Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Majtas: vullnetarët në Kili ndihmuan në rindërtimin e shtëpisë së një çifti pas zjarreve shkatërrimtare. Djathtas: dy motra nga Nigeria morën ndihmë pasi zona e tyre u prek nga një përmbytje që u rrezikoi jetën banorëve.

SI PËRDOREN DHURIMET E TUA

Ndihmë në rast katastrofash në vitin 2023—«Kemi parë me sytë tanë dashurinë e Jehovait!»

Ndihmë në rast katastrofash në vitin 2023—«Kemi parë me sytë tanë dashurinë e Jehovait!»

26 JANAR 2024

 Bibla kishte parathënë se gjatë përfundimit të sistemit ‘do të ngrihej komb kundër kombi’ dhe do të kishte katastrofa. (Mateu 24:3, 7) Kemi parë me sytë tanë si janë përmbushur këto fjalë profetike gjatë vitit të shërbimit 2023. a Në rreth 100 vende ka pasur konflikte të armatosura dhe katastrofa natyrore. Megjithatë, Dëshmitarët e Jehovait kanë imituar gjithnjë dashurinë e Jehovait. Si?

 Gjatë vitit të shërbimit 2023, vëllezërit tanë janë prekur nga më shumë se 200 katastrofa natyrore ose të shkaktuara nga njeriu. Për t’u ardhur në ndihmë, entet ligjore të Dëshmitarëve të Jehovait kanë shpenzuar në total më shumë se dhjetë milionë dollarë b nga fondet e dhuruara për veprën mbarëbotërore. Veç kësaj, shumë vëllezër e motra kanë dhuruar nga të ardhurat e tyre për të ndihmuar të prekurit në zonën e tyre. Të shohim si janë përdorur fondet e dhuruara për të ndihmuar ata që u prekën nga dy prej shumë katastrofave që kanë goditur vëllezërit tanë.

«Dashuria e vërtetë ekziston!»

 Shumë zona të Nigerisë përmbyten zakonisht nga shira stinore. Sidoqoftë, përmbytjet e tetorit të 2022-shit ishin më të këqijat që ka përjetuar vendi në dhjetë vitet e fundit. U shkatërruan mbi 676.000 hektarë tokë bujqësore dhe mbi dy milionë njerëzve iu desh të braktisnin shtëpitë e tyre. Dega e Nigerisë ngriti menjëherë Komitetet e Ndihmës në Rast Katastrofash që t’u siguronin vëllezërve e motrave ndihmën e nevojshme nga ana materiale dhe e besimit.

Vëllezërit në Nigeri kaluan në rrugët e përmbytura nga lumenjtë e dalë nga shtrati për të shpërndarë disa ndihma

Situata e vëllezërve dhe e motrave

  •   7.505 lajmëtarë janë shpërngulur

  •   860 shtëpi janë dëmtuar ose janë shkatërruar

  •   90 Salla Mbretërie dhe një Sallë Asamblesh janë përmbytur

Përdorimi i fondeve të dhuruara

 U shpenzuan mbi 250.000 dollarë për ndihmë në rast katastrofash, ku përfshihen:

  •   artikuj ushqimorë si makarona, oriz dhe fasule

  •   gjëra të nevojshme për shtëpinë si dyshekë dhe rrjeta mushkonjash

  •   riparime ose rinovime të shtëpive të dëmtuara

 Si u siguruan vëllezërit që fondet e dhuruara të përdoreshin me mençuri? Për shembull, ata kontrollonin me kujdes secilën ndërtesë nëse mund të riparohej. Nëse nuk ia vlente të riparohej, e ndërtonin nga e para duke përdorur një projekt të thjeshtë e të zakonshëm për atë zonë.

 Vëllezërit dhe motrat tona janë shumë mirënjohës për ndihmën që morën. Një motër u shpreh: «Përmbytja tronditi jetët tona, sepse na u shkatërruan të gjitha tokat dhe mbetëm të pastrehë. Sa të lehtësuar u ndiem kur po atë ditë erdhën vëllezërit dhe motrat për të na ndihmuar dhe për të na siguruar një vend ku të qëndronim! Edhe zyra e degës na ndihmoi goxha me ushqimet që na dërgoi. Mbetëm pa fjalë teksa përjetonim përmbushjen e Gjonit 13:34, 35. . . . Dashuria e vërtetë ekziston! Unë dhe gjithë familja duam t’i falënderojmë nga thellësia e zemrës vëllezërit që na erdhën në ndihmë në kohën e duhur.»

