Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

SI PËRDOREN DHURIMET E TUA

Një bibliotekë që mund ta mbash me një dorë

Një bibliotekë që mund ta mbash me një dorë

1 SHTATOR 2021

 «Para pak vitesh, as e imagjinonim dot se mund të merrnim ushqim besimforcues në mënyrë dixhitale.» A je dakord me këtë? Këto fjalë ishin pjesë e fjalimit zemërdhënës të Xhefri Xheksonit, në Raportin nga Trupi Udhëheqës nr. 6, për vitin 2020. Pastaj, ai tha: «Kurse tani as e imagjinojmë dot si do t’ia dilnim mbanë gjatë pandemisë pa mjete, si JW Library. Jehovai na ka përgatitur përgjatë viteve që të ishim gati për një situatë të tillë.»

 Si na ka përgatitur Jehovai? Ç’punë është bërë për të krijuar aplikacionin JW Library dhe si mirëmbahet e përmirësohet?

I pari në llojin e vet

 Në maj 2013 Trupi Udhëheqës i kërkoi Repartit të Programimit MEPS, në selinë botërore, që të zhvillonin një aplikacion i cili do të përmbante botimin e rishikuar Përkthimi Bota e Re. Pol Uillisi, që punon me Programimin MEPS, tha: «Deri në atë moment nuk kishim nxjerrë asnjë aplikacion në asnjë nga app stores. Por krijuam një skuadër, ndërpremë disa projekte dhe bashkëpunuam me reparte të tjera që të ideonim dhe të ndërtonim një aplikacion me të gjitha elementet. Luteshim shpesh dhe, me ndihmën e Jehovait, aplikacioni u prezantua në mbledhjen vjetore, vetëm 5 muaj më vonë!»

 Sfida tjetër ishte që këtë aplikacion ta kthenim në një bibliotekë të vërtetë, që do të mbante më shumë botime dhe që do të disponohej në më shumë gjuhë. Aty nga janari 2015, shumica e botimeve tona të fundit në anglisht ishin në këtë aplikacion, dhe vetëm pas 6 muajsh, përdoruesit mund t’i shkarkonin këto botime në qindra gjuhë të tjera.

 Që atëherë, vëllezërit e kanë përmirësuar aplikacionin në sa e sa mënyra: janë shtuar video; të gjitha botimet dhe media për mbledhjet e kongregacionit janë mbledhur në një opsion; përdoruesit mund të gjejnë referime nga Mjet kërkimesh direkt nga një varg i Biblës.

Mirëmbajtja e Bibliotekës

 JW Library hapet çdo ditë nga 8 milionë pajisje dhe çdo muaj nga më se 15 milionë pajisje! Çfarë kërkohet që aplikacioni të punojë siç duhet? Vëlla Uillisi shpjegon: «Një aplikacion nuk konsiderohet asnjëherë i përfunduar. Po punojmë pareshtur që të shtojmë veçori të reja dhe ta bëjmë sa më të dobishëm e të lehtë për përdoruesit. Ngaqë sistemet operative për pajisjet dixhitale përditësohen shpesh, edhe ne duhet ta përditësojmë vazhdimisht aplikacionin, që të funksionojë te sistemet e fundit. Duhet të mirëmbajmë e të përditësojmë edhe software-t tona teksa botimet dhe regjistrimet në JW Library shtohen dita-ditës.» Duke llogaritur të gjitha gjuhët, tani në JW Library ka rreth 200.000 botime dhe mbi 600.000 incizime audio dhe video.

 Për të siguruar mbështetje të vazhdueshme për aplikacionin, nuk mjaftojnë vetëm pajisjet kompjuterike. Duhen blerë edhe licensa të programeve kompjuterike. Vetëm për një prej tyre duhen paguar 1.500 dollarë në vit. Përveç kësaj, Programimi MEPS shpenzon rreth 10.000 dollarë në vit për pajisje të kompanive të ndryshme, që aplikacioni të punojë pa probleme në kompjuterë, tabletë dhe telefonë të rinj.

