Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

NGA ARKIVAT TANË

Të bashkuar në një shtet të përçarë

Të bashkuar në një shtet të përçarë

 Nga viti 1948 deri në fillim të viteve 90-të, politika që implementoi Afrika e Jugut ishte aparteidi. a Gjatë asaj periudhe, shumë veta i trajtonin padrejtësisht njerëzit e racave të tjera. Keli, i cili gjatë aparteidit klasifikohej «me ngjyrë» (që përfshinte njerëz me etni të përzierë), kujton: «Edhe vetë ata që nuk ishin të bardhë, kishin paragjykime mes njëri-tjetrit.»

 Dëshmitarët e Jehovait në Afrikën e Jugut, kanë prejardhje etnike nga më të ndryshmet. Si e përballuan ata aparteidin? Dhe çfarë na mëson ajo pjesë e historisë?

Përballojnë rreziqet e aparteidit

 Në Afrikën e Jugut, disa që kundërshtonin ndarjen raciale të vendosur nga qeveria, organizonin protesta. Shumë nga ata që protestonin kundër politikave qeveritare, i burgosnin, e madje disa i vritnin. Si pasojë, ata që kundërshtonin qeverinë u bënë edhe më të dhunshëm. Nga ana tjetër, Dëshmitarët e Jehovait i bindeshin ligjit dhe nuk përfshiheshin në protesta a lëvizje për të ndryshuar qeverinë. Kështu, imituan të krishterët e shekullit të parë të cilët qëndruan ‘të nënshtruar ndaj autoriteteve më të larta’.—Romakëve 13:1, 2.

 Shumë herë, Dëshmitarëve të Jehovait u bënin presion të shkelnin asnjanësinë dhe të mbanin anë. Mirëpo, po të merrnin anën e ndonjë pale, mund të përfshiheshin në konflikte politike të dhunshme, a madje të luftonin kundër vëllezërve të tyre në besim. Për shembull, Temsa shpjegon se, «gjatë kryengritjeve të vitit 1976, shumë të rinj të shkollave të mesme i detyruan të merrnin pjesë në trazira politike. Këta të rinj shkonin shtëpi më shtëpi dhe kërkonin studentë të tjerë që t’u bashkoheshin. Po të mos pranoje, mund të të digjnin shtëpinë, e madje mund të të rrihnin për vdekje». Lideri i një partie opozitare i tha një Dëshmitari të quajtur Teofil: «Sapo të mposhtim të bardhët, do të vijmë e do t’ju vrasim, sepse nuk luftuat për vendin tuaj.»

Mblidhen bashkë në një vend të përçarë

 Me gjithë vështirësitë që sillte aparteidi, Dëshmitarët në Afrikën e Jugut vazhduan të mblidheshin për të adhuruar Perëndinë. (Hebrenjve 10:24, 25) Disa kongregacione nuk kishin mundësi të ndërtonin një Sallë Mbretërie, sepse aparteidi la shumë njerëz në mjerim. b Enviri thotë: «Për vite me radhë, merrnim me qira godina të katandisura si mos më keq. Prandaj babai hapi shtëpinë për mbledhjet e kongregacionit. Dy herë në javë, familja jonë mobilizohej për ta kthyer shtëpinë në Sallë Mbretërie. Ndonjëherë në shtëpinë tonë ngjesheshin mbi 100 veta. Pas mbledhjeve, shpesh kënaqeshim kur u ofronim gjithë të pranishmëve diçka të vogël për të ngrënë ose për të pirë.»

Dëshmitarë zezakë e të bardhë, mblidhen bashkë, prill 1950

Njerëz të racave të ndryshme të mbledhur në stadiumin «Rand» në Johanesburg, 1980

 Vëllezërit gjenin mënyra gjeniale si të kapërcenin vështirësitë që krijonte aparteidi. Për shembull, në Provincën e Limpopos, një vëlla të bardhë e caktuan të mbante fjalim në një asamble qarkore që do të zhvillohej në një zonë të përcaktuar për zezakët. Mirëpo nuk i dhanë leje të hynte. Prandaj ai shkoi e foli me pronarin e bardhë të fermës ngjitur me zonën e zezakëve. Kështu asambleja qarkore u mbajt në këtë mënyrë: auditori dëgjonte në njërën anë të gardhit të fermës, kurse oratori vizitues mbante fjalimin në anën tjetër.

