Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MILTIADIS STAVRO | JETËSHKRIM

«Kemi përjetuar kujdesin dhe drejtimin e Jehovait»

«Kemi përjetuar kujdesin dhe drejtimin e Jehovait»

Kur isha aty te 13 vjeç, si shumica e moshatarëve të mi, më pëlqente të shihja makinat e pakta që kalonin në rrugën time në Tripoli, Liban. Sidomos njëra ishte yll fare—makinë e kuqe amerikane që e kishte një zotëri sirian. Mund ta merrni me mend sa u habita kur prifti vendës i Kishës Ortodokse na tha t’i qëllonim me gurë makinës, meqë e kishte një Dëshmitar i Jehovait.

 I thamë priftit se mund të plagosnim shoferin, por ai na e ktheu: «Vriteni! Pastaj, me petkun tim pastroni gjakun e tij nga duart tuaja.» Edhe pse krenohesha jashtë mase me prejardhjen time ortodokse greke, fjalët e tij gjithë zemërim më nxitën më vonë të hiqja dorë nga kisha. Kur kthej kokën pas, e kuptoj se ajo situatë më ndihmoi të mësoja të vërtetën për Jehovain.

Mësoj të vërtetën për Jehovain

 Ndërsa rritesha, qyteti-port i Tripolit gumëzhinte nga njerëz të kulturave, gjuhëve dhe besimeve të ndryshme. Çdo familje ndihej krenare për origjinën e vet, po njësoj edhe imja. Bashkë me vëllezërit e mëdhenj bënim pjesë te grupi që quhej Ushtarë të Besimit, a të cilët ishin kundër Dëshmitarëve të Jehovait. Nuk kishim takuar asnjë Dëshmitar, por prifti thoshte se ishin bandë kundër Kishës Ortodokse Greke dhe se kapoja i tyre ishte një burrë me emrin Jehova. Prifti na thoshte vazhdimisht se duhej t’i sulmonim Dëshmitarët kurdo që t’i takonim.

 Nuk e dija, por ndërkohë tre nga vëllezërit e mi më të mëdhenj i kishin takuar Dëshmitarët e Jehovait. Mirëpo, në vend që t’i sulmonin, ata kishin rënë dakord të studionin Biblën me Dëshmitarët, që t’u provonin sa gabim e kishin. Kur u ktheva në shtëpi një mbrëmje, dhoma e ndenjjes ishte plot me Dëshmitarë që flitnin për Biblën me familjen time dhe me disa komshinj. M’u ngritën nervat! Si ishte e mundur që vëllezërit e mi po tradhtonin fenë ortodokse?! Isha gati duke dalë kur një fqinj, një dentist i njohur dhe Dëshmitar, më tha të ulesha e të dëgjoja. Një mik i familjes po lexonte me zë të lartë Psalmin 83:18 nga Bibla ime. Në atë moment kuptova se prifti na kishte thënë gënjeshtra. Jehovai nuk ishte kapo bande—ai ishte i vetmi Perëndi i vërtetë!

Pak pas pagëzimit

 Doja të mësoja më shumë për Jehovain, ndaj nisa të merrja pjesë edhe unë gjatë studimit të Biblës në shtëpinë tonë. Vëllai që na ndihmoi të studionim Biblën, ishte Mishel Abudi. Një ditë, një shok që ishte aty, i bëri një pyetje për të cilën kisha qenë kureshtar që kur isha fare i vogël. Ai e pyeti: «Na thuaj, kush e krijoi Zotin?» Vëlla Abudi na e drejtoi vëmendjen te një mace që ishte në divan. Ai shpjegoi se macet nuk janë në gjendje të kuptojnë fjalët dhe mendimet e njerëzve. Po njësoj, edhe ne nuk i kuptojmë dot të gjitha për Perëndinë. Ai ilustrim i thjeshtë më ndihmoi të kuptoja arsyen pse nuk arrija dot t’i kuptoja plotësisht disa gjëra për Jehovain. S’kaloi shumë dhe ia kushtova jetën Perëndisë Jehova dhe u pagëzova në vitin 1946 kur isha 15 vjeç.

