DORINA KAPARELI | JETËSHKRIM
Edhe pse jam e ndrojtur, do të bëja përsëri të njëjtat zgjedhje
Kam qenë gjithnjë shumë e ndrojtur. Prandaj më vjen për të qeshur kur mendoj për disa aventura emocionuese në shërbim të Jehovait.
Linda më 1934 në Peskarë, një qytet që ndodhet në qendër të bregut lindor të Italisë, që laget nga deti Adriatik. Isha më e vogla nga katër motrat. Im atë vendosi të na i vinte emrat sipas rendit alfabetik. Ja pse emri im fillon me shkronjën «D».
Babait gjithmonë i ka pëlqyer të mësonte për Perëndinë. Ai i takoi për herë të parë Dëshmitarët e Jehovait në korrik të vitit 1943, kur Liberato Riçi, që në atë kohë po studionte me Dëshmitarët, i foli për Biblën dhe i dha një Kullë Roje me të drejtë kthimi. S’kaloi shumë dhe babai filloi t’u fliste të tjerëve me zell për gjërat që po mësonte. Edhe mamaja e pranoi të vërtetën. Ndonëse nuk dinte të lexonte, u fliste të tjerëve për shpresën e sapogjetur, duke u thënë vargje nga Bibla që i kishte mësuar përmendsh.
Shtëpia jonë e vogël gëlonte nga aktivitetet e krishtere. Te ne mbaheshin mbledhjet dhe, megjithëse kishim vetëm dy dhoma e kuzhinë, dera jonë ishte gjithmonë e hapur për mbikëqyrësit udhëtues dhe pionierët.
Dy motrat e mëdha nuk kishin interes për Biblën dhe më vonë u martuan dhe ikën nga shtëpia. Por, unë dhe motra tjetër, Çezira, e dëgjonim me ëndje babanë kur lexonte Biblën. Kënaqeshim edhe me fjalimet zemërdhënëse të vëllezërve që vizitonin grupin tonë të vogël.
Dilja shpesh në shërbim me babanë dhe me të tjerët, mirëpo isha aq e ndrojtur, saqë m’u deshën muaj që të merrja guximin t’u flisja të tjerëve për të vërtetën. Prapëseprapë, dashuria ime për Jehovain bëhej gjithnjë e më e fortë, dhe u pagëzova në korrik 1950. Fjalimin në atë rast e mbajti një vëlla në shtëpinë tonë, pastaj vajtëm në det për t’u pagëzuar. Vitin tjetër në zonën tonë u caktuan si pionierë specialë një çift me të cilët dilja shpesh në shërbim. Sa më shumë dilja në shërbim, aq më të lehtë e kisha. Fillova ta doja me gjithë zemër këtë lloj shërbimi.
Një vendim që më ndryshoi jetën
Mbikëqyrësi i parë qarkor që erdhi te ne, ishte Piero Gati. a Ai më inkurajoi jo vetëm që të bëhesha pioniere, por edhe të transferohesha aty ku kishte më tepër nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë, diçka për të cilën as më kishte shkuar në mendje. Në zonën tonë ishte zakon që vajzat të largoheshin nga shtëpia vetëm kur martoheshin. Ndaj jetoja akoma me prindërit kur nisa të shërbeja si pioniere në mars të vitit 1952. Në atë moment nuk e dija se ai vendim do të ishte pikë kthese në jetën time.
Rreth asaj periudhe edhe një motër e re që quhej Ana, kishte qejf të shërbente si pioniere. Erdhi të jetonte me ne, që të predikonim bashkë. Më 1954 na caktuan të dyjave si pioniere speciale në Peruxha, një qytet rreth 250 kilometra larg, ku nuk kishte asnjë Dëshmitar.
Çfarë aventure fantastike! Isha vetëm 20 vjeçe dhe deri në atë moment isha larguar nga qyteti vetëm për kongrese, me prindërit. Ndihesha sikur po shkoja në fund të botës! Babai ishte disi në merak, prandaj erdhi me ne që të na ndihmonte të gjenim shtëpi. Morëm një dhomë me qira, që e përdornim edhe si Sallë Mbretërie. Për njëfarë kohe në mbledhje ishim vetëm ne të dyja. Megjithatë, shërbimi në Peruxha, në qytezat dhe fshatrat pranë ishte fantastik dhe përpjekjet tona nisën të jepnin fryt. Pas rreth një viti, aty u transferua një vëlla që drejtonte mbledhjet. Në vitin 1957, kur ndryshuam caktim, tashmë ishte formuar një kongregacion i vogël.
