Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

HESUS MARTINI | JETËSHKRIM

«Jehovai më shpëtoi në periudhën më të errët të jetës sime»

«Jehovai më shpëtoi në periudhën më të errët të jetës sime»

Kam lindur në Madrid më 1936. Për spanjollët e brezit tim, ai vit zor se harrohet. Ishte viti kur në Spanjë nisi një luftë civile e tmerrshme.

 Lufta civile, që zgjati rreth tre vjet, e shkretoi Spanjën dhe la pas vraga të thella fizike dhe emocionale te shumë njerëz. Mes tyre ishte dhe im atë. Para luftës ai besonte sinqerisht te Zoti, por u mbush me mllef kur pa se priftërinjtë katolikë u përfshinë kokë e këmbë në luftë. Ndaj vendosi që unë dhe vëllai të mos pagëzoheshim si katolikë.

Francisko Franko kishte lidhur një aleancë të fortë me Kishën Katolike

 Më 1950, dy Dëshmitarë të Jehovait na trokitën në derë. Babai i dëgjoi dhe pranoi të studionte Biblën me ta çdo javë. Në atë kohë isha vetëm 14 vjeç dhe kisha pasion futbollin. Im atë donte që unë të lexoja ndonjë nga botimet që kishin lënë Dëshmitarët, por ishte e kotë. S’doja të përfshihesha. Një pasdite, pasi isha kthyer nga një ndeshje futbolli, e pyeta mamanë: «Prapë kanë ardhur ata mësuesit e Biblës?» Ajo ma ktheu: «Po, janë me babin në dhomën e ngrënies.» Menjëherë dola me vrap nga shtëpia.

 I jam shumë mirënjohës babait, që nuk u dorëzua kurrë sado që mua s’më pëlqenin mësimet e Biblës. Në fakt, ai i mori aq shumë për zemër ato që mësonte, saqë në vitin 1953 u pagëzua si Dëshmitar i Jehovait. Kjo më ngjalli kureshtje, ndaj nisa t’i bëja shumë pyetje. Madje i kërkova një Bibël. Babai mori masa që Maksimo Mursia, një i ri Dëshmitar, të më bënte studimin e Biblës. Dy vjet më vonë, në moshën 19-vjeçare, u pagëzova si Dëshmitar i Jehovait në lumin Harama, në lindje të Madridit.

Predikimi gjatë diktaturës së Frankos

 Gjatë viteve 50, predikimi dhe mbledhjet ishin sfidë. Spanja ishte nën diktaturën e Francisko Frankos, i cili donte që çdo spanjoll të ishte katolik. Për pasojë, policia shpesh i përndiqte Dëshmitarët e Jehovait. Mbledhjet i mbanim në shtëpitë e vëllezërve dhe bënim jashtë mase kujdes të mos ngjallnim dyshime te fqinjët, sepse mund të na raportonin në polici. Merrnim pjesë edhe në veprën shtëpi më shtëpi pa rënë në sy. Trokitnim në dy a tri dyer dhe pastaj iknim me të shpejtë në një lagje tjetër. Shumë e dëgjonin mesazhin, por jo të gjithë reagonin mirë.

Vëllai F. Franc duke folur në një prej kongreseve tona të mbajtura në fshehtësi

 Më kujtohet se në një derë rastisi një prift katolik. Kur i shpjegova arsyen e vizitës, më pyeti: «Me ç’të drejtë e bën këtë? E di që mund të të raportoj në polici?» I thashë se s’më habiste një gjë e tillë. Pastaj shtova: «Armiqtë u përpoqën ta arrestonin Jezu Krishtin. A s’është e logjikshme që edhe dishepujve të tij t’u ndodhë po njëlloj?» Aspak i kënaqur nga përgjigjja, prifti hyri brenda që të telefonte policinë. S’do mend që unë ia mbatha me të katra.

