SI PËRDOREN DHURIMET E TUA
Bollëku i disave kompenson nevojat e të tjerëve
1 TETOR 2020
Dëshmitarët e Jehovait kryejnë veprimtari fetare dhe humanitare në mbi 200 vende. Por, vetëm rreth 35 prej tyre mund të kujdesen vetë për shpenzimet që kanë falë dhurimeve që marrin. Si i mbulojnë shpenzimet vendet më pak të pasura?
Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait shqyrton se çfarë nevojash kanë Dëshmitarët anembanë botës që të adhurojnë Jehovain dhe të predikojnë lajmin e mirë. Vëllezërit planifikojnë me kujdes një buxhet dhe veprojnë sipas tij. Nëse një degë merr më tepër dhurime nga sa i duhen për veprimtaritë e vendit, pjesën e mbetur ua vënë në dispozicion vendeve që nuk kanë mjaftueshëm dhurime. Kështu ndjekin shembullin e të krishterëve të shekullit të parë, të cilët ndihmuan njëri-tjetrin ‘që të kishte barazi’. (2 Korintasve 8:14) Me bollëkun e tyre kompensuan nevojat e të krishterëve të tjerë që kishin më pak.
Si ndihen vëllezërit për dhurimet që kanë marrë nga degët e tjera? Për shembull, në Tanzani, ku gjysma e popullsisë jeton me më pak se 2 dollarë në ditë, fonde të tilla u përdorën për të rinovuar Sallën e Mbretërisë të kongregacionit Mafinga. Kongregacioni shkroi: «Që kur u rinovua Salla, numri i të pranishmëve është rritur dukshëm. I jemi jashtëzakonisht mirënjohës organizatës së Jehovait dhe vëllazërisë mbarëbotërore për bujarinë e tyre. Falë kësaj edhe ne kemi një vend të bukur për të adhuruar Jehovain.»
Për shkak të pandemisë COVID-19, disa vëllezër në Sri-Lankë kanë pasur mungesa ushqimi. Në këtë situatë është gjendur edhe motër Imara Fernando me djalin e saj të vogël, Enoshin. Pavarësisht nga kjo, falë dhurimeve nga vendet e tjera, ata kanë marrë ndihmat e nevojshme. Në një kartolinë që kanë bërë vetë, shkruan këto fjalë: «I falënderojmë vëllezërit që treguan dashuri në këto kohë të vështira. Jemi vërtet të lumtur që bëjmë pjesë në këtë familje dhe i lutemi vazhdimisht Jehovait që të ndihmojë të gjithë vëllezërit në këto ditë të fundit.»
Pavarësisht se ku jetojnë, zemra i shtyn vëllezërit dhe motrat që të ndajnë atë që kanë me të tjerët. Për shembull, Enoshi bëri një kuti të vogël kontributesh, sepse edhe ai donte të dhuronte për të ndihmuar familjet në nevojë. Të njëjtën bujari e shfaqi edhe motra Guadalupe Alvarez. Ajo jeton në një shtet të Meksikës ku pjesa më e madhe e njerëzve nuk kanë të ardhura fikse dhe pak veta marrin pagë minimale. Prapëseprapë dhuron aq sa mundet. Ajo shkruan: «I jam mirënjohëse Jehovait për mirësinë dhe dashurinë e tij besnike. Jam e sigurt se dhurimet e mia do t’i bashkohen dhurimeve të tjera dhe do të përdoren për vëllezërit e mi në nevojë.»
Zyrat e degëve u dërgojnë me kënaqësi para vendeve që kanë më shumë nevojë. Entoni Karvalo, anëtar i Komitetit të Degës në Brazil, pohon: «Për shumë vite, vepra në vendin tonë kishte nevojë për mbështetje financiare nga vendet e tjera. Falë tyre pati një rritje të jashtëzakonshme te ne. Situata jonë financiare ka ndryshuar dhe tani e kemi ne privilegjin për të ndihmuar të tjerët. Vëllezërit në Brazil marrin parasysh veprën e predikimit anembanë botës dhe përpiqen t’i ndihmojnë vendet në nevojë.»
Si mund t’i mbështetin në mënyrën më të mirë Dëshmitarët e Jehovait vëllezërit dhe motrat në nevojë? Duke kontribuar për veprën mbarëbotërore dhe jo duke dërguar para direkt në degët e huaja. Kjo mund të bëhet nëpërmjet kutisë së kontributeve në kongregacion të etiketuar «Vepra mbarëbotërore» ose nëpërmjet donate.pr418.com. Jemi shumë mirënjohës për të gjitha dhurimet tuaja.