Caktimi i radhës ishte në Terni, në qytet i vogël në qendër të Italisë. Po e shijonim shërbimin, sepse kishte shumë njerëz të interesuar për të vërtetën. Megjithatë, jo çdo gjë shkonte vaj. Edhe pse zyrtarisht regjimi fashist kishte marrë fund më 1943, disa autoritete donin me çdo kusht t’i pengonin Dëshmitarët e Jehovait që të përhapnin mesazhin e Biblës. Shpesh na kërkonin t’u paraqitnim leje për të predikuar derë më derë.
Nuk ishte e pazakontë që policët t’i ndiqnin Dëshmitarët e Jehovait. Ndonjëherë u humbnim nga sytë duke u futur nëpër turma, por nuk ia dilnim gjithmonë. Më ndaluan dhe më arrestuan dy herë. Herën e parë po predikoja me mbikëqyrësin qarkor. Policët na arrestuan, na çuan në rajon, na akuzuan se predikonim pa autorizim nga shteti dhe na gjobitën. Nuk pranuam ta paguanim gjobën, se tek e fundit nuk po shkelnim ndonjë ligj. Zemra po më rrihte aq fort, sa thuajse i dëgjoja pulsimet e saj. E falënderova jashtë mase Jehovain që nuk isha vetëm. Më erdhën ndër mend fjalët siguruese të Isaisë 41:13: «Mos ki frikë. Unë do të të ndihmoj.» Na liruan, dhe, kur çështja u dërgua në gjyq, gjyqtari e mbylli çështjen ngaqë nuk kishim bërë diçka të gabuar. Herën e dytë më arrestuan pas 6 muajsh. Këtë radhë isha vetëm, por sërish më shpallën të pafajshme.
Më shumë mundësi për t’i shërbyer Jehovait
Kujtoj që në vitin 1954, mezi po e prisja një kongres në Napoli në jug të Italisë. Pasi mbërrita atje, dola vullnetare për pastrimin dhe më caktuan afër podiumit. Aty më ra në sy një i ri i pashëm që shërbente si mikpritës e quhej Antonio Kapareli, një pionier nga Libia. Familja e tij ishte transferuar në Libi në fund të viteve 30.
Antonio ishte energjik dhe guximtar. Ai kishte udhëtuar me motor thellë në shkretëtirën e Libisë që t’u predikonte italianëve atje. Me raste i shkruanim letra njëri-tjetrit. Gjithsesi, në fillim të vitit 1959, Antonio u rikthye në Itali. Pasi shërbeu për disa muaj në Bethel në Romë, e caktuan si pionier special në qytetin e Viterbos, në qendër të Italisë. Ndjenjat për njëri-tjetrin u bënë më të forta ndaj u martuam më 29 shtator 1959 dhe vazhduam shërbimin në Viterbo.
Na duhej një shtëpi dhe një vend për mbledhjet. Kështu që morëm me qira një dhomë në katin e parë, që ishte si një dyqan i vogël me një banjë fare të ngushtë prapa. Vumë krevatin në një cep dhe e ndamë ambientin me një ndarëse. Kjo ishte dhoma e gjumit. Pjesa tjetër ishte ose dhomë ndenjje, ose Sallë Mbretërie, varej nga dita. Nuk ishte kollaj të jetoje aty. Të ishte për mua, nuk do të jetoja kurrë vetëm në atë shtëpi. Por isha e lumtur që isha me Antonion.
Më 1961, Antonion e caktuan të shërbente si mbikëqyrës qarkor. Megjithatë, në fillim duhej të ndiqte shkollën njëmujore për shërbëtorët e kongregacionit dhe për mbikëqyrësit. Kjo do të thoshte se unë duhej të rrija vetëm për një muaj. Më duhet ta pranoj se ndihesha keq, sidomos mbrëmjeve kur isha fillikat në dhomën tonë të vogël. Prapëseprapë ndihesha shumë e lumtur që Antonio ishte i dobishëm për Jehovain. Koha fluturoi shpejt sepse e mbusha me plot gjëra.
Vepra e qarkut nënkupton udhëtime pa fund. I kemi rënë nga Véneto, një rajon në veri të Italisë, deri në Siçili, në jug të saj. Në fillim nuk kishim makinë dhe përdornim transport publik. Një herë, pasi kishim udhëtuar në rrugët rurale gropa-gropa të Siçilisë, në stacionin e autobusit na pritën vëllezër që kishin marrë një gomar për valixhet tona. Antonio kishte veshur kostum e kollare, ndërsa unë një fustan të lezetshëm për mbledhje. Kushedi sa qesharakë mund të jemi dukur teksa ecnim me fermerët dhe gomarin që mbante valixhet dhe makinën tonë të shkrimit.