 Disa që nuk janë Dëshmitarë e vunë re ndihmën që u dhanë vëllezërit e motrat atyre që ishin dëmtuar nga katastrofa. Kreu i një komuniteti në Sabagreia, në shtetin e Bajelsës, komentoi: «Ka shumë organizata dhe kisha në botë, por Dëshmitarët e Jehovait janë të vetmit që kanë bërë diçka të tillë. . . . Organizata [juaj] është një ndër më të mirat në botë.»

«Kemi parë me sytë tanë dashurinë e Jehovait!»

 Gjatë shkurtit të  2023-shit, mbi 400 zjarre shkaktuan dëme të mëdha në Kili. Më shumë se 430.000 hektarë tokë, së bashku me pjesë të rëndësishme të infrastrukturës së Kilit u shkatërruan. Përafërsisht 8.000 veta u evakuan. Pak pasi goditi katastrofa, zyra e degës filloi të organizonte dhënien e ndihmës.

Në Kili, vullnetarët rindërtuan shtëpinë e një familjeje, që nuk mund të riparohej

Situata e vëllezërve dhe e motrave

  •   222 lajmëtarë janë detyruar të evakuohen

  •   20 shtëpi janë shkatërruar

Përdorimi i fondeve të dhuruara

 U shpenzuan mbi 200.000 dollarë për ndihmë në rast katastrofash, ku përfshihen:

  •   ushqim dhe ujë

  •   karburant, materiale pastrimi dhe ilaçe

  •   rinovimi i shtëpive të dëmtuara

 Pjesëtarët e një familjeje mbetën të shokuar kur gjithçka që kishin, përfshirë shtëpinë dhe biznesin, u shkatërrua. Nuk u kishte mbetur më asgjë për të siguruar jetesën. Ditët e para ishin traumatike për ta tek shihnin vendin e shkretuar, ku më parë ndodhej shtëpia. Por ndërsa shihnin që shtëpia e tyre po rinovohej dhe ndienin dashurinë e kujdesin e vullnetarëve, dalëngadalë filluan t’i kapërcenin frikërat dhe shqetësimet. Madje u prekën aq shumë nga kjo, saqë iu bashkuan vullnetarëve dhe ndihmuan në ndërtimin e shtëpisë së një vëllai tjetër.

 Shumë vëllezër dhe motra ngelën pa fjalë nga puna që u bë për dhënien e ndihmës. Një vëlla tha: «Komitetet e Ndihmës në Rast Katastrofash janë një masë e mrekullueshme nga Jehovai. Ditën pas tragjedisë vëllezërit ishin përkrah nesh duke na siguruar gjërat bazë. Inkurajohesh shumë kur lexon për dhënien e ndihmës në rast katastrofash në vende të tjera të botës. Por është krejt ndryshe kur të ndodh ty. E çmon akoma më shumë organizatën, mënyrën si i pasqyrojnë vëllezërit cilësitë e Jehovait dhe si merakosen që të kemi gjërat e nevojshme materiale, të mbajmë një besim të fortë e të ruajmë një qëndrim pozitiv. Kemi parë me sytë tanë dashurinë e Jehovait!»

 Ndërsa i afrohemi fundit të këtij sistemi, do të shohim gjithnjë e më shumë katastrofa. (Luka 21:10, 11) Megjithatë, Mbreti ynë i dashur, Jezu Krishti, do të vazhdojë të na sigurojë me anë të kongregacionit të krishterë se është me ne «gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit». (Mateu 28:20) Kontributet tuaja bujare për veprën mbarëbotërore, me anë të donate.pr418.com dhe mënyrave të tjera, së bashku me kohën dhe energjitë që dhuroni, tregojnë se po mbështetni Mbretërinë dhe Mbretin e saj të dashur. Ju falënderojmë me gjithë zemër bujarinë që vazhdoni të tregoni!

a Viti i shërbimit 2023 filloi më 1 shtator 2022 dhe mbaroi më 31 gusht 2023.

b Të gjitha shumat në dollarë që janë përmendur në artikull, i referohen dollarit amerikan.