SI PËRDOREN DHURIMET E TUA
Ndihmë në raste katastrofash në vitin 2022—Dashuria vëllazërore në veprim
1 JANAR 2023
Bibla paratha se në ditët tona do të kishte luftëra, tërmete, murtaja dhe ‘fenomene të tjera të frikshme’. (Luka 21:10, 11) Këto fjalë profetike vazhduan të përmbusheshin gjatë vitit të shërbimit 2022. a Për shembull, lufta në Ukrainë vazhdoi pareshtur, duke ndikuar te miliona jetë njerëzish. Pjesa më e madhe e botës akoma s’e kishte marrë veten plotësisht nga pandemia COVID-19. Përveç kësaj, shumë veta u prekën nga katastrofa natyrore, si tërmetet në Haiti dhe stuhitë shkatërrimtare në Amerikën Qendrore, në Filipine dhe në Afrikën juglindore. Si i kanë ndihmuar Dëshmitarët e Jehovait të prekurit nga këto fenomene?
Gjatë vitit të shërbimit 2022, organizata jonë u ka siguruar ndihmë atyre që u dëmtuan nga rreth 200 katastrofa. Gjithsej shpenzuam rreth 12 milionë dollarë në ndihma. b Të shohim si u përdorën dhurimet për të ndihmuar ata që u prekën nga dy katastrofa.
Tërmetet në Haiti
Më 14 gusht 2021, Haiti u godit nga një tërmet me magnitudë 7,2 ballë. Mjerisht, tre Dëshmitarë humbën jetën, dy motra dhe një vëlla. Të mbijetuarve iu desh të përballeshin me dhimbje fizike dhe emocionale. Një vëlla që quhet Stefan thotë: «Në gjithë qytetin vdiqën aq shumë veta, sa për më shumë se dy muaj pati funerale çdo javë.» Një vëlla tjetër, Eliezeri, thotë: «Shumë Dëshmitarë mbetën pa shtëpi, pa rroba, pa këpucë dhe pa gjëra të tjera bazë. Për muaj të tërë, shumë veta jetonin me frikë nga pasgoditjet e vazhdueshme.»
Organizata jonë veproi shpejt për të ndihmuar. Dega e Haitit siguroi mbi 53 tonë ushqime si edhe tenda, mushama, dyshekë dhe karikues diellorë për celularë. Gjithashtu, gjatë vitit të shërbimit 2022 u rindërtuan ose u riparuan më shumë se 100 shtëpi. U shpenzuan më shumë se një milionë dollarë në ndihma.
Motrat dhe vëllezërit tanë janë tej mase mirënjohës. Loreta thotë: «Shtëpia dhe biznesi na u shkatërruan plotësisht nga tërmeti. S’kishim asgjë për të ngrënë. Por organizata e Jehovait na qëndroi pranë, duke na siguruar çdo gjë të nevojshme.» Mikelina thotë: «Tërmeti dëmtoi shtëpinë ku jetonim unë dhe dy djemtë. E vetmja gjë që mund të bëja ishte të lutesha dhe Jehovai m’u përgjigj me anë të organizatës së tij. Tani jetojmë në një shtëpi të qëndrueshme. Jam e vendosur që të bëj çdo gjë për t’i treguar Jehovait sa mirënjohëse jam.»
Përpjekjet tona për të dhënë ndihmë nuk kaluan pa u vënë re nga autoritetet lokale. Kryetari i komunës së Lazilit u shpreh: «Ju përgëzoj për faktin që na erdhët kaq shpejt në ndihmë. Jeni për t’u lavdëruar që shfaqni respekt të madh për autoritetet. Më bëhet qejfi që nuk i bëni gjërat për pará, por ngaqë doni të ndihmoni njerëzit. Këtë e bëni nga dashuria.»
Stuhia tropikale Ana godet Malavinë dhe Mozambikun
Më 24 janar 2022, stuhia tropikale Ana goditi Mozambikun dhe pastaj vazhdoi në perëndim drejt Malavisë. Cikloni solli reshje të mëdha shiu dhe erëra të forta, me shpejtësi deri në 100 kilometra në orë. Si pasojë u ndërpre energjia elektrike, u prishën urat dhe pati përmbytje të mëdha.