Vëllezërit ishin shumë bujarë dhe ndanin gjithçka me ne, sadopak që të kishin. Disa shtëpi nuk kishin as banjë, as ujë të rrjedhshëm. Një herë ndenjëm në një dhomë që nuk ishte përdorur prej vitesh. Gjatë natës lëviza aq shumë, saqë Antonio më zgjoi. Kur ngritëm çarçafët, ç’të shihnim! Dysheku ishte plot me insekte. Ishte mesi i natës dhe s’kishim ça të bënim. Thjesht hoqëm sa më shumë që mundëm dhe u përpoqëm të flinim.
Megjithatë, për mua nuk ishin parehatitë sfida më e madhe, por ndrojtja. Kur e vizitonim një kongregacion për herë të parë, e kisha shumë të vështirë të zija miq. Por doja me gjithë zemër t’i inkurajoja e t’i ndihmoja motrat, prandaj përpiqesha me mish e me shpirt. Me ndihmën e Jehovait, aty nga fundi i javës ndihesha gati-gati si në shtëpi. Ishte një privilegj i paçmueshëm të bashkëpunonim me vëllezërit e motrat dhe të shihnim bujarinë, besnikërinë dhe dashurinë që shfaqnin për Jehovain.
Më 1977, pasi shërbyem disa vjet në veprën qarkore e krahinore, b na ftuan në Bethelin e Romës për të ndihmuar me përgatitjen e kongresit ndërkombëtar të vitit 1978 «Besimi ngadhënjyes!» Pak muaj më vonë u bëmë pjesëtarë të familjes Bethel. Shpejt pas kësaj, Antonio u caktua në Komitetin e Degës.
Betheli ishte diçka e re për mua dhe sërish, për shkak të ndrojtjes, ndihesha disi në siklet. Mirëpo, me bekimin e Jehovait dhe me ndihmën e bethelitëve të tjerë, shpejt Betheli u bë shtëpia ime.
Sfida të reja
Vitet që pasuan, u përballëm me një sfidë të re: problemet shëndetësore. Më 1984, Antonio bëri një operacion në zemër dhe, rreth 10 vjet më vonë, problemet me shëndetin vetëm sa iu shtuan. Më pas, më 1999 mori vesh që kishte tumor malinj. Gjithmonë ka qenë njeri energjik, por nuk e fitoi dot betejën me këtë sëmundje të tmerrshme. Më pikonte në shpirt kur e shikoja të tretej ditë pas dite. I përgjërohesha me zjarr Jehovait që të më jepte forcë të mbështetja burrin tim të shtrenjtë. Lexoja shpesh Psalmet. Këto ma lehtësonin sadopak ankthin. Antonio vdiq më 18 mars 1999, pas gati 40 vitesh martesë.
Është kaq e çuditshme që mund të ndihesh fillikat edhe nëse je i rrethuar me njerëz. Bethelitët dhe miqtë që kemi njohur në qark, më kanë mbushur me dashuri dhe më kanë dhënë shumë zemër. Prapëseprapë, boshllëku që ndieja kur kthehesha mbrëmjeve në dhomën time në Bethel, ishte aq i madh, sa nuk përshkruhej dot me fjalë. Lutjet, studimi dhe koha ma shëruan plagën e zemrës. E vërteta është se kujtimet me Antonion filluan të më sillnin sërish kënaqësi. Akoma më pëlqen të reflektoj për gjërat që kemi bërë bashkë, e sigurt se ai është në kujtesën e Jehovait e se do ta takoj prapë kur të ringjallet.
Në Bethel kam pasur caktime të ndryshme. Në këtë moment po punoj në repartin e qepjes. Më pëlqen shumë të bëj diçka që i sjell dobi familjes sime të madhe këtu. Përpiqem të bëj sa mundem edhe në shërbim. S’diskutohet që nuk bëj dot sa dikur, por prapë kënaqem kur u flas të tjerëve për lajmin e mirë të Mbretërisë, një privilegj me të cilin u dashurova që kur isha e vogël. Kam qejf t’i inkurajoj të rinjtë të shërbejnë si pionierë, sepse e di sa fantastik është ky lloj shërbimi.
Kur kthej kokën pas dhe mendoj për gati 70 vitet e shërbimit në kohë të plotë, shoh sa shumë më ka ndihmuar e më ka bekuar Jehovai. Nuk më ka ikur ndrojtja, kështu që e di se pa ndihmën e Jehovait nuk do t’i bëja kurrë gjërat që kam bërë. Kam qenë në vende të largëta, kam parë e kam provuar gjëra shumë inkurajuese, si dhe kam takuar njerëz që ma kanë pasuruar jetën. Pa pikë dyshimi them se do të bëja përsëri të njëjtat zgjedhje.
a Jetëshkrimin e Piero Gatit «Dikur i frikësohesha vdekjes, tani pres ‘jetë me bollëk’» mund ta gjeni te revista Kulla e Rojës, 15 korrik 2011.
b Mbikëqyrësi krahinor u shërbente disa qarqeve që përbënin një krahinë.