SI PËRDOREN DHURIMET E TUA
Lajme të besueshme dhe besimforcuese
1 DHJETOR 2021
Dëshmitarët e Jehovait merakosen me gjithë shpirt për vëllezërit e motrat e tyre në besim. (1 Pjetrit 2:17) Shumë prej nesh ndihen si Tanisa, një motër në Kenia. Ajo tha: «Mezi pres të di si janë motrat e vëllezërit nëpër botë.» Si informohet rregullisht Tanisa dhe miliona Dëshmitarë të tjerë? Që nga viti 2013 po informohemi direkt nga Këndi i lajmeve në sitin tonë, jw.org.
Këndi i lajmeve përmban raporte të besueshme për Dëshmitarët e Jehovait për tema, si: prezantimet e Biblës në gjuhë të ndryshme, dhënia e ndihmës në rast katastrofash, projektet e ndërtimit dhe ngjarje të tjera domethënëse. Na informon për vëllezër e motra që janë burgosur për shkak të besimit. Ky kënd lajmesh përmban edhe eksperienca zemërdhënëse që lidhen me fushata predikimi dhe me Përkujtimin. Kush bën kërkime për këta artikuj lajmesh dhe si përgatiten?
Identifikimi dhe raportimi i lajmeve të reja
Këndi i lajmeve menaxhohet nga Reparti i Informacionit për Publikun (RIP). Ky repart ndodhet në selinë botërore dhe punon nën drejtimin e Komitetit të Koordinatorëve të Trupit Udhëheqës. RIP-i përbëhet nga mbi 100 vëllezër e motra—shumica vullnetarë nga shtëpia—ndër të cilët disa shkruajnë, bëjnë kërkime, merren me anën artistike ose përkthejnë. Të tjerë komunikojnë me autoritetet qeveritare, akademike dhe me median. RIP-in e mbështetin më tepër se 80 Zyrat e Informacionit për Publikun (ZIP) nëpër degët anekënd botës.
Për të përgatitur një material për lajmet, RIP-i punon ngushtë me ZIP-in. Sapo vëllezërit vendosin të botojnë një lajm të caktuar, fillojnë kërkimet për temën dhe mbledhin informacione të besueshme. Kjo mund të përfshijë intervista dhe bashkëbisedime me ekspertë. Pasi mbledhin gjithë faktet, lajmi i ri shkruhet, editohet, redaktohet, ilustrohet me foto dhe i dërgohet për miratim Komitetit të Koordinatorëve.
Mirënjohje
Si ndihen vëllezërit e motrat për Këndin e lajmeve? Sherila, një motër në Filipine, tha: «Mezi pres të nis ditën duke lexuar lajmet për organizatën e Jehovait dhe për popullin e tij.»
Shumë lexues flasin për ndryshimin mes Këndit të lajmeve në jw.org dhe lajmeve nga media të tjera. Tatjana, që jeton në Kazakistan, thotë: «Jam shumë mirënjohëse që mund t’u besoj lajmeve në jw.org! Ato janë të besueshme dhe objektive.» Një motër në Meksikë me emrin Alma, thotë: «Këndi i lajmeve është jashtë mase inkurajues në krahasim me lajmet shqetësuese nga mediat vendase.»
Këndi i lajmeve nuk është vetëm i besueshëm; është edhe besimforcues. Bernardi, në Kenia, thotë: «Këndi i lajmeve më ka ndihmuar t’i shoh si familjen time vëllezërit e motrat anembanë globit, pavarësisht se ku jetojnë. Mund t’i përmend në lutje emrat dhe situatat e tyre specifike.» Një motër që quhet Bajbron, që po ashtu jeton në Kenia, shprehet: «Emocionohem gjithmonë kur shoh një artikull që prezanton Biblat që dalin në gjuhë të ndryshme! Këta artikuj më kujtojnë se Jehovai është i paanshëm.»
Edhe lajmet e reja për vëllezërit që përballen me përndjekjen, mund të na japin shumë zemër. Zhaklina, që jeton në Kenia, komenton: «Më është forcuar jashtë mase besimi duke menduar për guximin që shfaqin ata. Gjithmonë përpiqem të mësoj çfarë i ka ndihmuar të qëndrojnë. Kam mësuar se gjërat ‘e thjeshta’, si lutja, leximi i Biblës dhe madje këngët, kanë qenë jetësore që të mbeteshin të fortë.»
Një motër në Kosta-Rikë që quhet Beatris, është mirënjohëse për lajmet që lidhen me katastrofat natyrore. Ajo thotë: «Falë Këndit të lajmeve mund të shoh si kujdeset organizata për nevojat e vëllezërve sa hap e mbyll sytë, në një mënyrë të efektshme e të dashur. Këto më bindin se kjo është vërtet organizata e Jehovait.»
Sa mirënjohës jemi që marrim lajmet më të fundit për vëllazërinë në çdo cep të globit! Nuk do t’ia dilnim dot pa dhurimet tuaja për veprën mbarëbotërore, shumica e të cilave bëhen nëpërmjet donate.pr418.com. Ju falënderojmë jashtë mase për kontributet tuaja bujare!