Japin dëshmi gjatë aparteidit

 Gjatë aparteidit, grupet racore ishin të ndara nëpër zona të përcaktuara për racën e tyre. Ja pse territoret e kongregacioneve zakonisht përbëheshin nga njerëz të së njëjtës racë. Prandaj, Dëshmitarët duhej të ishin elastikë në mënyrën si i organizonin lajmëtarët për shërbimin. Për shembull, ishte sfidë më vete të predikoje në territore të pacaktuara. Krishi, i cili gjatë aparteidit klasifikohej si «indian», tregon: «Shpesh, për ata që nuk ishin të bardhë, s’kishte vende ku të kalonin natën. Prandaj flinim nëpër makina ose poshtë pemëve. Në mëngjes, pastroheshim nëpër tualetet e pikave të karburantit. Mirëpo, ndonjëherë, edhe në këto tualete kishte tabela që thoshin: ‘Vetëm për të bardhët.’ Pavarësisht nga kjo, lajmëtarët ishin të zellshëm dhe kënaqeshin teksa u predikonin shumë të interesuarve në zona rurale.»

Grup Dëshmitarësh nga raca të ndryshme duke predikuar në një zonë rurale, 1981

 Me gjithë këto sfida, populli i Jehovait rritej në numër dita-ditës. Në vitin 1948, kur aparteidi hyri në fuqi, kishte 4.831 lajmëtarë në Afrikën e Jugut. Kur përfundoi më 1994, numri i lajmëtarëve kishte arritur në 58.729. Ky numër vazhdoi të rritej dhe, më 2021, Afrika e Jugut arriti një maksimum të ri prej 100.112 lajmëtarësh.

Të rrethuar nga urrejtja, të bashkuar nga dashuria

 Gjatë periudhës së aparteidit, Dëshmitarët e Jehovait në Afrikën e Jugut banonin në një vend ku imponohej ndarja raciale. Në një atmosferë të tillë, ata u përpoqën fort të nxitnin dashuri e harmoni mes njerëzve të të gjitha racave. Këtë e bënin duke u mësuar të tjerëve parimet e Biblës dhe duke i zbatuar vetë. (Veprat 10:34, 35) Edhe pse rrethoheshin nga urrejtja, ata ishin të bashkuar nga dashuria.—Gjoni 13:34, 35.

 Në vitin 1993, Dëshmitarët e Jehovait mbajtën një kongres multiracor në Afrikën e Jugut. Një lider i shquar politik pa teksa Dëshmitarët e Afrikës së Jugut mirëpritnin dhe përqafonin me përzemërsi delegatët që kishin ardhur në aeroport nga vende të ndryshme të botës. Ai tha: «Po të kishim unitetin që keni ju, do t’i kishim zgjidhur problemet tona me kohë.»

Milton Hensheli, nga selia botërore e Dëshmitarëve të Jehovait, duke mbajtur fjalim para një auditori të madh me Dëshmitarë të racave të ndryshme, 1955

Në degën e Afrikës së Jugut, një vëlla zezak e një i bardhë punojnë së bashku, 1986

Tomas Skosana (në të majtë) dhe Alfred Stejnbergu, Dëshmitarë prej dekadash, në një kongres, 1985

Grup multiracor Dëshmitarësh duke shërbyer ushqim në një kongres, 1985

Stadiumi FNB, Johanesburg, i mbushur plot me Dëshmitarë të racave të ndryshme, 2011

a Aparteidi ishte një politikë që impononte ndarjen racore. Duke u bazuar te raca e dikujt, aparteidi përcaktonte çfarë arsimimi do të merrte, çfarë pune mund të bënte, ku mund të jetonte dhe me kë mund të martohej. Për më shumë informacion, shih «Çfarë ishte aparteidi?» në Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait 2007.

b Që nga viti 1999, kontributet e kongregacioneve të Dëshmitarëve të Jehovait nga e gjithë bota, janë përdorur për të mbështetur ekonomikisht ndërtimin dhe rinovimin e Sallave të Mbretërisë kudo ku lind nevoja.