Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

XHEI KEMBËLLI | JETËSHKRIM

Dikur ndihesha përtokë, por tani fluturoj

Dikur ndihesha përtokë, por tani fluturoj

 Kam qenë fëmijë shumë i ndrojtur. Preferoja të rrija brenda e të mos takoja njerëz. Shpesh ndihesha e pavlerë. Edhe kur dilja nga shtëpia, s’doja t’u afrohesha njerëzve se kisha frikë se ata do të më trajtonin pa dinjitet e pa respekt. Po ju tregoj historinë time.

 Kam qenë një foshnjë e shëndetshme, por në gusht të vitit 1967 më kapi një temperaturë e lartë. Të nesërmen nuk më mbanin këmbët. Jetoja në Sierra-Leone, dhe pas analizave që bëra në spitalin e Fritaunit, u diagnostikova me poliomielit. Kjo është një sëmundje ngjitëse virale që shkakton paralizë, sidomos te fëmijët nën moshën pesë vjeç. Edhe pse bëra fizioterapi, këmbët i kisha ende të dobëta. Me kalimin e kohës, këmbët m’u dobësuan aq shumë, sa nuk mund të ecja a të qëndroja në këmbë. Babai më quante vazhdimisht «gjysmë-fëmijë» për shkak të këtij kufizimi. Ngaqë për të lëvizur më duhej të zvarritesha, ndihesha e pavlerë dhe përtokë.

Fëmijëria ime

 Kur isha e vogël, jetoja në një ndërtesë bashkë me mamanë dhe me disa familje të tjera të varfra. Edhe pse të tjerët më kishin xhan, e vuaja shumë faktin që babai s’më donte. Disa mendonin se isha sëmurë ngaqë më kishin bërë magji. Të tjerë i thanë mamasë të më linte te dera e ndonjë institucioni që kujdesej për fëmijë me aftësi të kufizuara. Sipas tyre, mamaja nuk do të më kishte më barrë. Por ajo nuk pranoi ta bënte këtë dhe u përpoq fort të kujdesej për mua.

 Ngaqë nuk mund të ecja a të qëndroja në këmbë, më duhej të zvarritesha. Por shpesh lëndohesha kur zvarritesha në tokë a në sipërfaqe të tjera. Ndaj që të mos vritesha, fillova të vishja rroba të trasha. Që të mbroja duart, shapkat i përdorja si doreza. Më vonë i zëvendësova me pllaka në formë U-je, që m’i mbronin më mirë duart. Që të lëvizja, zgjatja duart përpara, vija pllakat në tokë dhe shtyja trupin para. Më pas hidhja këmbët përpara duke kërrusur shpinën në formë harku. Pasi lëvizja një «hap», bëhesha gati për hapin tjetër të mundimshëm. Kjo m’i sforconte tej mase krahët dhe shpatullat. E kisha shumë të vështirë të lëvizja, ndaj dilja rrallë nga shtëpia. Nuk shkoja dot në shkollë dhe nuk luaja dot me fëmijët e tjerë. Kisha frikë si do të mbijetoja po të humbja mamanë.

 Iu luta Perëndisë të më ndihmonte se nuk doja të përfundoja lypëse. Mendoja se po t’i afrohesha e t’i shërbeja siç duhej, ai do të kujdesej për mua. Prandaj, një ditë në vitin 1981, dola nga shtëpia e shkova në një kishë aty afër, edhe pse kisha shumë dhembje. Por nuk u ndjeva rehat nga mënyra si më shikonin njerëzit. Pastori nuk më mirëpriti, madje e qortoi mamanë ngaqë isha ulur në vendin e një tjetri, në një rresht me pagesë. Prandaj, vendosa të mos shkoja më atje.

Njoh Atin tim Qiellor

 Një mëngjes të vitit 1984, kur isha 18 vjeçe ngjita shkallët dhe shkova te vendi i zakonshëm pranë dritares. Atje më pëlqente të shihja se ç’bëhej jashtë. Më pas vendosa të zbrisja poshtë e të dilja në oborr, që zakonisht ishte bosh. Atje takova dy burra që po predikonin nga shtëpia në shtëpi. Ata më treguan për një të ardhme të bukur, ku s’do të isha më e sëmurë. Më lexuan Isainë 33:24 dhe Zbulesën 21:3, 4. Më pas, më dhanë një broshurë plot ngjyra me titull Gëzo jetën në tokë përgjithmonë! dhe premtuan se do të ktheheshin përsëri për të më treguar më shumë.

