SI PËRDOREN DHURIMET E TUA
Mbrojmë lirinë fetare në komunitetet indigjene
1 MAJ 2021
Ndër qindra milionë njerëz që jetojnë në Amerikën Latine, miliona kanë gjuhën dhe zakonet e tyre indigjene. Shumë nga këta janë motrat e vëllezërit tanë në besim, të cilët e çmojnë jashtëzakonisht trashëgiminë e tyre kulturore. Që t’u mësojnë njerëzve të vërtetën e Biblës, ata përkthejnë dhe shpërndajnë botimet e Dëshmitarëve të Jehovait në mbi 130 gjuhë indigjene të Amerikës Latine. a Megjithatë, disa kanë hasur kundërshtim nga komuniteti i tyre, ngaqë kanë zgjedhur t’i shërbejnë Jehovait dhe të mos marrin pjesë në disa zakone e tradita që bien ndesh me parimet e Biblës. Si janë përdorur dhurimet e tua për t’u ardhur në ndihmë?
Ndihmë për t’u kthyer në shtëpitë e tyre
Në Meksikë, motrat e vëllezërit tanë të një komuniteti uiçol në malet e shtetit të Haliskos, refuzuan me respekt të merrnin pjesë në praktika fetare që bien ndesh me ndërgjegjen e tyre. b Kjo i acaroi disa në komunitet, dhe si pasojë më 4 dhjetor 2017, një turmë e dhunshme sulmoi një grup Dëshmitarësh dhe disa të tjerë që ishin me ta. Pastaj i përzuri me forcë nga komuniteti, u shkatërroi pronat dhe i kërcënoi se do të vriste këdo që guxonte të kthehej.
Dëshmitarët në qytetet aty pranë u siguruan gjërat e domosdoshme këtyre vëllezërve e motrave. Por, si t’i ndihmonim që të ktheheshin në shtëpitë e tyre? Një vëlla që quhet Agustin, shpjegon: «Nuk kishim pará për të marrë avokat dhe nuk dinim ku të drejtoheshim për konsulta ligjore.»
Meqë po sulmohej liria e vëllezërve tanë për të adhuruar Perëndinë, dega e Amerikës Qendrore mori menjëherë masa. Në fillim u kërkoi autoriteteve vendëse të hetonin këto krime. Pastaj mori leje nga Komiteti i Koordinatorëve i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait për të bashkëpunuar me Repartin Ligjor në selinë botërore dhe për të ngritur padi në emër të vëllezërve tanë të komunitetit uiçol. Në fund, çështja shkoi deri në Gjykatën e Lartë Shtetërore të Drejtësisë—gjykata më e lartë në Meksikë.
Një skuadër ndërkombëtare me avokatë përgatiti një mbrojtje të qartë ku shpjegonte se, ashtu si të tjerët që duhet të respektojnë kulturën e komuniteteve indigjene, edhe vetë këto komunitete duhet të respektojnë dhe të mbrojnë liritë e të gjithë anëtarëve të tyre. Të drejtat e njeriut nuk njohin kufij kombëtarë.
Më 8 korrik 2020, Gjykata e Lartë e Drejtësisë vendosi unanimisht në favor të Dëshmitarëve të Jehovait. Ajo urdhëroi që, të gjithë ata që u dëbuan, të lejoheshin të ktheheshin në komunitet. Agustini, i përmendur më sipër, falënderoi vëllezërit në emër të vet dhe të të tjerëve: «Jemi jashtë mase mirënjohës dhe të lumtur për gjithçka që kanë bërë vëllezërit për ne. S’do të kishim bërë asgjë pa ndihmën e tyre.»
