Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

NGA ARKIVAT TANË

I shërbyen Jehovait pavarësisht nga vështirësitë ekonomike

I shërbyen Jehovait pavarësisht nga vështirësitë ekonomike

 Në mjaft vende, rritja e kostos së jetesës po krijon vështirësi për shumë njerëz, e kjo vlen edhe për Dëshmitarët e Jehovait. Por, në vend që t’i mbytë ankthi, Dëshmitarët marrin zemër ngaqë e dinë se Jehovai ‘kurrsesi nuk do t’i braktisë’ shërbëtorët e tij. (Hebrenjve 13:5) Koha ka treguar se Jehovai e ka mbajtur gjithmonë këtë premtim. Kështu ka bërë në Filipine, ku shumë njerëz jetojnë ende në varfëri dhe ku vitet 70 dhe 80 kanë qenë veçanërisht të vështira.

 Një motër që quhet Viki a kujton: «Ndonjëherë qaja ngaqë nuk kisha çfarë të haja. Kishte raste kur s’kisha gjë tjetër përveçse oriz, kripë dhe ujë.» Ndërsa një vëlla që quhet Florensio nuk gjente dot punë. Ai tregon: «Kisha vetëm 3 këmisha dhe 3 palë pantallona që i vishja me radhë për mbledhje dhe asamble.» Si e përballuan shërbëtorët e Jehovait këtë periudhë? Çfarë i ndihmoi të vazhdonin t’i shërbenin me besnikëri? Dhe si na ndihmon shembulli i tyre ndërsa përballemi me pasiguritë e jetës?

Ata u mbështetën me besim te Jehovai

 Dëshmitarët në Filipine ishin të bindur se Jehovai do të kujdesej për ta gjatë asaj periudhe të vështirë. (Hebrenjve 13:6) Dhe shpesh Ai e bëri këtë në mënyra që s’ua priste mendja. Për shembull, një motër që quhet Sesil kujton: «Pasi gatuam edhe grushtin e fundit të orizit për mëngjes, familja jonë prej 4 vetash nuk kishte më asgjë për të ngrënë. Prandaj iu lutëm Jehovait të na plotësonte nevojat për atë ditë. Ndërsa ishim ende duke ngrënë, një vëlla na solli 5 kile oriz. Na u mbushën sytë me lot nga mirënjohja e gëzimi për këtë bekim të Jehovait. Ndër vite, kemi pasur sa e sa raste të tilla.»

 Përveç kësaj, shërbëtorët e Perëndisë zbatuan edhe këshillat e mençura të Biblës. (Proverbat 2:6, 7) Për shembull, Arselita, një motër e sapopagëzuar që në atë kohë ishte beqare dhe mezi e siguronte bukën e gojës, ia zbrazi zemrën Jehovait. Pastaj mendoi për Proverbat 10:4, që thotë: «Duart dembele të varfërojnë, kurse duart e palodhura të pasurojnë.» Në përputhje me këto fjalë, ajo vendosi të mbillte tokën. «Jehovai i bekoi shumë përpjekjet e mia,—thotë ajo.—Në fakt, arrita të merrja aq prodhim sa të ushqeja veten dhe të mbuloja shpenzimet e transportit.»

Nuk i lanë pas dore mbledhjet

 Vëllezërit nuk kishin para për të blerë tokë e për të ndërtuar Salla Mbretërie. Por kjo nuk i pengoi t’i bindeshin urdhrit për t’u mbledhur së bashku e për t’i dhënë zemër njëri-tjetrit. (Hebrenjve 10:24, 25) Ata thjesht u përshtatën. Ja çfarë sjell ndër mend një motër që quhet Debora: «Ishim rreth 6 veta që i mbanim mbledhjet në një kasolle të vogël që e kishim ndërtuar unë dhe shoqja ime e shërbimit. Përdorëm gjethe e degë të palmave të ndryshme për çatinë dhe muret, kurse trungjet e tyre si ndenjëse.»