 Kur erdhën sërish, ata më thanë se herën tjetër do të më prezantonin me një misionare që sapo kishte ardhur, me Paulinën. Unë e Paulina u lidhëm ngushtë me njëra-tjetrën dhe u bëmë si nënë e bijë. Mamaja më nxiti të studioja Biblën me «mamanë time të re», e cila ishte e dashur, e duruar, e mirë dhe gjithmonë interesohej për shëndetin tim. Më mësoi edhe të lexoja. Me anë të botimit Libri im i tregimeve biblike, dalëngadalë më njohu me Atin tim të dashur, që e kisha kërkuar gjithmonë.

Paulina, që shërbente si misionare, studioi Biblën me mua

 Ajo që mësova nga Bibla më mbushi me gëzim. Një ditë e pyeta Paulinën nëse mund të ndiqja mbledhjen e Dëshmitarëve të Jehovait, që njihej si Studimi i Librit i Kongregacionit. a Kjo mbledhje mbahej në shtëpinë e një Dëshmitari që nuk e kisha shumë larg. Paulina pranoi. Të martën tjetër, erdhi dhe priti derisa të lahesha e të vishesha që të shkonim në mbledhje bashkë. Dikush më tha t’i kërkoja Paulinës të më merrte një taksi, por unë ia ktheva: «Unë do të shkoj atje me pllakat e mia të drurit.»

 Kur dolëm nga shtëpia, mamaja dhe fqinjët po na shihnin të shqetësuar. Teksa po kaloja oborrin, disa fqinj i bërtitën Paulinës: «Pse e detyron vajzën?»

 Paulina më pyeti me butësi: «Xhei, dëshiron të vish?» Ky ishte momenti kur duhej të tregoja se besoja te Jehovai. (Proverbat 3:5, 6) I thashë: «Po, dua të vij. S’po më detyron kush.» Fqinjët po shikonin me qetësi dhe ndryshuan qëndrim teksa po i afrohesha portës. Kur dola nga porta, ata filluan të duartrokitnin.

 Sa u kënaqa në mbledhje! Ishte shumë inkurajuese e të gjithë më mikpritën. Asnjë nuk më pa me përbuzje. U ndjeva aq rehat, sa fillova t’i ndiqja mbledhjet rregullisht. S’kaloi shumë dhe pyeta nëse mund të merrja pjesë në mbledhje më të mëdha, që mbaheshin në Sallën e Mbretërisë e Dëshmitarëve të Jehovait. Isha e varfër dhe kisha vetëm dy fustane e një palë shapka. Por isha e bindur se populli i Perëndisë do të më pranonte. Dhe sigurisht që ashtu ndodhi.

 Që të shkoja në mbledhje duhej «të ecja» deri në fund të rrugës dhe të shkoja me taksi në majë të kodrës, ku ndodhej Salla e Mbretërisë. Më pas, vëllezërit vinin te taksia dhe më merrnin në krahë deri te Salla.

 Meqë kisha provuar mirësinë e Jehovait, doja të gjeja strehë tek ai. Prandaj e ndava mendjen t’i ndiqja rregullisht mbledhjet. (Psalmi 34:8) Gjatë stinës së shirave, shpesh shkoja e lagur dhe me baltë, ndaj më duhej t’i ndërroja rrobat në sallë. Ama ia vlente.

 Historia ime gjendet te Libri vjetor i Dëshmitarëve të Jehovait i vitit 1985. Pasi lexoi historinë time në Librin vjetor, Zhozeta, një Dëshmitare në Zvicër, më dërgoi një triçikël që pedalohej me duar, me parafango dhe me drita të pasme shumëngjyrëshe. Pas kësaj, ndihesha sikur kisha më shumë dinjitet. Fëmijët e vegjël e kishin shumë qejf triçiklin dhe kënaqeshin kur më shihnin duke i dhënë. Nuk zvarritesha më përtokë e nuk ndihesha e pavlerë. Përkundrazi, ndihesha si mbretëreshë, e respektuar dhe aspak e përbuzur.