Shkarkime që kursejnë fondet e dhuruara

 JW Library i ka kursyer ndjeshëm fondet e dhuruara për shtypjen, lidhjen dhe transportin e literaturës. Për shembull, të flasim për broshurën Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë. Kemi shtypur thuajse 12 milionë broshura Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë—2013. Mirëpo, për botimin e vitit 2020 shtypëm rreth 5 milionë broshura—edhe pse kemi rreth 700.000 lajmëtarë më shumë në tërë botën. Pse shtypëm kaq pak? Tani shumë vëllezër e motra e lexojnë shkrimin e ditës në JW Library. a

«Vërtet s’ka të çmuar!»

 JW Library i ndihmon përdoruesit e saj në sa e sa mënyra. Xhineveva, që jeton në Kanada, thotë se aplikacioni po e ndihmon të studiojë rregullisht. Ajo komenton. «Sinqerisht, nëse do të mblidhja gjithë librat që më duhen, nuk mendoj se do të studioja çdo mëngjes. Ama, me aplikacionin kam çdo gjë që më duhet, dhe të gjitha në tabletë. Studimi i rregullt më ka forcuar besimin dhe më ka lidhur më ngushtë me Jehovain.»

Xhineveva

 Aplikacioni ka qenë i dobishëm sidomos gjatë pandemisë COVID-19. Sharlina nga Shtetet e Bashkuara, shpjegon: «Ndërsa pandemia pllakosi tërë botën, nuk kam marrë asnjë botim të shtypur për më shumë se një vit. Por aplikacioni JW Library ka pasur gjithë sa na duhej për të ruajtur të fortë besimin dhe falënderoj Jehovain për këtë dhuratë fantastike.»

 Shumë veta ndihen si Feji, që jeton në Filipine. Ajo thotë: «Ky aplikacion është një ndihmë e fuqishme për të ruajtur miqësinë me Jehovain. Me t’u ngritur në mëngjes, lexoj një pjesë nga aplikacioni. Kur bëj punët e shtëpisë, dëgjoj nga ai. E përdor për të studiuar për mbledhje. Aty bëj kërkime për të drejtuar një studim të Biblës. Kur kam kohë të lirë, shoh videot në të. Lexoj artikuj ose Biblën kur pres nëpër radha. Vërtet s’ka të çmuar!»

 Aplikacioni ka qenë një ndihmë e jashtëzakonshme edhe për shërbimin. Për shembull, një motër në Kamerun donte të përdorte një shkrim në shërbim, të cilin e kishte përdorur një motër tjetër para pak javësh. Mirëpo nuk po i kujtohej ku ishte vargu. Ajo shpjegon: «Jam e kënaqur që më erdhi ndër mend një shprehje nga shkrimi. Hapa aplikacionin, shkova te Bibla dhe kërkova këtë shprehje. E gjeta menjëherë shkrimin. Me aplikacionin mund të gjej tërë ato vargje që ndonjëherë nuk më kujtohen.»

 Dhurimet tuaja bujare nëpërmjet metodave në donate.pr418.com na kanë ndihmuar të zhvillojmë, të mirëmbajmë dhe të përmirësojmë aplikacionin JW Library për vëllezërit e motrat anekënd botës. Shumë faleminderit për bujarinë që tregoni!

Momente historike për JW Library

  1. Tetor 2013—Del aplikacioni me Përkthimin Bota e Re të rishikuar

  2. Janar 2015—Shtohen botime të tjera në anglisht, si dhe në qindra gjuhë të tjera

  3. Nëntor 2015—Shtohet opsioni për të nënvizuar tekstin

  4. Maj 2016—Shtohet opsioni Meetings (mbledhjet)

  5. Maj 2017—Shtohet opsioni për të mbajtur shënime

  6. Dhjetor 2017—Shtohen materiale për Biblën për studim

  7. Mars 2019—Shtohet opsioni për të shkarkuar incizime audio, për të parë video streaming dhe për të përdorur referimet nga Mjet kërkimesh

  8. Janar 2021—Shtohen veçori të përparuara të librit Gëzoje jetën përgjithmonë

a Çdo shkarkim nga JW Library ka një kosto të vogël. Për shembull, vjet shpenzuam mbi 1,5 milionë dollarë për të siguruar streaming dhe shkarkime nga jw.org dhe nga aplikacioni JW Library. Prapëseprapë kushton shumë më pak të shkarkosh botime dixhitale dhe incizime, se të prodhosh e të transportosh literaturë, CD dhe DVD.