Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

NGA ARKIVAT TANË

Një organizatë kulturore që mësoi të vërtetën e Biblës

Një organizatë kulturore që mësoi të vërtetën e Biblës

 Studentët Ndërkombëtarë të Biblës, të njohur më vonë si Dëshmitarë të Jehovait, filluan t’i predikonin në mënyrë të organizuar popullit mikpritës të Meksikës në vitin 1917. Në dekadat vijuese, qindra njerëz të sinqertë përqafuan adhurimin e vërtetë. Gjithsesi, gjatë Luftës II Botërore, qeveria e Meksikës vendosi disa kufizime për vendet dhe ndërtesat ku predikonim dhe ku mbanim mbledhjet.

 Në atë kohë, ligji meksikan thoshte se të gjitha aktivitetet e adhurimit publik duheshin mbajtur në ndërtesa që ishin në pronësi të qeverisë. Ky ishte një problem për ne, sepse kongreset i mbanim në ambiente publike, mbledhjet javore shpesh i mbanim nëpër shtëpitë e vëllezërve dhe predikimin e bënim nëpër rrugë e nga shtëpia në shtëpi.

 Që t’i bindeshim ligjit, më 1943 u regjistruam si organizatë jofitimprurëse civile dhe kulturore, që nxiste arsimimin për t’u përmirësuar jetën njerëzve. Kjo na siguroi disa të drejta si organizatë kulturore dhe jo fetare. Prandaj nuk ishim më të detyruar t’i zhvillonim aktivitetet tona në ndërtesa që ishin në pronësi të qeverisë.

 Aktivitetet tona përfshinin programe me natyrë kulturore dhe arsimore, kështu që po i përmbushnim plotësisht detyrimet ligjore që kërkonte qeveria nga organizatat civile e kulturore. (Romakëve 13:1) Sigurisht, synimi ynë për t’u mësuar njerëzve të vërtetat e Biblës, nuk ndryshoi kurrë. (Isaia 48:17, 18) Shpejt pamë se Jehovai po e bekonte këtë organizim të ri. Kështu u hodhën themelet për një rritje të jashtëzakonshme, siç e kujtojnë fare mirë shumë Dëshmitarë sot.

Përshtatim mënyrën e predikimit

 Gjithmonë qëllimi ynë kryesor në Meksikë ka qenë të predikonim lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. Megjithatë, ashtu si apostulli Pavël, mënyrën e predikimit e përshtatëm sipas rrethanave. (1 Korintasve 9:20-23) Për shembull, kur Pavli foli me burrat e Athinës në Areopag, ai nuk i përmendi direkt Shkrimet. (Veprat 17:22-31) Po njësoj edhe ne, kur predikonim, nuk i merrnim Biblat me vete dhe as i përmendnim shkrimet kur hapnim biseda me njerëzit.

Motra e vëllezër duke marrë pjesë në dëshminë publike, pa përdorur Bibla, 1945

 Izabela kujton: «Prezantoheshim si përfaqësues të një organizate kulturore dhe arsimore. Shpesh përqendroheshim tek artikuj nga Zgjohuni! që trajtonin tema, të cilat nuk lidheshin direkt me Biblën.» Po kur i zoti i shtëpisë donte të dinte më shumë për Perëndinë? Atëherë flitnim për të vërtetën e Biblës. Aurora shpjegon: «Ngaqë nuk merrnim Bibla me vete, na duhej të mësonim përmendsh shumë shkrime.» Edhe njerëzit reagonin mirë kur përdornim Biblat e tyre.

Mbrojmë shërbimin shtëpi më shtëpi

 Ishim të përgatitur t’i përgjigjeshim gjithkujt që pyeste nëse vepra jonë njihej ligjërisht. (Filipianëve 1:7) Dokumentet e lëshuara nga qeveria na hynë shumë në punë. a Maria sjell ndër mend: «Mbanim gjithmonë me vete një kartë identifikimi të firmosur nga Zyra e Sekretarit të Punëve të Jashtme. Samueli thotë: «Kur na ndalonin autoritetet dhe na pyetnin se çfarë po bënim, u tregonim kartat.»