Stuhia preku më shumë se 30.000 Dëshmitarë në Malavi dhe në Mozambik. Çarlsi, një vëlla që ndihmoi pas katastrofës, tha: «Kur pashë sa shumë vuanin vëllezërit dhe sa shumë gjëra kishin humbur, m’u copëtua zemra dhe u ndjeva i paaftë për t’i ndihmuar.» Situata ishte shumë e rëndë ngaqë rezervat ushqimore dhe të korrat ishin shkatërruar nga stuhia. Shumë veta humbën shtëpitë. Mjerisht, një vëlla humbi gruan dhe dy vajzat e vogla, të cilat u mbytën ngaqë varka e tyre e shpëtimit u përmbys.
Stuhia ishte e frikshme. Në Nçurlo të Malavisë, në orën 1 të natës familja Sengeredo dëgjoi zhurmën e fortë të ujit që po vinte me shpejtësi. Dy lumenj kishin dalë nga shtrati. Vëllai Sengeredo vendosi se duhej të dilnin menjëherë nga shtëpia. Ishte vendim i mençur ngaqë pas pak, ujërat shembën shtëpinë. Plaçkat e tyre ose u dëmtuan, ose i mori lumi tej. Familja vendosi të shkonte te Salla e Mbretërisë, e cila normalisht është gati 30 minuta larg më këmbë. Por kësaj radhe, iu deshën dy orë për të shkuar. Kur mbërritën ishin komplet të lagur dhe të lodhur, ama ishin të sigurt.
Menjëherë, degët e Malavisë dhe të Mozambikut organizuan që të siguronin ndihmë. Pleqtë dhe mbikëqyrësit qarkorë morën drejtim nga zyra që të përcaktonin se për çfarë kishin nevojë vëllezërit e prekur dhe t’u jepnin zemër nga Shkrimet. Për të mbikëqyrur dhënien e ndihmës, u caktuan disa Komitete të Ndihmës në Rast Katastrofash (KNRK), të cilat i ndihmuan menjëherë vëllezërit duke u dhënë ushqim dhe gjëra të tjera të nevojshme. Mbi 33.000 dollarë u shpenzuan për të ndihmuar njerëzit dhe më shumë se 300.000 dollarë për të riparuar dhe për të rindërtuar shtëpi.
KNRK-të i përdorën fondet me mençuri, dhe kjo ishte shumë e rëndësishme për shkak të inflacionit të lartë. Për shembull, në shtatë muajt e parë të dhënies së ndihmës, çmimi i miellit të misrit, i cili është ushqim bazë në Malavi, u rrit afërsisht 70 për qind. Edhe çmimi i karburantit u rrit. Për të kursyer fonde, vëllezërit blenë ushqime e materiale ndërtimi vendase dhe në sasi të mëdha. Në këtë mënyrë i morën me çmim më të ulët dhe shmangën koston e lartë të transportit.
Dhënia e ndihmës u preku zemrat shërbëtorëve të Jehovait. Felisberto, një vëlla në Mozambik, thotë: «Kurrë nuk kam parë një organizatë të sigurojë kaq shumë gjëra: materiale ndërtimi, transport, punëtorë ndërtimi, ushqim dhe udhëzime të dashura. Kjo ndihmë ishte shembull i shkëlqyer i dashurisë vëllazërore që përshkroi Jezui te Gjoni 13:34, 35.» Estera, një vejushë në Malavi, së cilës iu shkatërrua shtëpia, thotë: «Isha e dëshpëruar sepse s’kisha mundësi të ndërtoja një shtëpi tjetër. Prandaj, kur vëllezërit erdhën dhe më ndërtuan një shtëpi, u ndjeva sikur isha në botën e re.»
Ndërsa i afrohemi botës së re të premtuar, presim të shohim akoma më shumë katastrofa. (Mateu 24:7, 8) Ama, falë dhurimeve tuaja bujare jemi të sigurt se popullit të Jehovait s’ka për t’i munguar ndihma që i nevojitet. Te siti donate.pr418.com shpjegohet si të bëjmë dhurime. Shumë faleminderit për bujarinë tuaj!