 Pavarësisht nga këto përvoja negative, ata pak qindra lajmëtarë në gjithë Spanjën gjetën plot njerëz të interesuar për të vërtetën. Në shkurt 1956, kur isha vetëm 19 vjeç, mora caktimin si pionier special. a Shumë nga ne pionierët ishim të rinj e të papërvojë, por ata pak misionarë që shërbenin në vend, na dhanë stërvitjen dhe inkurajimin që na nevojitej. Bashkë me një pionier tjetër të ri në moshë, u caktuam të shërbenim në Alikante, një qytet ku vepra e predikimit s’kishte filluar ende. Brenda disa muajve nisëm të studionim Biblën me shumë veta dhe shpërndamë qindra botime.

 Natyrisht, aktiviteti ynë nuk kaloi pa u vënë re. Pasi s’kishim shumë që po shërbenim në Alikante, policia na arrestoi dhe na konfiskoi Biblat. Na mbajtën në burg për 33 ditë. Më pas na çuan në Madrid dhe aty na liruan. Ajo periudhë e shkurtër në burg s’ishte asgjë para asaj që më priste.

Periudha më e errët e jetës sime

 Në moshën 21-vjeçare më erdhi fletëthirrja për ushtar. Duhej të paraqitesha në kazermat e ushtrisë në Nador, një qytet që në atë kohë ishte pjesë e protektoratit spanjoll në veri të Marokut. Përpara kryetogerit, me respekt e bëra të qartë qëndrimin tim se nuk pranoja të shërbeja në ushtri e as të vishja uniformë ushtarake. Policia ushtarake më çoi në burgun e Rostrogordos, në Melilë, në pritje të gjyqit ushtarak.

Burgu i Rostrogordos, në Melilë

 Përpara gjyqit, komandanti ushtarak spanjoll në Marok, dha urdhër të më rrihnin që të vija në vete. Për pasojë, më shanë, më rrahën me kamxhik për 20 minuta dhe më gjuajtën me shqelma derisa rashë në tokë pa ndjenja. Por, meqë kjo s’i mjaftoi kryeoficerit të burgut, ai nisi të më shtypte kokën me këpucën ushtarake që mbante veshur derisa më rrodhi gjak. Më pas më çuan në zyrën e tij, ku më ulëriti: «Mos mendo se mbarova punë me ty. Bëhu gati, se ditët në vazhdim të pret edhe më shumë se kaq!» Pastaj u dha urdhër rojave të më futnin në një birucë të nëndheshme. Biruca ishte pa dritë e me lagështirë, dhe e ardhmja më dukej edhe më e zymtë.

 Ende e kujtoj atë çast kur u shtriva në dysheme dhe nga koka vazhdonte të më rridhte gjak. Kisha veç një batanije të hollë për t’u mbuluar dhe herë pas here shihja minj që endeshin sa andej-këtej. E vetmja gjë që mund të bëja, ishte t’i lutesha Jehovait të më jepte forcë të duroja. Në atë birucë të errët e të ftohtë iu luta pa pushim Jehovait. b

 Të nesërmen më rrahën përsëri, por këtë herë ishte një oficer tjetër. Kryeoficeri i burgut vëzhgonte gjithë kohës që të sigurohej se po më zhdëpnin në dru siç i donte qejfi atij. E pranoj se në atë pikë fillova të dyshoja nëse do të isha në gjendje ta duroja këtë trajtim edhe shumë gjatë. Atë natë në birucë iu përgjërova Jehovait të më ndihmonte.

 Ditën e tretë më çuan përsëri në zyrën e kryeoficerit. Druhesha për më të keqen. Ndërsa hidhja hapat për te zyra, i lutesha Jehovait. Aty po më priste Don Estebani, c gjykatësi i gjykatës ushtarake. Kishte ardhur për të filluar seancën gjyqësore.

 Kur pa që kokën e kisha të lidhur me fashë, më pyeti se ç’kishte ndodhur. Ngurroja të hapja gojën nga frika se mos më rrihnin, por në fund i thashë të vërtetën. Me të dëgjuar hollësitë, Don Estebani tha: «Nuk bëj dot gjë që të shpëtosh nga gjyqi, ama të garantoj se askush s’ka për të vënë më dorë mbi ty.»