 Karta e identifikimit na ndihmonte të kapërcenim kundërshtimin. Për shembull, Hesusi, që ka shërbyer në shtetin e Haliskos, thotë: «Më 1974, një turmë që e udhëhiqte një prift, më morën mua dhe një çift Dëshmitarësh dhe na çuan në bashki, sepse donin të ndalonin veprën tonë. Kur u treguam autoriteteve kartat e identifikimit, të gjithë u qetësuan. Pasi morëm mbështetje ligjore, vazhduam të ndihmonim të interesuarit në atë zonë. Sot, në atë qytet po lulëzojnë disa kongregacione.»

Kurse për studimin e Biblës dhe kurse për lexim e shkrim

 Si një organizatë civile që nxit arsimimin, ofronim kurse falas për lexim e shkrim për publikun e gjerë. b Arieli shprehet: «Kjo masë ishte fiks në kohën e duhur. Gjatë atyre viteve, shumë veta nuk kishin vajtur në shkollë, ama dëshironin me gjithë shpirt të lexonin Biblën. U mësonim lexim e shkrim, dhe shpejt pas kësaj, mjaft veta fillonin të studionin Biblën me ne.»

 Rutha kujton: «Një herë që mësonin shkronjat, s’kishte gjë që t’i ndalonte. Tani që mund të lexonin dhe të shkruanin, ndienin se kishin arritur diçka me vlerë, dhe kjo u sillte gëzim. E shihnim me sytë tanë si i ndihmonte kjo të lidheshin më ngushtë me Jehovain.»

 Dëshmitarët e Jehovait ishin të regjistruar si organizatë civile dhe kulturore nga viti 1943 deri më 1993. Gjatë asaj periudhe kemi ndihmuar mbi 127.000 veta të mësonin shkrim e lexim dhe më se 37.000 të tjerë të përmirësonin aftësinë për të shkruar e për të lexuar. Zyrtarët e lartë të qeverisë na kanë lavdëruar për kontributin që kemi dhënë për të luftuar analfabetizmin. (Romakëve 13:3) Për shembull, më 2010 na nderuan me një çmim për «përkushtimin e jashtëzakonshëm prej dekadash për t’u mësuar njerëzve shkrim e lexim, duke ndihmuar mijëra meksikanë të përmirësonin jetën në shtetin e Meksikos dhe në tërë vendin».

Mbledhjet

 Në përputhje me regjistrimin ligjor, mbledhjet i organizonim nëpër vende që i sistemonim si klasa, të cilat i quanim Salla Kulture për Studim. Në to mbanim edhe kurset për shkrim e lexim.

 Anheli shpjegon: «Shpesh vëllezërit i hapnin shtëpitë për të mbajtur mbledhjet, edhe pse kishin fare pak nga ana materiale. Gjithmonë i kam admiruar për këtë. Ishin të gatshëm të ngushtoheshin për vete në një hapësirë fare të vogël të shtëpisë, që pjesa tjetër të përdorej për mbledhjet.»

 Ato sakrifica ishin tejet të nevojshme për kohën. Në lidhje me mbledhjet e kongregacionit, Anheli sjell ndër mend: «Ndonjëherë kishte aq shumë të pranishëm, saqë mjaft prej nesh uleshim jashtë. Që të komentonim, duhej të zgjatnim kokën te dritarja. Por, gjithmonë kënaqeshim në mbledhje.»

 Që të shmangnim problemet, gjatë mbledhjeve as këndonim e as luteshim me zë. Edmundoja tregon për atë kohë: «Gjatë Fjalimeve Kulturore, që tani quhen fjalime për publikun, oratorët nxirrnin në pah aspekte praktike të këshillave të Biblës, që i ndihmonin të pranishmit të zgjeronin njohuritë e të përmirësonin cilësinë e jetës.» Madje, me kalimin e kohës nuk po i përdornim më emrat e librave të Biblës. Si i citonim shkrimet? Manueli na jep një shembull: «Në vend se të thoshim Zbulesa, kapitulli 21, vargjet 3 dhe 4, thoshim diçka si ‘libri 66, 21, 3 dhe 4’.» Një tjetër Dëshmitar, Moíses, shton: «Kjo do të thoshte se për të gjetur shkrimet, duhej të mësonim numrat që u korrespondonin librave të Biblës.»

