SI PËRDOREN DHURIMET E TUA
Pika që u ndryshojnë jetën të verbërve
1 TETOR 2021
Revista Kulla e Rojës, 1 qershor 1912 thoshte : «Ka shumë mundësi që mjaft nga lexuesit tanë të njohin njerëz që janë të verbër. Ata mund të marrin falas materiale për të lexuar. . . . Këto botime janë shtypur me karaktere në reliev, që të verbrit mund t’i lexojnë.» Kulla e Rojës shtonte: «Shumë të verbër janë thellësisht mirënjohës për lajmin se së shpejti bota do të gëzojë bekime të mrekullueshme.»
Kur u shkruan këto fjalë, vende të ndryshme anglishtfolëse kishin sistemet e tyre brail. Megjithatë, ndërkohë Dëshmitarët e Jehovait i kishin vënë në dispozicion të vërtetat nga Bibla në «karaktere të ngritura», pra në brail, dhe po vazhdojmë sot e kësaj dite. Tani kemi botime në brail në më shumë se 50 gjuhë. Si prodhohen?
Transkriptimi dhe gdhendja në reliev
Hapi i parë është të transkriptosh tekstin në karaktere brail. Majkëll Mileni, që punon me Shërbimet e Përpunimit të Tekstit në Paterson, Nju-Jork, e shpjegon kështu: «Në të kaluarën, për transkriptimin në brail përdornim programe të prodhuara nga të tjerë, mirëpo nuk na zgjidhnin punë për të gjitha gjuhët që na duheshin. Tani përdorim Sistemin e Përkthimit Watchtower, falë të cilit transkriptojmë në brail në shumicën e gjuhëve të botës. Mendoj se nuk ekziston program tjetër i ngjashëm me të.»
Literatura në brail nuk përfshin vetëm tekstin e botimit, por edhe përshkrimin e figurave. Për shembull, ja si përshkruhet figura në kopertinën e botimit në brail Gëzoje jetën përgjithmonë: «Një burrë nis të ecë nëpër një shteg gjarpërues, përgjatë të cilit ka plot gjelbërim, lule, kodra dhe male.» Jamshedi, shërbëtor kongregacioni dhe pionier, i cili është i verbër, tha: «Përshkrimet e këtyre figurave janë kaq të çmuara për mua.»
Pas transkriptimit, dokumentet u dërgohen zyrave të degëve, që të përgatitin botimet në brail. Atje botimi gdhendet në reliev në letër rezistente që as shpohet gjatë procesit e as e humbet formën, pavarësisht nga përdorimi i shpeshtë. Më pas faqet mblidhen, lidhen dhe dërgohen ose me literaturën që merr rregullisht kongregacioni, ose si «material falas për të verbrit», nëse posta e ofron këtë shërbim. Madje, kur është e nevojshme, zyrat e degëve marrin masa për një dërgim tepër të shpejtë, në mënyrë që vëllezërit e verbër ose që kanë probleme me shikimin, t’i kenë këto botime të nevojshme për mbledhjet e kongregacionit.
Për gjithë këtë punë duhet goxha kohë dhe pará. Në fakt, shtypshkronja jonë në Uollkill, Nju-Jork, bën 50.000 Bibla standarde për të njëjtën periudhë që kërkohet për të përgatitur vetëm dy Bibla brail. Ka 25 vëllime për secilën Bibël brail të gradës 2 në anglisht. Materialet e domosdoshme për prodhimin e tyre kushtojnë 123 herë më tepër se materialet që duhen për të prodhuar një Bibël standarde. a Vetëm kopertina për një set me 25 vëllime kushton 150 dollarë!
Si ndihen për punën ata që ndihmojnë për prodhimin e botimeve në brail? Nadia, që shërben në degën e Afrikës së Jugut, thotë: «Vëllezërit e motrat e verbër ose që kanë probleme me shikimin, nuk kanë një jetë të thjeshtë, ndaj për mua është bekim që mund të bëj diçka që i ndihmon. Është e qartë se Jehovai i ka shumë për zemër.»