 Dhe vërtet, gjatë gjithë pjesës tjetër në burg, askush s’më preku më me dorë. Kurrë s’e mora vesh pse gjykatësi zgjodhi pikërisht atë ditë për të folur me mua. Por di me siguri se Jehovai iu përgjigj lutjeve të mia në një mënyrë të jashtëzakonshme. Pashë si më shpëtoi në periudhën më të errët të jetës sime dhe nuk lejoi të më përndiqnin përtej asaj që mund të mbaja. (1 Korintasve 10:13) E përballova gjyqin ushtarak me besim të plotë te Jehovai.

Në burgun e Okanjas

 Më dënuan me 19 vite burg, të cilave iu shtuan edhe tri vite të tjera për «mosbindje». Pas gati 15 muajsh në Marok, më çuan në burgun e Okanjas, jo shumë larg Madridit, që të vuaja pjesën tjetër të dënimit. Transferimi në Okanja ishte bekim nga Jehovai. Më dukej parajsë krahasuar me Rostrogordon. Në qeli kisha krevat, dyshek dhe çarçafë. Kaloi ca dhe më caktuan si llogaritar të burgut. Por, pas një kohe të gjatë në burg, nisa të ndihesha i vetmuar. Një nga gjërat më të vështira ishte të mos shoqërohesha me vëllezërit e mi në besim.

 Prindërit më vizitonin herë pas here, por kisha nevojë për më shumë inkurajim. Ata më tregonin se edhe vëllezër të tjerë kishin refuzuar shërbimin ushtarak. Ndaj i lutesha Jehovait e i kërkoja të sillte të paktën një vëlla në burgun ku isha unë. Përsëri, Jehovai iu përgjigj lutjeve të mia të zjarrta. Madje më dha më shumë se ç’i kisha kërkuar. Në burgun e Okanjas sollën tre vëllezër të shkëlqyer: Alberto Kontijokun, Francisko Diazin dhe Antonio Sançezin. Pas katër vjetësh vetmi, sa u gëzova që tani isha në shoqërinë e vëllezërve të mi. Të katër studionim së bashku dhe u predikonim të burgosurve të tjerë.

Lirohem nga burgu dhe rifilloj veprën

 Më në fund, më 1964, më dhanë liri me kusht. Dënimi prej 22 vjetësh u reduktua në 6 vjet e gjysmë. Po atë ditë që dola nga burgu, ndoqa mbledhjen time të parë. Edhe pse harxhova gjithë kursimet për të paguar taksinë për në Madrid, ia vlejti sepse arrita në kohë për mbledhjen. Ç’bekim ishte të gjendesha përsëri mes vëllezërve! Por s’doja vetëm të shoqërohesha me vëllezërit, doja të rifilloja edhe shërbimin e pionierit pa humbur kohë. Edhe pse ndonjëherë policia s’na linte rehat, njerëzit reagonin pozitivisht ndaj lajmit të mirë. Ndaj kishte shumë punë për të bërë.

 Gjatë kësaj kohe takova Mersedesin, një motër të re dhe të zellshme që shërbente si pioniere speciale. Ajo ishte e përulur dhe e gatshme t’i predikonte kujtdo. Ishte edhe bujare e zemërmirë, cilësi që më bënë për vete. Ramë në dashuri dhe një vit më vonë u martuam. Për mua ka qenë vërtet bekim ta kisha përkrah Mersedesin.

Me Mersedesin pak pas martesës

 Ca muaj pas martesës na ftuan të shërbenim në veprën udhëtuese. Duke vizituar kongregacione të ndryshme çdo javë, patëm mundësi të shoqëroheshim me vëllezërit në mbledhje dhe në veprën e predikimit. Kudo nëpër Spanjë po formoheshin kongregacione të reja dhe vëllezërit kishin nevojë për ndihmë e inkurajim. Për pak kohë pata edhe privilegjin të ndihmoja si vullnetar i jashtëm në zyrën e Dëshmitarëve të Jehovait në Barcelonë që vepronte në fshehtësi.

 Aktivitetit tonë në fshehtësi i erdhi fundi në vitin 1967, kur qeveria miratoi një ligj që u garantonte lirinë e fesë të gjithë shtetasve spanjollë. Më në fund, më 1970, Dëshmitarët e Jehovait u njohën ligjërisht. Tashmë mund të mblidheshim lirshëm, të kishim Salla Mbretërie e madje të hapnim zyrtarisht një zyrë dege.

