SI PËRDOREN DHURIMET E TUA
Ndihmë globale gjatë pandemisë globale
1 KORRIK 2021
Në mars 2020, kur Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli pandemi COVID-19, shumë njerëz as që e imagjinonin dot se ky virus do ta mbante akoma të mbërthyer botën, edhe mbi një vit më vonë. Miliona veta, ndër ta edhe disa Dëshmitarë të Jehovait, kanë vuajtur për shkak të pandemisë, qoftë fizikisht, emocionalisht apo financiarisht. Si i kanë organizuar ndihmat Dëshmitarët e Jehovait dhe si i kanë shpërndarë gjatë kësaj krize?
Ndihmë për ata që kanë nevojë
Për të përballuar pasojat e COVID-19, në tërë globin janë ngritur mbi 950 Komitete të Ndihmës në Rast Katastrofash (KNRK), nën drejtimin e Komitetit të Koordinatorëve të Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait. Në disa raste, ata i kanë ndihmuar lajmëtarët përmes vëllezërve vendës, në raste të tjera Dëshmitarët kanë përfituar nga ndihmat e qeverive. Gjithashtu, KNRK-të kanë organizuar dhënien e ndihmave në një shkallë të gjerë.
Për shembull, të shohim situatën në Paraguai. Një gazetë raportoi se, për shkak të ndikimit të pandemisë tek ekonomia, «shumë paraguaianë nuk kanë ushqim mjaftueshëm». Mirëpo, ndërkohë KNRK-ja në Paraguai kishte filluar të shpërndante pako me furnizime për dy javë—mjaft ushqime, materiale pastrimi dhe gjëra për higjienën personale për familje me 4 pjesëtarë. Për çdo pako u shpenzuan rreth 30 dollarë.
Si e mbrojnë veten dhe të tjerët nga COVID-19 vullnetarët që shpërndajnë ndihma? Ata mbajnë maska dhe ruajnë distancimin fizik. Përveç kësaj sigurohen që kompanitë ku furnizohen, i mbajnë ushqimet në ambiente me kushte të mira higjienike dhe respektojnë masat strikte për parandalimin e virusit. Sigurohen që të gjithë ata që prekin kutitë, të kenë veshje mbrojtëse, të pastrojnë e të dezinfektojnë makinat dhe t’i vënë kutitë në sipërfaqe të dezinfektuara. Në fund, kushdo që shpërndan kutitë, ruan distancimin fizik nga vëllezërit që i marrin.
Dhurimet administrohen me shumë kujdes
Deri në janar 2021, Komiteti i Koordinatorëve ka miratuar mbi 25 milionë dollarë për të ndihmuar gjatë COVID-19. Zyrat e degëve dhe KNRK-të po i përdorin me shumë kujdes këto fonde dhe po punojnë fort që të gjejnë çmimet më të mira për gjërat e domosdoshme. Për shembull, në Kili, vëllezërit që merren me organizimin e ndihmave, donin të blinin 750 kilogramë thjerrëza. Mirëpo, çmimi u dyfishua brenda muajit. Dy orë pasi kishin bërë marrëveshjen për të blerë thjerrëza me një çmim më të lartë, shitësi i njoftoi vëllezërit se një blerës tjetër sapo kishte anuluar një porosi për thjerrëza. Kështu, në vend që t’ua shiste me çmimin e lartë për të cilin ranë dakord, shitësi vendosi t’ua jepte thjerrëzat e kthyera nga blerësi tjetër, me çmimin e një muaji më parë.
Megjithatë, kur vëllezërit vajtën të merrnin thjerrëzat, shitësi u përpoq të prishte marrëveshjen, duke i akuzuar se e shpërndanin ushqimin në mënyrë të pabarabartë, siç bënin organizatat e tjera. Pasi u lut shpejt e shpejt në heshtje, një prej vëllezërve i tha shitësit se në çdo kongregacion ishte bërë një shqyrtim i kujdesshëm për të kuptuar se kush kishte vërtet nevojë. Gjithashtu i shpjeguan se, meqë familjet vijnë nga kultura të ndryshme, secila pako me ndihma ishte personalizuar, pra kishte produkte që familja përdor më shumë. Në fund e siguruan shitësin se çdo kontribut që bëjnë Dëshmitarët e Jehovait në pará ose në krah pune, është vullnetar. Ai mbeti pa fjalë. Jo vetëm që ua dha me çmimin e reduktuar, por, kur bënë porosinë e radhës, u dhuroi edhe 400 kilogramë thjerrëza.
«Provë e dashurisë së sinqertë»
Lusi, një vejushë e moshuar në Liberi, jeton me 5 pjesëtarë të tjerë të familjes. Një ditë, ndërsa hanin mëngjes dhe shqyrtonin shkrimin e ditës nga Bibla, nipi i saj 7-vjeçar vuri re se nuk kishin më ushqim në shtëpi dhe pyeti: «Çfarë do të hamë?» Lusi e siguroi se ndërkohë i ishte lutur Jehovait për ndihmë dhe ishte më se e bindur se Ai do t’ua siguronte gjërat e nevojshme. Pikërisht atë pasdite, Lusi mori një telefonatë nga pleqtë e kongregacionit, që e ftonin të merrte disa ndihma ushqimore. Ajo tregon: «Nipçja më tha se tani e di se Jehovai i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve, sepse iu përgjigj lutjes sime.»
Një grua në Republikën Demokratike të Kongos është komshie me një familje Dëshmitarësh. Kur pa që bashkëbesimtarët u sollën ushqime Dëshmitarëve, tha: «Pas pandemisë do të bëhemi Dëshmitarë të Jehovait, sepse ata kujdesen për vëllezërit e motrat e tyre në kohë të vështira.» I shoqi e pyeti: «Do të bëhesh Dëshmitare e Jehovait vetëm për një thes oriz?» Gruaja iu përgjigj: «Patjetër që jo, por ai thes orizi është provë e dashurisë së sinqertë.»
Dëshmitarët e Jehovait kanë arritur t’u përgjigjen menjëherë nevojave të vëllezërve e të motrave falë dhurimeve tuaja bujare. Shumë faleminderit për kontributet që keni bërë, duke përdorur metoda të ndryshme në donate.pr418.com!