Mëso të lexosh brail
Po sikur një i verbër të mos dijë të lexojë brail? Pak vite më parë nxorëm botimin Mëso të lexosh brail, libër që përmban edhe karaktere brail, edhe tekst të shtypur. Është përgatitur që një person që sheh dhe një i verbër ta përdorin bashkë. Ky botim është pjesë e mjeteve që mund të përdorë i verbri për të shkruar brail. Ai që mëson brail, i përdor këto mjete që të shtypë vetë në reliev çdo karakter. Ushtrimet për t’i shtypur vetë karakteret në reliev, e ndihmojnë atë që po mëson, të kujtojë kollaj çdo karakter e t’i identifikojë me të prekur.
«Jam komplet ‘e varur’ prej tyre»
Si kanë nxjerrë dobi prej këtyre botimeve vëllezërit e motrat e verbër ose që kanë probleme me shikimin? Ernesti, që jeton në Haiti, ndiqte mbledhjet e kongregacionit, por s’kishte asnjë botim në brail. Prandaj duhej të mbështetej fort te kujtesa, që të përgatiste caktimet dhe të komentonte gjatë pjesëve me pyetje-përgjigje. Ai thotë: «Kurse tani mund të ngre dorën dhe të komentoj kur të dua. Ndihem vërtet si gjithë vëllezërit e motrat e mi. Të gjithë po marrim të njëjtin ushqim besimforcues!»
Jani, një plak që ka probleme me shikimin, i cili jeton në Austri dhe drejton studimin e Kullës së Rojës dhe Studimin e Biblës në Kongregacion, tha: «Botimet tona janë shumë më të qarta se çdo botim tjetër në brail që kam lexuar. Për shembull, kemi numra faqesh, shënime që gjenden fare lehtë dhe përshkrime të hollësishme të figurave.»
Son-uku, një pioniere në Korenë e Jugut, as shikon e as dëgjon. Në të kaluarën, në mbledhje duhej t’ia shpjegonte dikush programin nëpërmjet gjuhës së shenjave me të prekur, kurse tani i lexon vetë botimet për studimin e Biblës në brail. Ajo thotë: «Botimet e tjera në brail mund të jenë të vështira për t’u lexuar, sepse u mungojnë disa pika, kanë rreshta të shtrembër ose kanë letra tejet të holla. Mirëpo, Dëshmitarët e Jehovait përdorin letër të një cilësie më të mirë dhe i bëjnë pikat të dallohen më qartë, kështu që lexoj fare kollaj. Në të kaluarën i studioja botimet e bazuara në Bibël vetëm me ndihmën e të tjerëve. Ndërsa tani mund të studioj vetë. Jam e lumtur që mund të përgatitem për mbledhjet e përjavshme dhe që mund të marr pjesë plotësisht në to. I lexoj të gjitha botimet në brail. Mund të them se jam komplet ‘e varur’ prej tyre.»
Ashtu si botimet tona të shtypura, edhe botimet në brail përmbajnë këtë shprehje: «Ky botim nuk shitet, por botohet si pjesë e një vepre mbarëbotërore të arsimimit nga Bibla, që mbështetet me dhurata vullnetare.» Faleminderit për dhurimet tuaja nëpërmjet metodave në donate.pr418.com! Falë bujarisë suaj, botimet e bazuara në Bibël janë në dispozicion për të gjithë, edhe për të verbrit e për ata që kanë probleme me shikimin.
a Në disa sisteme brail, fjalët shkurtohen për të kursyer hapësirë. Për shembull, në sistemin brail të gradës 2, janë shkurtuar edhe fjalët e zakonshme, edhe kombinimet e shkronjave. Prandaj, një libër brail i gradës 2 është më i vogël se i njëjti libër brail i gradës 1.