Shërbimi si pionier i jep qëllim jetës sime

 Në vitin 1948 fillova të punoja me vëllanë tim, Hanin, që kishte një studio fotografish. Studioja e tij ndodhej afër dyqanit të vëlla Negib Salemit, b i cili pikturonte objekte të ndryshme. Negibi mbeti ungjillëzues sypatrembur deri në moshën 100-vjeçare, kur vdiq. Kur shkonim bashkë të predikonim nëpër fshatra, e dalloja sa i guximshëm ishte, edhe pse na kundërshtonin. Përveç kësaj, mund të hapte biseda për Biblën me këdo, pavarësisht nga feja e tyre. Zelli i tij i pashoq ndikoi tej mase tek unë.

Negib Salemi (rreshti prapa, djathtas) ndikoi jashtë mase tek unë

 Një ditë, kur isha në punë, erdhi për vizitë motër Meri Shajah, një motër libaneze që jetonte në Shtetet e Bashkuara. Përveçse ishte një mama shumë e zënë, ishte edhe pioniere e zellshme. Vizita e saj ishte pikë kthese në jetën time. Meri ndenji me ne mbi 2 orë, duke na treguar eksperienca nga shërbimi. Para se të largohej, u drejtua nga unë dhe më tha: «Milto, meqë je beqar, pse nuk shërben si pionier?» I thashë se nuk mundesha ngaqë duhej të punoja për të jetuar. Pastaj ajo më pyeti: «Sa kohë ndenja me ju këtë mëngjes?» Ia ktheva: «Rreth 2 orë.» Meri më tha: «Sikur nuk u more edhe aq me punën gjatë kësaj kohe. Nëse predikon çdo ditë pak a shumë kaq orë, mund të jesh pionier. Provoje një herë për 1 vit, pastaj vendos nëse do të vazhdosh apo jo.»

 Edhe pse burrat në kulturën e vendit tim s’para i vënë veshin menjëherë këshillës së një gruaje, sugjerimi i saj m’u duk i arsyeshëm. Pas 2 muajsh, në janar 1952, fillova të shërbeja si pionier. Dhe, pas rreth 18 muajsh, mora një ftesë për të ndjekur klasën e 22-të të Shkollës së Galadit.

Familjarë dhe miq duke më përcjellë për në Shkollën e Galadit më 1953

 Pas diplomimit, më caktuan në Lindjen e Mesme. Brenda vitit pasues u martova me Doris Udin, një misionare të qeshur nga Anglia, e cila po ashtu po shërbente në Lindjen e Mesme.

Predikojmë të vërtetat e Biblës në Siri

 Pak pas martesës na caktuan në Haleb (Alepo), Siri. Meqë vepra jonë e predikimit ishte nën ndalim, shumicën e atyre me të cilët studiuam Biblën, i takonim nëpërmjet të njohurve.

 Një ditë vizituam një zonjë që kishte treguar interes për Biblën. E hapi derën gjithë frikë dhe na tha: «Bëni kujdes! Sapo ikën policët, të cilët donin informacione se ku jetoni.» Ishte e qartë se policia sekrete e dinte që studionim Biblën me të tjerët. U telefonuam vëllezërve që mbikëqyrnin veprën në Lindjen e Mesme dhe na sugjeruan të largoheshim nga vendi sa më shpejt të ishte e mundur. Edhe pse na therte zemra që do të linim pas studentët e Biblës, ndiem mbrojtjen e dashur të Jehovait.

Provojmë drejtimin e Jehovait në Irak

 Në vitin 1955 na caktuan në Bagdad, Irak. Megjithëse atje mund t’i predikonim me maturi çdo njeriu, u përqendruam kryesisht tek ata që kishin prejardhje të krishterë.

