Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

SI PËRDOREN DHURIMET E TUA

Këngë që na forcojnë miqësinë me Perëndinë

Këngë që na forcojnë miqësinë me Perëndinë

1 NËNTOR 2021

 Muzika është një dhuratë e mrekullueshme nga Jehovai. Mund të ndikojë te mendimet tona, të na ngrejë humorin dhe të na frymëzojë. Pa diskutim që kjo vlen edhe për këngët tona që dalin në JW Broadcasting®. Në fakt, këto këngë mund të bëjnë edhe më shumë: mund të na forcojnë miqësinë me Jehovain.

 Që nga viti 2014 janë prodhuar mbi 70 këngë dhe tani të paktën një prej tyre është në dispozicion në më shumë se 500 gjuhë. Por, mbase ke pyetur veten: «Kush merret me këngët dhe çfarë pune bëhet për t’i prodhuar?»

Të hedhim një sy pas kuintave

 Këngët janë prodhuar nga një skuadër që punon me muzikën në Shërbimet e Audio-Videos nën mbikëqyrjen e Komitetit të Mësimit të Trupit Udhëheqës. Skuadra përbëhet nga 13 vëllezër e motra që ndihmojnë me kompozimin, me inxhinierinë muzikore, me programimin dhe me punë të tjera të nevojshme. Përveç kësaj, për të mbështetur këtë projekt, Komiteti i Mësimit miratoi disa veta nga e gjithë bota, që të punonin si vullnetarë nga shtëpia, si kompozitorë, muzikantë dhe këngëtarë. Këta vëllezër e motra të përulur i përdorin talentet e tyre pa kërkuar lavdi për vete.

 Si prodhohet një këngë? Në fillim, Komiteti i Mësimit zgjedh shkrimet mbi të cilat bazohet kënga dhe përcakton ndjenjat që pritet të ngjallë te dëgjuesit. Pastaj, skuadra e muzikës cakton punën për kompozimin e muzikës dhe për shkrimin e tekstit. Përgatitet një regjistrim paraprak, të cilin e kontrollon Komiteti i Mësimit dhe jep sugjerime të mëtejshme. Pas kësaj, skuadra bën rregullimet e nevojshme të këngës dhe regjistron versionin final. Këngët regjistrohen në vende të ndryshme, si në godinat e degës dhe nëpër studio personale.

 Që të kompozojnë e të regjistrojnë këngët, ndër të tjera vëllezërit përdorin programe kompjuterike muzike, një program për shënime muzikore dhe librari audio. Puna kërkon edhe pajisje, si instrumente muzikore, miksera, amplifikatorë, altoparlantë për kompjuterë dhe mikrofonë. Çdo mikrofon mund të kushtojë nga 100 dollarë në mbi 1.000 dollarë. Në vitin 2020 shpenzuam 116.000 dollarë për të siguruar pajisje muzikore për regjistrimin e këngëve.

 Si është vepruar për të kursyer fondet? Në vend që të përdorin një skuadër të madhe muzike në Bethel, janë përdorur mjaft vullnetarë nga shtëpia. Dhe në vend që të mbledhin shumë muzikantë që të regjistrojnë bashkë, shpesh vëllezërit përdorin programe kompjuterike që kompozojnë e prodhojnë muzikë dixhitale.

«Falë tyre po ruaj një besim të fortë»

 Vëllezërit dhe motrat i shijojnë jashtë mase këngët. Tara, që jeton në Gjermani, thotë: «Këngët më qetësojnë kur jam në ankth. Kur i dëgjoj në gjuhën time, më duket sikur po më përqafon Jehovai.» Dmitri, një vëlla në Kazakistan, komenton: «Më pëlqen të dëgjoj këngë për të cilat s’kam pikë dyshimi që janë bazuar në Bibël. Mbi të gjitha, këngët më ndihmojnë të përqendrohem te miqësia me Jehovain.»

 Delia, në Afrikën e Jugut, përshkruan si ndihet për këngët: «Falë tyre po ruaj një besim të fortë. Kur ndihem përtokë ose kur kam një situatë të vështirë, ka gjithnjë një këngë fiks për mua. Shpesh mjaftojnë tingujt e një kënge për të më qetësuar shpirtin.»

 Disa këngë janë më të parapëlqyera se të tjerat. Lerato, një motër që po ashtu jeton në Afrikën e Jugut, shprehet: «Këngët ‘Në prag është parajsa’ dhe ‘Në jetën e vërtetë’ më ndihmojnë të përfytyroj ditën kur do të mirëpres mamanë time të shtrenjtë. Sa herë i dëgjoj, mendoj mamanë teksa vrapon drejt meje krahëhapur.»

 Veçanërisht njëra prej këngëve i ka ngritur zemrën peshë një adoleshenteje në Sri-Lankë. Ajo thotë: «Mësuesja ime e shkencës më bërtiti fort në sy të të gjithë shokëve të klasës, ngaqë jam Dëshmitare e Jehovait. Më hyri frika dhe nuk dija ç’të thosha. Kur vajta në shtëpi, mamaja më inkurajoi të dëgjoja këngën ‘Studimi të forcon’. Kënga më ndihmoi të kuptoja sa e domosdoshme ishte të bëja kërkime dhe të përgatitja një përgjigje. Të nesërmen fola me mësuesen. Më dëgjoi me vëmendje dhe më tha se tani i kupton më mirë bindjet e Dëshmitarëve të Jehovait. Falënderoj organizatën e Jehovait që na ka siguruar këngë kaq zemërdhënëse!»

 Si mbulohen shpenzimet për prodhimin e këtyre këngëve? Me anë të dhurimeve për veprën mbarëbotërore, shumë prej të cilave bëhen nëpërmjet metodave të ndryshme në donate.pr418.com. Faleminderit për kontributet tuaja bujare!