Mësime nga historia jonë në Meksikë

 Në përgjithësi, organizata jonë në Meksikë vepronte njësoj si në të gjitha pjesët e tjera të botës. Pavarësisht nga kufizimet qeveritare që kishim, dukej qartë se Jehovai po e bekonte veprën. Më 1943, kur u regjistruam si organizatë civile, në Meksikë ishin 1.565 lajmëtarë. Në vitin 1993 morëm njohjen ligjore si organizatë fetare. Atë vit, mesatarja e numrit të lajmëtarëve arriti në 366.177 dhe falë punës së tyre të palodhur, u hodh baza për rritjen e mëtejshme. Në vitin 2021, mesatarja e numrit të lajmëtarëve në Meksikë arriti në 864.633. Ç’mësime nxjerrim nga kjo pjesë e historisë së Meksikës?

 Të përshtatemi kur hasim pengesa. Falë përshtatjes, në Meksikë arritëm të gëzonim njohje ligjore për 50 vjet. Mario shprehet: «Ndonjëherë mendoja pse s’mund ta adhuronim Jehovain njësoj si në vendet e tjera. Megjithatë, kurrë nuk kam dëgjuar dikë të ketë vënë në pikëpyetje drejtimin e organizatës. Kemi besuar gjithmonë se Jehovai po e drejtonte popullin e tij, ndaj bindeshim pa hezituar fare.»

 Të përqendrohemi në veprën e Jehovait. Guadalupe shpjegon: «Ishim aq të angazhuar në veprën e bërjes së dishepujve, sa nuk merakoseshim tepër për gjërat e tjera. Ndiheshim jashtëzakonisht të lumtur që po i shërbenim Jehovait. Për ne, s’kishte gjë më të rëndësishme se kjo.»

 Të lidhemi ngushtë me motrat e vëllezërit. Anita tregon: «Ato aspekte të adhurimit që nuk i bënim dot në Sallat e Kulturës për Studim, si për shembull, të këndonim këngët e Mbretërisë, i bënim nëpër shtëpi. Ishim të bashkuar dhe rrinim shpesh me njëri-tjetrin. Edhe kur mblidheshim për qejf, bisedat tona kryesore lidheshin gjithnjë me adhurimin.»

 Florentino e përmbledh me dy fjalë adhurimin në atë periudhë: «Kur kthej kokën pas, besoj se çdo gjë kishte kohën dhe vendin e vet dhe se na ka pasuruar në ndonjë aspekt. Për mua është e qartë se Jehovai i ka drejtuar gjërat gjatë gjithë atyre viteve, pavarësisht nga kundërshtimi.»

a Kartat i kërkonim vetëm për qëllim identifikimi. Shkrimet nuk thonë se të krishterët kanë nevojë për leje ligjore që t’u flasin të tjerëve për të vërtetat nga Bibla. Kohët e fundit, Dëshmitarët e Jehovait nuk bëjnë më kërkesë për dokumente të tilla.

b Sipas përllogaritjeve zyrtare, në vitet 1940-1950 rreth gjysma e popullsisë së Meksikës ishte analfabete.

Familje Dëshmitarësh në shtetin e Çiuauas, Meksikë, para vendit ku mbanin mbledhjet. Tabela në spanjisht thotë «Sallë Kulture për Studim», 1952

Një grup Dëshmitarësh në zyrën e degës në shtetin e Meksikos. Tabela në spanjisht thotë «Kulla e Rojës, Organizatë Civile», 1947

Dy Dëshmitarë ofrojnë një revistë Kulla e Rojës në spanjisht, në një zonë rurale të shtetit të Hidalgos, Meksikë, 1959

Dëshmitarët morën nga autoritetet qeveritare një kartë identifikimi, që ta përdornin në predikim kur të ishte e nevojshme

Në vitin 2010, Zyra e Sekretarit të Arsimit Publik në Meksikë i nderoi Dëshmitarët e Jehovait me një çmim për përpjekjet që t’u mësonin njerëzve shkrim e lexim

Statusi ligjor i Dëshmitarëve si organizatë kulturore i lejonte të organizonin aktivitete të mëdha, si kjo Asamble Kulturore Ndërkombëtare më 1969