Në Irak me misionarë të tjerë

 U përpoqëm të bënim biseda miqësore edhe me myslimanët, në tregje ose rrugë. Dorisi shpesh thoshte diçka që u pëlqente njerëzve, si për shembull: «Im atë thoshte se të gjithë do t’i japim llogari Krijuesit për veprimet tona.» (Romakëve 14:12) Pastaj shtonte: «Ky mendim më ka ndihmuar gjatë tërë jetës. Po ju, si mendoni për këtë?»

 Jemi kënaqur duke shërbyer në Bagdad për gati 3 vjet, duke ndihmuar vëllezërit vendës të organizonin me maturi veprën e predikimit. Mbledhjet në gjuhën arabe i mbanim në shtëpinë tonë misionare. Ç’gëzim ishte të mirëpritnim njerëz të sinqertë nga komuniteti asirian, një grup etnik i përbërë kryesisht nga persona që thoshin se ishin të krishterë. Kur panë me sytë e tyre dashurinë dhe unitetin në mbledhjet tona, atëherë e kuptuan se ishim dishepuj të vërtetë të Jezuit.—Gjoni 13:35.

Mbledhjet i mbanim në shtëpinë tonë misionare në Bagdad

 Mes atyre që iu përgjigjën pozitivisht mesazhit tonë të paqes, ishte Nikolas Azizi, një kryefamiljar i butë dhe i përulur, me origjinë armene dhe asiriane. Ai dhe bashkëshortja, Helena, e pranuan menjëherë mësimin e Biblës se Jehovai dhe i Biri, Jezui, janë dy persona të ndryshëm. (1 Korintasve 8:5, 6) E kujtoj akoma ditën kur Nikolasi dhe 20 të tjerë u pagëzuan në lumin Eufrat.

Ndiejmë dorën e Jehovait në Iran

Më 1958 në Iran

 Pak kohë pas grushtit të shtetit në Irak që çoi në vdekjen e mbretit Faisal II më 14 korrik 1958, na dëbuan në Iran. Për rreth 6 muaj vazhduam shërbimin mes të huajve pa rënë në sy.

 Pikërisht kur do të largoheshim nga Teherani, kryeqyteti i Iranit, më çuan në rajonin e policisë për të më marrë në pyetje. Aty e kuptova se policia po na vëzhgonte. Pasi më morën në pyetje, kontaktova me Dorisin dhe i thashë se policia na kishte nën vëzhgim. Që të mbronim njëri-tjetrin, ramë dakord që unë të mos kthehesha në shtëpi dhe të mos rrinim bashkë derisa të largoheshim nga vendi.

 Dorisi gjeti një vend të sigurt për të ndenjur derisa të takoheshim në aeroport. Mirëpo, si të shkonte gjer atje pa u diktuar? Ajo iu lut Jehovait për situatën.

 Sa hap e mbyll sytë nisi një shi me gjyma dhe nëpër rrugë s’kishte më këmbë njeriu, as policë. Tani Dorisi mund të lëvizte rehat. Ajo thotë: «Ai shi i rrëmbyer ishte vërtet një mrekulli!»

 Pasi u larguam nga Irani, na caktuan në një territor tjetër ku u predikuam njerëzve nga etni e prejardhje të ndryshme. Nga viti 1961 shërbyem në veprën qarkore dhe vizituam bashkëbesimtarët në pjesë të ndryshme të Lindjes së Mesme.

