Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

SI PËRDOREN DHURIMET E TUA

Godina që i sjellin lavdi Mësuesit tonë të Madh

Godina që i sjellin lavdi Mësuesit tonë të Madh

1 KORRIK 2023

 Jehovai ka dëshirë ta arsimojë popullin e vet. Prandaj, organizata e tij ka themeluar shumë shkolla për të stërvitur studentët që të përmbushin caktimet e tyre. Një prej tyre është Shkolla për Ungjillëzuesit e Mbretërisë (SHUM). Përveç programit mësimor, vitet e fundit organizata e Jehovait u ka kushtuar vëmendje edhe godinave ku zhvillohen shkollat teokratike. Një nga arsyet kryesore është që të sigurojë ambiente më të rehatshme për instruktorët dhe për studentët. Si ndihmojnë dhurimet e tua për të arritur këtë synim?

Më shumë studentë në ambiente më të mira

 Për vite të tëra, shkollat teokratike janë mbajtur në Salla Mbretërie dhe në Salla Asamblesh. Por kohët e fundit kemi ndërtuar e rinovuar shumë godina të tjera që po përdoren vetëm për shkolla teokratike. Pse? Për tri arsye.

 Ka më shumë nevojë. Kristofer Mejvëri, ndihmës në Komitetin e Shërbimit të Trupit Udhëheqës, shprehet: «Zyrat e degëve kanë raportuar se ka më shumë nevojë për lajmëtarë në shërbim. Për shembull, në vitin 2019 dega e Brazilit përcaktoi se në territorin e degës duheshin rreth 7.600 të diplomuar të tjerë nga SHUM-i.» Dega e Shteteve të Bashkuara raportoi se ka shumë nevojë për pionierë të kualifikuar që mund të stërvitin të tjerë për dëshminë publike speciale në metropol, për dëshminë në porte dhe në burgje. Ka nevojë edhe për vëllezër që të shërbejnë në Departamentin Vendës të Projektim-Ndërtimit dhe në Komitetet e Lidhjes me Spitalet. Të diplomuarit e SHUM-it mund të ndihmojnë që të plotësohen këto nevoja.

 Bëhen më shumë kërkesa. Shumë degë kanë marrë më tepër kërkesa se ç’mund të pranojnë për momentin. Për shembull, në vetëm një vit dega e Brazilit mori rreth 2.500 kërkesa për shkollën e SHUM-it. Për shkak të kapacitetit të kufizuar, dega mund të pranonte vetëm 950 studentë.

 Nevojitet strehim më i përshtatshëm. Kur studentët e ndjekin shkollën në një Sallë Mbretërie apo në një Sallë Asamblesh, zakonisht strehohen në shtëpitë e motrave dhe vëllezërve vendës. Kjo metodë funksionon mirë në ato vende ku mbahen pak klasa gjatë vitit. Por në zonat ku mbahen shumë klasa, mund të jetë e vështirë për lajmëtarët vendës t’i strehojnë studentët për muaj të tërë. Për këtë arsye janë siguruar godina të projektuara posaçërisht për studentët, afër vendit ku mbahet shkolla.

 Një godinë që përfshin një klasë, dhoma për instruktorët e për rreth 30 studentë, dhe ambiente të tjera të nevojshme, mund të kushtojë disa milionë dollarë, në varësi të vendndodhjes dhe të faktorëve të tjerë.

Veçoritë e godinave ku mbahen shkollat

 Zakonisht, shkollat mbahen në vende të qeta, jashtë qyteteve të mëdha dhe afër zonave ku ka transport publik. Preferohen zona ku jetojnë një numër i madh lajmëtarësh, të cilët mund të ndihmojnë me mbarëvajtjen e shkollës dhe me mirëmbajtjen e pajisjeve dhe të godinave.

 Godinat ku mbahen shkollat janë të pajisura me biblioteka, me ambiente për të studiuar, me kompjutera, me printera dhe me pajisje të tjera. Shumë prej tyre kanë edhe një sallë ngrënieje ku studentët dhe instruktorët mund të hanë së bashku. Ka edhe mjaft hapësirë për të bërë fizkulturë e për t’u zbavitur.

 Një vëmendje e veçantë i kushtohet klasës ku mbahet mësimi. Troi, i cili shërben në Departamentin Botëror të Projektim-Ndërtimit, thotë: «Me ndihmën e Departamentit të Shkollave Teokratike kemi projektuar klasa që ua bëjnë më të lehtë mësimin studentëve. Vëllezërit na dhanë udhëzime në lidhje me përmasat, me mënyrën si organizohet klasa, me ndriçimin dhe me pajisjet audio-video.» Për sa i përket montimit të pajisjeve audio, një instruktor në Hungari që quhet Zoltan, thotë: «Në fillim nuk kishim mikrofona, ndaj shpesh u kërkonim studentëve të flisnin me zë më të lartë. Tani problemi është zgjidhur sepse ka mikrofon në çdo tavolinë.»

«Të ftuar të veçantë të Jehovait»

 Si ka ndikuar përmirësimi i godinave tek instruktorët dhe te studentët? Anxhela, që ndoqi shkollën e SHUM-it në Palm-Koust, Florida, SHBA, thotë: «Është një ambient shumë i qetë. Çdo gjë është planifikuar shumë mirë. Kjo duket qartë te mënyra si janë organizuar klasat e dhomat. Kështu e kemi më të lehtë të përqendrohemi te studimi dhe te mësimi.» Çaba, një instruktor në Hungari, i çmon shumë vaktet me studentët. Ai thotë se kur hanë së bashku, studentët shpesh flasin më shumë për veten dhe për jetën e tyre. Kështu, instruktorët arrijnë t’i njohin më mirë dhe mund ta përshtatin programin mësimor sipas nevojave të studentëve.

 Studentët dhe instruktorët i shohin këto godina të reja si bekim nga ‘Mësuesi ynë i Madh’, Jehovai. (Isaia 30:20, 21) Një motër në Filipine, e cila e ndoqi SHUM-in në një godinë që ishte kthyer në shkollë, thotë: «Ambienti i shkollës na ndihmoi të kuptonim se nuk jemi veçse studentë, por të ftuar të veçantë të Jehovait. Ai dëshiron që të kënaqemi teksa e studiojmë hollësisht Fjalën e tij.»

 Godinat e shkollave mund të ndërtohen, të rinovohen dhe të mirëmbahen falë dhurimeve tuaja, shumë prej të cilave bëhen nëpërmjet donate.pr418.com. Shumë faleminderit për bujarinë tuaj!

Hyrja e godinës, Palm-Koust, Florida, SHBA.

Model i tempullit në kohën e Jezuit, holli i shkollës, Palm-Koust, Florida, SHBA.

Mbërrijnë në Shkollën për Ungjillëzuesit e Mbretërisë, Brazil

Gjatë mësimit, Brazil

Mbërrijnë në Shkollën për Ungjillëzuesit e Mbretërisë, Filipine

Duke shijuar drekën së bashku në sallën e ngrënies, Filipine