SI PËRDOREN DHURIMET E TUA
Salla Mbretërie të sigurta gjatë COVID-19
1 TETOR 2022
«Trupi Udhëheqës ka vendosur që, duke marrë parasysh kufizimet lokale nga qeveritë, të inkurajojë të gjitha kongregacionet të nisin mbledhjet në Sallat e Mbretërisë javën e 1 prillit.» Ky njoftim, që doli në jw.org në fillim të muajit mars 2022, entuziazmoi Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën. Por, pandemia e COVID-19 nuk kishte mbaruar ende. a Cilat modifikime, furnizime dhe pajisje nevojiteshin që të pranishmit në mbledhje të mbroheshin nga virusi? Pas afro dy vitesh pa u përdorur, a do të ishin gati Sallat e Mbretërisë për të mbajtur mbledhjet tona?
Në të vërtetë, vëllezërit tanë kishin muaj të tërë që po përgatiteshin për të rifilluar mbledhjet në Sallat e Mbretërisë.
Nevoja të reja, zgjidhje të reja
Vetëm një muaj pasi u pezullua mbajtja e mbledhjeve në Sallat e Mbretërisë, në vitin 2020, Departamenti Botëror i Projektim-Ndërtimit (BPN), në Uoruik, Nju-Jork, nisi të analizonte si do të ndikonte COVID-19 te mënyra si i përdorim Sallat tona të Mbretërisë dhe se çfarë duhej bërë që vendet e mbledhjeve të ishin të sigurta.
Çfarë nevojitej në një pjesë të botës nuk nevojitej diku tjetër. Methju De Sanktis, nga BPN-ja, shpjegon: «Në disa zona, është problem mungesa e një vendi për të larë duart. Kur Sallat e Mbretërisë nuk kanë ujë të rrjedhshëm, uji duhet blerë ose duhet transportuar nga ndonjë lumë ose pus. Në shtete të tjera, disa qeveri ndryshuan rregullat për ajrin e kondicionuar, për ajrosjen dhe për tabelat me udhëzime për shëndetin e higjienën.»
Çfarë bënë vëllezërit për t’i përballuar këto sfida? Methju thotë se për shumë Salla Mbretërie «rezultuan mjaft të efektshme disa zgjidhje të thjeshta me kosto të ulët». Për shembull, në Papua Guinenë e Re u krijuan vende të thjeshta për larjen e duarve me bidonë plastikë 20-litërsh të pajisur me rubineta. Kështu, vetëm me 40 dollarë amerikanë, vëllezërit arritën të pajisnin Salla Mbretërie në zonat rurale me mjetet për larjen e duarve. Për Sallat e Mbretërisë në Afrikë, u blenë nga një furnitor në Azi mbi 6.000 pajisje të cilësisë së lartë për larjen e duarve.
Ndryshime të tjera përfshinë instalimin ose modifikimin e ventilatorëve dhe të pajisjeve për qarkullimin e ajrit, që të përmirësohej ajrimi në Sallat e Mbretërisë. Shumë kongregacione blenë shkopinj të gjatë për mikrofonat në mënyrë që mikrofonat të mos kaloheshin dorë më dorë. U bënë përpjekje për t’i pakësuar e për t’i dezinfektuar vendet që preken më shpesh e që mund të transmetojnë viruset, si për shembull, dorezat e dyerve dhe rubinetat. Disa kongregacione instaluan në banja rubineta me sensorë që hapen automatikisht. Në Kili, këto ndryshime të nevojshme kushtuan mesatarisht 1.400 dollarë amerikanë për çdo Sallë Mbretërie.
Edhe pse iu dha përparësi sigurisë në Sallat e Mbretërisë, vëllezërit bënë çmos edhe të kursenin fondet e dhuruara. Në disa shtete, për shembull, vëllezërit shfrytëzuan masën e përjashtimit nga taksat për pajisjet për larjen e duarve dhe për shkopinjtë e gjatë për mikrofonat. Zyrat e degëve bashkëpunuan për të kursyer fondet duke blerë furnizime në sasi më të mëdha se zakonisht. Degët dhe Departamenti Global i Blerjeve shpesh organizuan gjërat që t’i blinin materialet direkt nga prodhuesit. Kështu, i morën me çmime më të ulëta dhe për një kohë më të shkurtër.
«Më dhanë atë siguri për të cilën kisha nevojë»
Puna për t’i bërë Sallat e Mbretërisë më të sigurta i ka mbrojtur dhe u ka dhënë siguri atyre që nisën të ndiqnin mbledhjet në Sallë. Dulsina, një motër në Peru, e pranon se ishte «pak e frikësuar» pasi dëgjoi se do të riktheheshim në Sallën e Mbretërisë. Ajo thotë: «U infektova me COVID-19 pak pasi nisi pandemia. Ndaj, nuk ndihesha rehat të shkoja në Sallën e Mbretërisë, ngaqë e dija se mund të infektohesha prapë me këtë virus. Por, kur hyra në Sallën e Mbretërisë, pashë që pleqtë kishin marrë shumë masa për të na mbrojtur shëndetin. Kishin përgatitur vende për të dezinfektuar duart, kishin blerë shkopinj të gjatë për mikrofonat dhe kishin bërë një program për dezinfektimin e Sallës para dhe pas mbledhjeve. Të gjitha këto më dhanë atë siguri për të cilën kisha nevojë.» b
Sara, një motër në Zambie, hasi një vështirësi tjetër. Ajo shpjegon: «Ca muaj më parë, im shoq vdiq nga COVID-19. Kisha merak si do të ndihesha kur të ndiqja mbledhjet në Sallë për herë të parë pa tim shoq.» Por si ndihet tani? Sara thotë: «Mbledhjet në Sallën e Mbretërisë më dhanë siguri se Jehovai është me ne gjatë këtyre ditëve të fundit. Tani, më shumë se kurrë më parë, marr inkurajimin, dashurinë dhe mbështetjen e nevojshme nga pleqtë dhe motrat e vëllezërit e mi.»
Bashkadhuruesit tanë të dashur anembanë botës, janë mirënjohës që më në fund mund të rikthehen në Sallat e Mbretërisë. Faleminderit për dhurimet tuaja, shumë prej të cilave u bënë nëpërmjet donate.pr418.com! Këto dhurime na kanë ndihmuar që qendrat e adhurimit të pastër të jenë të rehatshme dhe të sigurta për t’u mbledhur së bashku.