Shohim fuqinë e frymës së shenjtë të Jehovait

 Ndërsa shërbenim në Lindjen e Mesme, kisha mundësi të pafunda të shihja se si i bashkon njerëzit fryma e Jehovait. Akoma kujtoj bisedat e gjalla me dy palestinezë që studionin Biblën me mua, Edi dhe Nikolasi. Të dy erdhën në mbledhje, por e ndërprenë shumë shpejt studimin e Biblës, për shkak të bindjeve të forta politike. Iu luta Jehovait që t’u hapte zemrën. Kur kuptuan se Zoti do të zgjidhte problemet, jo vetëm për palestinezët, por për të gjithë njerëzimin, filluan ta studionin sërish Biblën. (Isaia 2:4) Nuk mendonin më se kombi i tyre ishte më i mirë se të tjerët dhe u pagëzuan. Më vonë, Nikolasi u bë një mbikëqyrës qarkor shumë i zellshëm.

 Teksa udhëtonim nga vendi në vend, bashkë me Dorisin mbeteshim pa fjalë nga besnikëria e vëllezërve, që kishin rrethana nga më të ndryshmet. Ngaqë duhej të përballonin situata tejet të vështira, vura synim t’u jepja zemër gjatë vizitave si mbikëqyrës qarkor. (Romakëve 1:11, 12) Që të arrija këtë synim, gjithmonë përpiqesha t’i kujtoja vetes se nuk isha më i mirë se ata. (1 Korintasve 9:22) Jam kënaqur jashtë mase duke u dhënë vëllezërve e motrave inkurajimin e nevojshëm.

 Ka qenë kaq emocionuese të shihje shumë veta që studiuan Biblën me ne, të bëheshin shërbëtorë besnikë të Jehovait. Disa ikën nëpër vende të tjera me familjet që t’u shpëtonin konflikteve të armatosura në vendin e tyre. Por janë bërë bekim për ata që shërbejnë në fushën e gjuhës arabe në Australi, Kanada, Evropë dhe Shtetet e Bashkuara. Vitet e fundit, disa nga djemtë e tyre, tashmë të rritur, janë kthyer në Lindjen e Mesme, që të shërbejnë ku ka më tepër nevojë për ungjillëzues të guximshëm. Për mua dhe Dorisin është një kënaqësi që nuk e shprehim dot me fjalë të jetojmë mes kaq shumë vëllezërve e motrave që janë si fëmijët, mbesat e nipat tanë!

Të vendosur të mbështetemi përgjithmonë te Jehovai

 Gjatë gjithë jetës kemi përjetuar kujdesin dhe drejtimin e Jehovait në sa e sa mënyra. I jam kaq mirënjohës që më ka ndihmuar të hiqja paragjykimet dhe krenarinë kombëtare që kisha zhvilluar që fëmijë. Stërvitja nga vëllezër të guximshëm dhe të paanshëm, më ka përgatitur t’u flas për të vërtetat e Biblës personave me prejardhje të ndryshme. Ndërsa udhëtonim nga njëri vend në tjetrin, bashkë me Dorisin kemi hasur mjaft vështirësi dhe të papritura. Mirëpo, nëpërmjet tyre mësuam ta linim veten plotësisht në duart e Perëndisë Jehova e të mos mbështeteshim aspak te vetja.—Psalmi 16:8.

 Kur mendoj për dekadat që i kam shërbyer Jehovait, kuptoj se i detyrohem jashtë mase Atit tim qiellor. Jam dakord me Dorisin tim të shtrenjtë, që shpesh thotë se asgjë nuk duhet të na pengojë t’i përkushtohemi vetëm Jehovait, as edhe kërcënimi me vdekje! Gjithmonë do t’i jemi mirënjohës Jehovait që na dha privilegjin t’u jepnim një mesazh paqeje njerëzve në Lindjen e Mesme. (Psalmi 46:8, 9) Plot besim presim të ardhmen, duke ditur se Jehovai i drejton dhe i mbron gjithnjë ata që mbështeten tek Ai.—Isaia 26:3.

a Për më shumë informacion për këtë grup, shih Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait 1980, faqet 186-188, anglisht.

b Jetëshkrimi i Negib Salemit është botuar në Kullën e Rojës, 1 shtator 2001, faqet 22-26.