SI PËRDOREN DHURIMET E TUA
Një botim komplet ndryshe për studimin e Biblës
1 PRILL 2022
Në janar 2021, Trupi Udhëheqës prezantoi një mjet të ri për studimin e Biblës, botimin Gëzoje jetën përgjithmonë. a Si e pritët këtë njoftim? Methju nga Kanadaja thotë: «U emocionova jashtë mase! Dhe emocionet shtoheshin e shtoheshin ndërsa dëgjoja fjalimet e shihja videot që shpjegonin pse ishte përgatitur ky botim dhe si ishte testuar. Mezi po prisja ta shihja e ta përdorja.»
Botimi Gëzoje jetën përgjithmonë prezanton një metodë të re për të drejtuar studime të Biblës. Megjithatë, libri përmban edhe risi të tjera krahasuar me botimet e mëparshme për studim. Nëse po përdor një format të shtypur të botimit Gëzoje jetën përgjithmonë, mbase e ke vënë re se të krijon një ndjesi tjetër. Pse themi kështu? Le të mësojmë diçka më tepër për këtë libër.
Një libër i ri me një ndjesi të re
Letër më e plotë. Pse duhej kjo lloj letre? Libri Gëzoje jetën përgjithmonë ka mbi 600 figura shumëngjyrëshe, gati dhjetëfish më shumë se libri Çfarë na mëson Bibla? Në faqet e tij ka më shumë hapësirë, pra, pjesë pa tekst ose figura. Këta dy faktorë paraqitin një problem: kur fleta është e hollë, figurat në anën tjetër të faqes mund të shihen, edhe pse jo shumë qartë. Për të shmangur këtë, vëllezërit në Repartin Ndërkombëtar të Shtypjes (IPD), në Uollkill, Nju-Jork, SHBA, testuan 4 lloje letrash që po përdorim në këtë periudhë në shtypshkronjat tona. Komiteti i Shkrimit i Trupit Udhëheqës shqyrtoi me kujdes çdo mostër dhe zgjodhi letrën që ishte më pak transparente. Edhe pse kushton rreth 16 për qind më shumë se letra që përdorim për shumicën e botimeve tona, falë kësaj letre, studentët e Biblës mund të lexojnë çdo faqe të librit Gëzoje jetën përgjithmonë pa u shpërqendruar nga figurat në anën tjetër të faqes.
Kopertinë ndryshe. Kopertina e librit të ri ndryshon nga kopertinat e librave të tjerë, sepse është veshur me një material tjetër mbrojtës. Në vend të materialit të zakonshëm me shkëlqim, libri përbëhet nga një material mat, falë të cilit figura në kopertinë shihet më qartë. Ky material e mbron librin edhe nga shenjat e konsumimit për shkak të përdorimit të shpeshtë. Megjithatë, materiali mat mund të kushtojë deri në 5 herë më tepër se materiali me shkëlqim. Për këtë arsye, disa degë punuan së bashku që të blinin një material mat me çmim më ekonomik.
Pse u zgjodhën këto materiale më të shtrenjta? Një vëlla që punon për IPD-në, shpjegon: «Presim që ky libër të përdoret shumë, prandaj duam që të mbetet sa më dinjitoz, pavarësisht nga përdorimi i shpeshtë.» Eduardoja, që punon në Zyrën e Shtypshkronjës në degën e Brazilit, komenton: «Jemi shumë të lumtur të shohim që organizata e Jehovait ka përdorur materiale cilësore për ta bërë këtë libër të bukur, rezistent dhe të këndshëm për ta mbajtur në dorë, e në të njëjtën kohë po përdor me mençuri fondet e dhuruara.»
Shtypja gjatë pandemisë COVID-19
Librin Gëzoje jetën përgjithmonë nisëm ta shtypnim në mars 2021, pra, gjatë pandemisë COVID-19. Mirëpo, kjo paraqiti disa vështirësi. Ngaqë Betheli ishte i mbyllur, nuk kishim vullnetarë të jashtëm që të punonin në shtypshkronja dhe as mund të ftonim vëllezër të rinj të shërbenin si bethelitë. Kështu që disa shtypshkronja nuk patën mjaft personel, ndërsa të tjera u mbyllën përkohësisht për shkak të kufizimeve nga qeveritë përkatëse.
Si u përballuan këto vështirësi? Kur shtypshkronjat mund të përdoreshin prapë, vëllezër e motra nga reparte të ndryshme të Bethelit u caktuan përkohësisht të jepnin një dorë në shtypjen e materialeve. Xhoeli që punon për IPD-në, u shpreh: «Qëndrimi i tyre vetëmohues dhe gatishmëria për të mësuar caktime të reja ishin të paçmuara për të realizuar këtë projekt në shtypshkronjë.»
Me gjithë vështirësitë që patëm, kemi shtypur miliona libra Gëzoje jetën përgjithmonë. Për prodhimin e tyre na janë dashur lloj-lloj materialesh, si pllaka tipografike, shtresa mbrojtëse, letër, bojë dhe ngjitës. Gjatë 5 muajve të parë të shtypjes, vetëm për materialet u shpenzuan mbi 2,3 milionë dollarë. Për të kursyer pará, u përpoqëm të shtypnim vetëm aq libra sa u duheshin vërtet kongregacioneve.
«Është një vepër arti»
Si ndihen mësuesit e Biblës dhe studentët e tyre për këtë mjet të ri për studimin e Biblës? Poli, një vëlla në Australi, thotë: «Libri Gëzoje jetën përgjithmonë është kaq fantastik për t’u përdorur, sa mezi pres të studioj Biblën me të tjerët. Mënyra si është organizuar materiali, është goxha tërheqëse dhe interaktive. Është një kombinim i shkëlqyer i informacionit të qartë, i pyetjeve motivuese, i videove, i figurave, i tabelave dhe i synimeve për studentët. Është një vepër arti që më nxit të përmirësoj mësimdhënien.»
Një student i Biblës në Shtetet e Bashkuara tha: «Më pëlqen shumë libri i ri. Figurat më ndihmojnë të kuptoj pikat kryesore. Videot më prekin zemrën dhe më motivojnë të veproj.» Ky student po e studion Biblën 2 herë në javë dhe po i ndjek rregullisht mbledhjet e kongregacionit.
Duhen shtypur ende miliona libra Gëzoje jetën përgjithmonë në shumë gjuhë. Deri më sot Trupi Udhëheqës ka miratuar botimin e këtij libri në 710 gjuhë, 340 më tepër se libri Çfarë na mëson Bibla?
Si mbulohen shpenzimet për shtypjen e tyre? Nëpërmjet dhurimeve për veprën mbarëbotërore, shumica e të cilave bëhen nëpërmjet donate.pr418.com. E çmojmë jashtë mase bujarinë që tregoni, sepse po na ndihmoni të prodhojmë mjete për studimin e Biblës për ata që duan të mësojnë për Jehovain dhe ‘të gëzojnë jetë përgjithnjë’.—Psalmi 22:26.
a U prezantua në JW Broadcasting gjatë programit të bazuar në Bibël si pjesë e programit të mbledhjes vjetore.