Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

SI PËRDOREN DHURIMET E TUA

Ndihmë në rast katastrofash në vitin 2021—Nuk i braktisim vëllezërit e motrat

Ndihmë në rast katastrofash në vitin 2021—Nuk i braktisim vëllezërit e motrat

1 JANAR 2022

 Gjatë vitit të shërbimit 2021, a pandemia COVID-19 e mbajti të mbërthyer botën. Siç shpjegohej tek artikulli «Ndihmë globale gjatë pandemisë globale», shpenzuam miliona dollarë b për të ndihmuar gjatë pandemisë dhe formuam mbi 950 Komitete të Ndihmës në Rast Katastrofash.

 Në fakt, ndërsa pandemia po shkaktonte gjithnjë e më shumë vuajtje, pati edhe katastrofa të tjera qoftë natyrore, qoftë të shkaktuara nga njerëzit që prekën vëllezërit dhe motrat kudo në botë. Prandaj, që të ndihmonte vëllezërit që u prekën nga mbi 200 katastrofa të tilla, Komiteti i Koordinatorëve i Trupit Udhëheqës miratoi të shpenzoheshin edhe 8 milionë dollarë të tjerë, përveç atyre që ishin miratuar për pandeminë COVID-19. Shihni si janë përdorur dhurimet tuaja për të ndihmuar ata që u prekën gjatë dy katastrofave kohët e fundit.

Shpërthimi vullkanik në malin Niragongo

 Më 22 maj 2021 nisi të shpërthente vullkani në malin Niragongo në Republikën Demokratike të Kongos. Lava që rrodhi nga vullkani, shkatërroi shtëpi, shkolla dhe rezervuarë uji. Por, lava nuk ishte i vetmi rrezik. Për ditë me radhë pas shpërthimit, hiri helmues vullkanik ra në qytetin e Gomës dhe pati dhjetëra e dhjetëra lëkundje tërmeti. U desh të evakuohej më shumë se gjysma e qytetit. Qindra mijëra u shpërngulën, madje disa kaluan përtej kufirit, në Ruandë.

Në një pronë të Sallës së Mbretërisë, komiteti vendës i ndihmës siguroi qull tërshëre të ngrohtë

 Mes të evakuarve ishin rreth 5.000 Dëshmitarë të Jehovait. Disa humbën shtëpitë për shkak të shpërthimit vullkanik; të tjerëve u grabitën banesat pasi u larguan. Komitetet e ndihmës në Ruandë dhe në Republikën Demokratike të Kongos bashkëpunuan për dhënien e ndihmës. Dega e Kongos (Kinshasë) raporton për një nga komitetet e ndihmës: «Situata në qytet ishte kaotike, prapëseprapë që para se të jepej urdhri për evakuim, komiteti nisi të shpërndante ushqim, ujë, çarçafë e batanije dhe veshje.» Në një qytet ku ishin mbledhur mbi 2.000 vëllezër, komiteti i ndihmës ngriti tenda, shpërndau maska dhe shpjegoi si të ulej rreziku i infektimit me COVID-19 dhe kolerë.

Çanta ushqimesh që po i peshojnë para se t’i shpërndajnë te bashkëbesimtarët e evakuar

 Brenda 3 muajsh nga katastrofa, vëllezërit kishin shpërndarë mbi 6 tonë oriz, 6 tonë miell misri, 3 tonë vaj për gatim dhe 3 tonë ujë. Për të kursyer paratë, dega mori masa që ushqimi të blihej brenda vendit në sasi të mëdha, në vend që të porositnin ushqime më të kushtueshme jashtë shtetit.

 Një motër së cilës iu shkatërrua shtëpia nga shpërthimi, tha: «Ndiheshim përtokë dhe na dhimbte shpirti.» Më pas familja mori ndihmë materiale dhe inkurajim për të mos u dorëzuar. Tani motra komenton: «Me ndihmën e Jehovait kemi akoma gjithë sa na duhet. E kemi parë se Jehovai i mban barrët tona dhe na e bën kaq të lehtë t’ia dalim mbanë.»

Kolapsi ekonomik në Venezuelë

 Prej vitesh Venezuela ka pasur probleme financiare serioze. Vëllezërit tanë atje po përballen me kushte jetese tejet të vështira, me mungesa ushqimesh dhe krime që rriten dita-ditës. Pavarësisht nga tërë këto, organizata e Jehovait nuk i ka braktisur.

Duke ngarkuar thasë me oriz për t’i shpërndarë në zona të ndryshme të Venezuelës

 Gjatë vitit të kaluar të shërbimit, u shpenzuan mbi 1,5 milionë dollarë për të blerë dhe për të transportuar ushqim dhe sapun për familjet që kishin nevojë. Dega e Venezuelës raporton: «Nuk është aspak e lehtë të transportosh 130 tonë ushqim në katër cepat e vendit çdo muaj, dhe pastaj të sigurohesh që të mbërrijë te vëllezërit që kanë nevojë.» Që ushqimi të mos shkojë dëm, shpesh vëllezërit dërgojnë produkte që nuk prishen shpejt. Dega shton: «Kryesisht blejmë ushqime të stinës me shumicë kur çmimet janë më të ulëta. Më pas e transportojmë në mënyrën më ekonomike të mundshme.»

Ngaqë mungon karburanti dhe nuk kanë shumë mjete për transport, vëllezërit e rinj bëjnë deri në 18 kilometra me biçikletë që të shpërndajnë ushqime nëpër kongregacione

 Leoneli, pjesëtar i Komitetit të Ndihmës në Rast Katastrofash në Venezuelë, e ka shumë për zemër caktimin e tij. Ai komenton: «Puna për dhënien e ndihmës është speciale. Ky privilegj më ka përtërirë vërtet që kur humba bashkëshorten time të shtrenjtë për shkak të COVID-19. Jam gjithë kohës i zënë dhe ndihem i dobishëm për vëllezërit që kanë nevojë. Po e shoh me sytë e mi se Jehovai e mban premtimin për të mos e braktisur popullin e tij.»

 Një vëlla që mori ndihma, dikur kishte punuar vetë në një komitet ndihme. Ai shprehet: «Tani e kisha unë radhën të më ndihmonin. Nuk morëm vetëm ndihmë materiale. Vëllezërit na kanë ndihmuar mua dhe gruan time të jemi të qetë. Ata u kujdesën për ne, na ngushëlluan dhe na dhanë zemër.»

 Disa katastrofa ndodhin ose pa asnjë paralajmërim ose me fare pak paralajmërim. Prapëseprapë, organizata e Jehovait shpesh ia ka dalë të mbledhë e të shpërndajë gjërat e nevojshme sa hap e mbyll sytë, falë dhurimeve tuaja për veprën mbarëbotërore. Disa metoda për të kontribuar, përshkruhen te donate.pr418.com. Jemi shumë mirënjohës për bujarinë tuaj!

a Viti i shërbimit 2021 filloi më 1 shtator 2020 dhe mbaroi më 31 gusht 2021.

b Shumat në dollarë, që janë përmendur në artikull, i referohen dollarit amerikan.