Caktime të reja teokratike

 Në 1971-shin, bashkë me Mersedesin na ftuan të shërbenim në kohë të plotë në zyrën e re të degës në Barcelonë. Por një vit më vonë, Mersedesi mbeti shtatzënë dhe kështu lindi Abigaila, vajza jonë e bukur. Kjo do të thoshte se duhej ta ndërpritnim shërbimin në Bethel dhe të nisnim caktimin e ri për të rritur vajzën tonë.

 Kur Abigaila ishte në moshën e adoleshencës, zyra e degës na pyeti nëse mund të fillonim përsëri në veprën udhëtuese. Pa dyshim që u lutëm për këtë dhe folëm me vëllezër të pjekur. Një plak më tha: «Hesus, nëse ka nevojë për ty në fushë, duhet të thuash po.» Kështu nisi një tjetër periudhë emocionuese në jetën tonë. Si fillim vizituam kongregacione që ishin afër zonës sonë, që të mund të kujdeseshim për Abigailën. Me kalimin e kohës ajo u rrit dhe u bë e zonja e vetes. Kjo na lejoi ta zgjeronim shërbimin special në kohë të plotë.

 Unë dhe Mersedesi shërbyem 23 vjet në veprën udhëtuese. E kam shijuar jashtë mase këtë privilegj, që më dha mundësi ta përdorja përvojën time për të inkurajuar më të rinjtë. Gjatë kohës që shërbeva si instruktor për pleqtë dhe ungjillëzuesit në kohë të plotë, qëndruam në Bethelin e Madridit. Është interesante që rreth tre kilometra larg Bethelit rrjedh lumi Harama, aty ku u pagëzova në 1955-n. Në atë kohë s’do të më kishte shkuar kurrë në mendje se disa dekada më vonë do të rikthehesha në të njëjtën zonë për të përgatitur motra e vëllezër të rinj të merrnin më shumë përgjegjësi në shërbimin e Jehovait.

Duke dhënë mësim në një shkollë teokratike

 Që nga viti 2013 po shërbejmë si pionierë specialë. Duhet ta pranoj se nuk ishte e lehtë të përshtateshim me jetën si pionierë pas veprës udhëtuese, por kjo ishte gjëja e duhur. Kohët e fundit kam pasur probleme shëndetësore, përfshirë edhe një operacion të vështirë në zemër. Në këtë periudhë më është dashur të mbështetem te Jehovai, dhe si gjithmonë, ai s’më ka lënë kurrë në baltë. Për 56 vjet kam pasur krah edhe gruan time Mersedesin, që më ka mbështetur me besnikëri në të gjitha caktimet teokratike.

 Shpesh më kujtohet koha kur shërbeja si instruktor. Ende i kam të ngulitura në mendje fytyrat e studentëve të rinj që shndritnin nga entuziazmi. Teksa i sjell ndër mend, më kujtohet vetja ime si i ri që vloja nga dëshira për të nisur një jetë në shërbimin e Jehovait. Është e vërtetë se kam pasur periudha të vështira, por kam përjetuar edhe plot gjëra të mrekullueshme. Edhe nga sprovat më të rënda kam nxjerrë mësime. Më i rëndësishmi nga të gjitha është ky: kurrë të mos mbështetem te forcat e mia. Në sprova kam parë gjithmonë dorën e fuqishme të Jehovait, që më ka dhënë forcë edhe në periudhën më të errët të jetës sime.—Filipianëve 4:13.

Mersedesi dhe unë vazhdojmë të shërbejmë në kohë të plotë

a Një pionier special është një shërbëtor në kohë të plotë që del vullnetar për të shkuar aty ku e cakton zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait, sepse ka nevojë për mësues të Biblës.

b Ajo birucë e zbrazët, katër metra katrorë dhe pa tualet, ishte shtëpia ime për shtatë muaj. Fjeta vetëm me një batanije në dyshemenë e pashtruar.

c «Don» është një titull që tregon respekt në vendet spanjishtfolëse dhe vihet përpara emrit.