Tani fluturoj

 Nuk e kisha të vështirë të përparoja sepse tashmë po bëja një jetë të thjeshtë dhe të pastër nga ana morale. Fillova të merrja pjesë në shërbim me karrocë dhe u pagëzova më 9 gusht të vitit 1986. Pagëzimi ma ndryshoi jetën për mirë, dhe përjetova ndjenja që s’i kisha imagjinuar kurrë. Provova më shumë gëzim dhe kënaqësi. M’u rrit vetëvlerësimi dhe siguria te vetja sepse tani kisha një Atë që më donte dhe isha e rrethuar nga njerëz që kujdeseshin vërtet për mua.

 Ngaqë doja t’i tregoja Jehovait sa mirënjohëse isha, mendova të filloja shërbimin si pioniere, por s’isha e sigurt nëse do t’ia dilja. (Psalmi 116:12) Iu luta Jehovait dhe vendosa ta provoja. Fillova si pioniere në janar të 1988-s dhe vazhdoj deri më sot. Çfarë bekimi ka qenë për mua! Motrat e vëllezërit e mi të dashur më ndihmojnë ta arrij synimin tim çdo muaj. Kam parë gjithashtu se si Jehovai më ka mbështetur me anë të frymës së tij të shenjtë.—Psalmi 89:21.

 Falë shërbimit si pioniere, fillova të lëvizja më shumë. Kjo më bënte mirë për këmbët, edhe pse akoma ishin të dobëta. Pas ca kohësh, shkova te një klinikë që sapo ishte hapur për të bërë fizioterapi dhe për të ndjekur një program ushtrimesh. Por një nga infermieret më tha të mos lodhesha kot se, sipas saj, do të vdisja së shpejti. Kur një kolege e saj tha të njëjtën gjë, u shkurajova. Prandaj erdha në shtëpi dhe iu luta Jehovait të më ndihmonte t’i përballoja ndjenjat e shkurajimit dhe të gjeja ndonjë lloj terapie.

 Shërbimi rezultoi të ishte forma më e mirë e terapisë për mua, sepse bëja plot ushtrime. Ca vjet më pas, një nga infermieret që më tha se së shpejti do të vdisja, më vuri re ndërsa po kalonte afër Sallës së Mbretërisë. U çudit që isha akoma gjallë.

 Pavarësisht prej rrethanave të mia, jam përpjekur të qëndroj aktive në shërbimin ndaj Jehovait. Vëllezërit më lavdërojnë për zellin që tregoj dhe ngaqë shkoj herët në mbledhje. Gjithmonë shkoj herët që të kem kohë të përshëndes vëllezërit dhe motrat e të interesohem si janë.

 E kam shijuar mirësinë e Jehovait dhe kam parë shumë bekime gjatë jetës. Kam pasur kënaqësinë të ndihmoj tre persona drejt pagëzimit. Një prej tyre, Amelia, ndoqi klasën e 137-të të Galadit. Unë e kam ndjekur më shumë se një herë Shkollën e Shërbimit për Pionierë, që është një masë e mrekullueshme nga Jehovai. Falë Tij, jam më e lumtur dhe kam më shumë vetëvlerësim e besim te vetja. Tani njerëzit më respektojnë. Nuk më vjen më turp nga vetja. Kam miq të mirë në popullin e Jehovait, jo vetëm në Fritaun, por në gjithë vendin si dhe anembanë botës.

 Kanë kaluar 40 vjet që kur mësova për premtimin e Perëndisë për një botë të re, ku paaftësitë fizike nuk do të ekzistojnë më. Ai premtim vazhdon të më japë forcë dhe mezi pres të bëhet realitet. Po e pres me durim Perëndinë tim, Jehovain, sepse e di që nuk do të vonojë. (Mikea 7:7) Ngaqë nuk jam dorëzuar, kam marrë shumë bekime. Jehovai më ka ndihmuar të përballoj probleme të ndryshme dhe situata sfiduese. Asnjëherë s’më ka munguar ndihma në kohën e duhur. Jam vërtet e lumtur dhe fytyra më shndrin. Dikur zvarritesha, por tani fluturoj; kam shijuar gjëra që as i kisha imagjinuar.

a Tani quhet Studimi i Biblës në Kongregacion.