, puna e përkthimit u riorganizua dhe më caktuan si pioniere. Kjo ishte goxha surprizë, sepse tashmë e kisha bërë Bethelin shtëpinë time. Por, me kalimin e kohës fillova ta shihja caktimin e ri si dhuratë nga Jehovai.

Shoqe të zellshme në predikim, dhuratë më vete

 Më 1 shtator 1959, fillova të shërbeja si pioniere speciale në qytetin e Kremonës. Shoqja ime e shërbimit ishte Dorisa Majëri, e cila ishte transferuar nga Danimarka. Megjithëse ishte vetëm pak vite më e madhe se unë, kishte përvojë si pioniere dhe e admiroja vërtet. Dorisa ishte njeri i iniciativës, e guximshme dhe shumë e vendosur. Të dyjave na nevojiteshin këto cilësi në predikim, pasi ishim të vetmet Dëshmitare në gjithë qytetin.

Mësova shumë nga shoqet e mia pioniere në Kremonë, Dorisa (majtas) dhe Brunilda (djathtas)

 Dorisa kishte shkuar në Kremonë para meje dhe kishte marrë me qira një apartament që të mbanim mbledhjet. Por priftërinjtë katolikë e pikasën menjëherë aktivitetin tonë dhe u xhindosën, aq sa në fjalimet e tyre i paralajmëronin njerëzit për ne.

 Një ditë na thirrën në rajonin e policisë. Nuk na arrestuan, por thanë prerazi se Dorisa duhej të largohej nga Kremona ngaqë ishte e huaj. Pas njëfarë kohe, ajo u kthye në Danimarkë, ku vazhdoi t’i shërbente me besnikëri Jehovait.

 S’kaloi shumë dhe në Kremona caktuan një motër tjetër beqare, Brunilda Markin. Brunilda ishte e butë, e këndshme dhe e kishte shumë qejf predikimin. Filluam plot studime, disa prej të cilave përparuan shkëlqyeshëm.

 E falënderoj Jehovain që isha pjesë e fillimeve të vogla të veprës së predikimit në Kremonë. Sot atje ka pesë kongregacione.

Një surprizë e këndshme

 Ndodhesha në Kremonë prej më pak se dy vjetësh kur më telefonuan nga dega. Kishte shumë punë në përkthim për asamblenë gjashtëditore me temë «Adhurues të bashkuar», e cila do të mbahej në korrik të vitit 1961. Kështu që më ftuan prapë në Bethel. U hodha përpjetë nga gëzimi! U riktheva në Bethel më 1 shkurt 1961.

 Ndonëse punonim me orar të zgjatur, e konsideronim privilegj të merreshim çdo ditë me përgatitjen e materialeve të bazuara në Bibël. Ato muaj fluturuan dhe, sa hap e mbyll sytë, erdhi asambleja.

 Në asamble dëgjova njoftimin se do të përktheheshin në italisht Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re. Mendova: «Çfarë pune kolosale na pret.» Dhe ashtu ishte vërtet. Vëllezërit më thanë se caktimi im do të zgjatej edhe për pak kohë. Në fakt, sot shërbej ende në Bethel, ndonëse kanë kaluar mbi 60 vjet!

Në Departamentin e Përkthimit, 1965

Dhurata të tjera të çmuara nga Jehovai

 Një dhuratë tjetër që kam shijuar gjatë viteve është beqaria. Me këtë s’dua të them se nuk kam dashur kurrë të martohem. Madje, për njëfarë kohe, më shkaktonte shumë ankth ideja se mund të mbetesha beqare. Prandaj iu luta Jehovait për këtë çështje. Ai më njeh më mirë se kushdo tjetër. Kështu i kërkova ndihmë që të kuptoja se cila ishte zgjedhja më e mirë për mua.

 Fillova të çmoja veçanërisht shkrime, si Mateu 19:11, 12 dhe 1 Korintasve 7:8, 38, dhe e falënderova Jehovain që më ndihmoi të kuptoja qartë çfarë doja dhe që më fali paqe të brendshme. Nuk jam bërë kurrë pishman për vendimin tim dhe jam e lumtur që e kam përdorur beqarinë për t’i dhënë më të mirën Jehovait.

 Gjatë viteve kam parë mjaft ndryshime në punën e Departamentit të Përkthimit, teksa organizata e Jehovait ka përdorur gjithnjë e më shumë teknologjinë e re dhe «qumështin e kombeve». (Isaia 60:16) Këto ndryshime e kanë forcuar unitetin e familjes sonë mbarëbotërore. Për shembull, në vitin 1985, revista Kulla e Rojës nisi të botohej njëkohësisht në italisht dhe në anglisht. Sot në sitin jw.org ka artikuj e video në shumë gjuhë, dhe pjesa më e madhe dalin njëkohësisht me ato në anglisht. Është e qartë se Jehovai sigurohet që populli i tij të jetë i bashkuar e të marrë ushqim besimforcues në kohën e duhur.

 Jehovai është treguar shumë bujar me mua. Më dha mundësinë të shijoja shërbimin si pioniere speciale e të ndihmoja edhe të tjerë të afroheshin me të. Më ka plotësuar dëshirën të shërbej në Bethel, ku kam miq të moshave e të formimeve të ndryshme. Një bekim tjetër i veçantë ishte pagëzimi i mamasë si Dëshmitare e Jehovait në moshën 68-vjeçare. Mezi pres t’i shoh sërish mamanë dhe pjesëtarët e tjerë të familjes kur të ringjallen të gjithë ata që janë në varret përkujtimore.—Gjoni 5:28, 29.

 Pres me padurim të shoh se çfarë ka rezervuar Jehovai për shërbëtorët e vet në të ardhmen, kur të bëjë «çdo gjë të re». (Zbulesa 21:5) Ama për një gjë jam e sigurt: Jehovai do të na japë përherë plot bujari ‘çdo dhuratë të mirë dhe të përsosur’.—Jakovi 1:17.

Në punë, në Departamentin e Përkthimit sot

a Jetëshkrimi i Piero Gatit u botua në Kullën e Rojës të 15 korrikut 2011, faqet 20-23.