Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

SI PËRDOREN DHURIMET E TUA

Lajmi i mirë sipas Jezuit​—Prapa kuintave

Lajmi i mirë sipas Jezuit​—Prapa kuintave

1 TETOR 2024

 Këtë vit, një nga ngjarjet më të shumëpritura për Dëshmitarët e Jehovait ka qenë prezantimi i episodit 1 të serisë me video Lajmi i mirë sipas Jezuit. Deri tani e kanë parë miliona njerëz, dhe ky është vetëm i pari nga 18 episodet e tjera. Çfarë pune po bëhet prapa kuintave për realizimin e kësaj serie videosh dhe si ke ndihmuar edhe ti?

Kujdesi për kastin dhe stafin

 Në degën e Australazisë, ku po xhirohet shumica e serisë Lajmi i mirë, për çdo skenë ka rreth 50 deri në 80 veta në sheshxhirim. a Të gjithë aktorëve dhe stafit u shërbehet dreka, darka dhe gjëra të tjera të vogla. Vaktet planifikohen kohë përpara. Estera, e cila shërben në Departamentin e Shërbimit të Ushqimit, shpjegon: «Blejmë ushqime nga furnitorë të ndryshëm që të marrim produkte cilësore me çmimin më të mirë. Gjithashtu, recetat i përshtatim vazhdimisht që të mos na shkojnë dëm ushqimet.» Çdo ditë për ushqimin shpenzohen afërsisht 4 dollarë amerikanë për person.

 Kasti i aktorëve dhe stafi nuk kanë nevojë vetëm për ushqim, por edhe për mbrojtje. Mbrojtje nga çfarë? Australia plot diell ka jo vetëm shumë ditë të nxehta e pa re, por edhe nivel të lartë të rrezatimit ultravjollcë. Për të reduktuar rrezikun e ekspozimit dhe sfilitjen nga vapa, asistentë të palodhur të produksionit ngrenë tenda dhe vende për t’u freskuar, si dhe sigurohen që të ketë kremra dielli, çadra dhe ujë për të gjithë. Kevin, që ndihmon me Shërbimet e Audio-Videos, thotë: «Shumica e këtyre asistentëve janë vullnetarë që vijnë nga jashtë Bethelit. Përveç kësaj ata bëjnë edhe shumë punë të tjera me përulësi e gëzim. Pa ndihmën e tyre, vështirë ta realizonim këtë projekt.»

Xhirimet larg zonës së Bethelit

 Disa skena nuk do të dukeshin realiste po të xhiroheshin në zyrën e degës, qoftë në sheshxhirimet e krijuara brenda degës, qoftë në studio. Në raste të tilla kërkohet që xhirimet të bëhen larg zonës së Bethelit. Që të xhirojnë skena të kohëve të lashta ku nuk ka kabllo të linjave elektrike, rrugë të shtruara dhe shtëpi moderne, kasti dhe stafi shpesh duhet të udhëtojnë në zona të thella. Veshjet, dekori dhe pajisjet duhen paketuar, transportuar dhe pastaj të ruhen të sigurta në vendin e xhirimit. Para se të fillojnë me xhirimin, koordinatorët e asistentëve të produksionit sigurohen që të ketë gjeneratorë, tualete dhe ujë të pijshëm. Kasti dhe stafi strehohen në shtëpitë e Dëshmitarëve vendës, në rulota, hotele ose në kabina.

Xhirimet larg Bethelit paraqesin vështirësi unike

 Të xhirosh larg Bethelit ka lodhje e kosto, si dhe merr shumë kohë për të gjithë ata që përfshihen në projekt. Prandaj, në vitin 2023, Trupi Udhëheqës miratoi blerjen e një ekrani gjigant LED që kushtonte 2,5-milionë dollarë, për krijimin e sheshxhirimeve virtuale. Kjo teknologji përdor ekrane me rezolucion të lartë dhe sinkronizon dritën që të duket sikur është xhiruar në ambiente të jashtme. Falë kësaj, shpesh mund të shmangen xhirimet e kushtueshme larg degës. Dareni, anëtar i Komitetit të Degës në Australazi, shpjegon: «Kur në xhirime përdorim ekranin gjigant LED, aktorët lodhen më pak dhe stafi mund të marrë më shumë se një dubël. Për shembull, nëse do të xhironim në natyrë, do të kishim pak minuta për të kapur perëndimin e diellit para se të zhdukej. Por me këtë ekran, perëndimin e diellit mund ta krijojmë sa herë na nevojitet, derisa të marrim dublën që duam.»

Duke kalibruar dhe testuar ekranin gjigant LED, para një xhirimi

«Nuk ishte aspak një sakrificë»

 Për çdo episod të Lajmi i mirë, nevojiten qindra aktorë dhe shumë më tepër të tjerë për stafin. Si ndihen ata për gjithë kujdesin që marrin?

 Embër, që ka udhëtuar mbi 700 kilometra deri në Melburn për të marrë pjesë në projekt, shkroi: «Sapo mbërrita në aeroport, vëllezërit e Bethelit u kujdesën më së miri për mua. Shumë bethelitë më ftuan për të ngrënë ose për një çaj. Në sheshxhirim të gjithë më treguan dashuri dhe më bënë të ndihesha rehat. Udhëtimi ishte plot bekime. Për mua nuk ishte aspak një sakrificë.»

 Derek punon me skuadrën e produksionit. Ai thotë: «Që në fillim të projektit na ndihmuan shumë departamente. Jam mirënjohës që rrethohem nga vëllezër e motra që sakrifikuan kohën, të ardhurat dhe energjitë e tyre për këtë projekt. Ata janë të gjindshëm, të gatshëm për të ndihmuar dhe të dashur. Pa dyshim që Jehovai na ka bekuar të gjithëve. Jam i bindur se Jehovai nuk ka merak vetëm rezultatin e punës, por edhe mënyrën si kryhet ajo.»

 Faleminderit për mbështetjen që i ke dhënë këtij projekti nëpërmjet dhurimeve të tua, përfshirë ato që ke bërë në donate.pr418.com.

a Dega e Australazisë mbikëqyr veprën tonë në shumë vende, përfshirë Australinë dhe vende të tjera të Paqësorit Jugor. Dega ndodhet në periferi të Sidneit, Australi.