 Megjithatë, në shumicën e rasteve, mbledhjet e kongregacionit i mbanin në shtëpitë e vëllezërve. Një motër që quhet Virxhinia tregon: «Banonim në një shtëpi të vogël prej kashte e bambuje. Çdo të shtunë duhej të lëviznim mobiliet që të krijonim hapësirë për mbledhjen e së nesërmes.» Në një shtëpi tjetër, pikonte çatia. «Kur binte shi,—kujton një vëlla që quhet Noel,—përdornim kova për të mbledhur ujin. Megjithatë, nuk i kishim fare problem këto parehati, sepse gëzonim që ishim mbledhur bashkë me motrat e vëllezërit për të adhuruar Jehovain.»

E ruajtën zellin për shërbimin

 Fakti që s’kishin shumë nga ana materiale, nuk ua zbehu vëllezërve zellin për shërbimin. Lindina, që jeton në ishullin e Negros, kujton: «Ngaqë ishim familje e madhe dhe babai ishte i vetmi që punonte, nuk i kishim gjithmonë paratë për transport. Prandaj shpesh shkonim më këmbë deri në territor. Por kënaqeshim, sepse ishim të gjithë bashkë. Gjithashtu e dinim se përpjekjet tona e kënaqnin Jehovain.»

Vështirësitë nuk i penguan Dëshmitarët të predikonin

 Një nga sfidat më të mëdha ishte predikimi në territoret e largëta të zonave malore, sepse kishte pak mjete transporti e ndonjëherë nuk kishte fare. Estera, e cila jeton në ishullin e Lusonit, tregon: «Grupi ynë me 6 deri në 12 Dëshmitarë nisej herët në mëngjes, sepse duhej të ecnim më këmbë për kilometra të tërë. E kalonim gjithë ditën në predikim. Ushqimin e merrnim me vete dhe e hanim poshtë hijeve të pemëve. Disa nga vëllezërit e motrat nuk kishin asgjë për të ngrënë, por prapëseprapë vinin. Ne u thoshim: ‘Mos kini merak. Kemi ushqim mjaftueshëm për të gjithë.’»

 Jehovai e ka bekuar jashtë mase qëndrimin e tyre vetëmohues. Për shembull, në vitin 1970, kishte 54.789 lajmëtarë në Filipine. Në vitin 1989, numri ishte rritur gati dyfish dhe ishin bërë 102.487 lajmëtarë. Më 2023, numri i lajmëtarëve të Mbretërisë në Filipine arriti shifrën 253.876.

«Varfëria nuk na pengoi ta donim Jehovain»

 Pavarësisht nga vështirësitë e mëdha ekonomike, Dëshmitarët ishin të lumtur e të zhytur kokë e këmbë në shërbim. Një vëlla që quhet Antonio pohon: «Varfëria nuk na pengoi ta donim Jehovain.» Motra Fe Abad komenton: «Kur unë dhe burri patëm probleme ekonomike, u lidhëm fort pas Jehovait dhe përjetuam gëzimin që vjen kur bën një jetë të thjeshtë. Kështu edhe fëmijët tanë mësuan të kishin besim te Jehovai.»

 Lusila, e cila jeton në ishullin Samar, thotë: «Të jesh i varfër nuk është problem kur i shërbejmë Jehovait.» Ajo shton: «Kur e vëmë Perëndinë në vend të parë, do të jemi të kënaqur dhe do të ruajmë optimizmin. Shumë nga ata me të cilët kam studiuar, kanë njohur Jehovain, kanë nisur edhe ata shërbimin e pionierit, dhe kjo më ka sjellë jashtë mase gëzim.»

 Meqë na presin kohë të vështira, le t’i ngulitim në mendje fjalët e Rodolfos, një i moshuar i cili shkroi: «Vitet 70 dhe 80 ishin jashtëzakonisht të vështira, prapëseprapë e kam ndier dorën e Jehovait në jetën time. Vërtet kisha shumë pak para, ama nuk ndihesha i mjerë, ngaqë Jehovai u kujdes më së miri për mua. Kam bërë jetën më të mirë sot dhe mezi pres ‘jetën e vërtetë’ në Parajsën që po vjen.»—1 Timoteut 6:19.

a Disa emra janë ndryshuar.