«Kaq shumë për kaq pak»
Ndërkohë, edhe vëllezërit tanë në San Huan de Iluman, një fshat në Ekuador ku banojnë shumë indigjenë të luginës së Otavalos, hasën kundërshtime të ngjashme. Në vitin 2014, pasi morën të gjitha lejet e nevojshme, nisën të ndërtonin një Sallë Mbretërie. Mirëpo, një turmë me mbi 100 veta, e udhëhequr nga një prift, ndaloi me forcë ndërtimin. Pastaj, komuniteti urdhëroi Dëshmitarët e Jehovait të mos mblidheshin më për të adhuruar Perëndinë.
Repartet ligjore të degës së Ekuadorit dhe të selisë botërore bashkëpunuan për të mbrojtur kongregacionin nga kjo shkelje e lirisë së adhurimit. Vëllezërit e çuan çështjen në gjykatë. Si pasojë komuniteti u tërhoq dhe e lejoi kongregacionin të rifillonte mbledhjet e të përfundonte ndërtimin e Sallës së Mbretërisë. Gjithsesi, për të mbrojtur të drejtat e vëllezërve edhe në të ardhmen, përfaqësuesit tanë u kërkuan gjykatave të larta të merrnin një vendim për këtë çështje fondamentale: a duhet të respektojnë komunitetet indigjene të drejtat ndërkombëtare të njeriut?
Më 16 korrik 2020, Gjykata Kushtetuese e Ekuadorit, gjykata më e lartë në vend, shqyrtoi çështjen. Vëllezër avokatë në Ekuador përfaqësuan kongregacionin. Veç kësaj, katër vëllezër të tjerë që janë avokatë ndërkombëtarë me përvojë, folën gjatë seancës gjyqësore. Për shkak të kufizimeve që ka sjellë pandemia COVID-19, ata folën nga shtete të ndryshme nëpërmjet videokonferencës. Kjo është hera e parë në histori që një gjykatë lejon një skuadër ligjore që përfaqëson Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën, të paraqesë mbrojtjen e saj në këtë mënyrë. c Skuadra përmendi autoritete ligjore ndërkombëtare për të vërtetuar se indigjenët nuk heqin dorë nga të drejtat themelore të njeriut vetëm se i përkasin një komuniteti indigjen.
Vëllezërit tanë në luginën e Otavalos presin me padurim vendimin e Gjykatës Kushtetuese. E njëkohësisht janë vërtet mirënjohës për ndihmën që kanë marrë. Sezari, që shërben si plak në kongregacionin Iluman në gjuhën kiçua, thotë: «Vetëm Jehovai, nëpërmjet organizatës së tij, do të bënte kaq shumë për kaq pak veta.»
Të gjithë avokatët që janë përfshirë në këto procese gjyqësore, janë Dëshmitarë të Jehovait, të cilët e përdorin me dëshirë përvojën e tyre ligjore pa marrë asgjë në këmbim. Megjithatë, ngritja e padisë, përgatitja për to dhe mbrojtja në gjykatë kërkon kohë dhe pará. Avokatët dhe vëllezër të tjerë kanë harxhuar mbi 380 orë për të përgatitur mbrojtjen ligjore dhe 240 orë të tjera për të përkthyer dokumentet e nevojshme për procesin gjyqësor të Meksikës. Pothuajse 40 avokatë nga e gjithë bota kanë harxhuar qindra orë për çështjen e Ekuadorit. Si i kemi mbuluar shpenzimet që janë bërë për të mbrojtur vëllezërit tanë? Me anë të kontributeve që keni bërë duke përdorur metodat e ndryshme që shpjegohen në donate.pr418.com. Faleminderit për bujarinë tuaj!
a Dëshmitarët e Jehovait përkthejnë edhe në shumë gjuhë të tjera të Amerikës Latine dhe në disa gjuhë të shenjave që përdoren vetëm në atë zonë.
b Populli uiçol njihet edhe si uiksaritari dhe shpesh gjuha e tyre quhet uiksarike.
c Edhe pse organizata jonë mbarëbotërore nuk ishte palë në këtë çështje, gjykatësit lejuan vëllezërit tanë të paraqiteshin në gjykatë me statusin amicus curiae, që do të thotë «mik i gjykatës».