Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një klasë gjatë një ore mësimi në një Shkollë Galadi të vitit 2017

SI PËRDOREN DHURIMET E TUA

Shkolla e Galadit—Shtrirja e saj mbarëbotërore

Shkolla e Galadit—Shtrirja e saj mbarëbotërore

1 DHJETOR 2020

 Çdo vit disa shërbëtorë specialë në kohë të plotë nga tërë bota ftohen të ndjekin Shkollën Watchtower të Galadit, që mbahet në Qendrën e Arsimimit Watchtower në Paterson, Nju-Jork. a Në këtë shkollë, studentët mësojnë si të jenë më të efektshëm në caktimet e ndryshme në organizatën e Jehovait. Kjo stërvitje i ndihmon të forcojnë e të stabilizojnë kongregacionet dhe degët anekënd globit.

 Shkolla e Galadit është vërtet ndërkombëtare. Për shembull, klasa e 147-të që u mbajt në vitin 2019, kishte 56 studentë nga 29 vende. Studentët që ndjekin Galadin ishin tashmë në ndonjë formë shërbimi special në kohë të plotë, si bethelitë, mbikëqyrës qarkorë, misionarë ose pionierë specialë.

 Përgatitjet për shkollën nisin shumë kohë para se të fillojnë mësimet në klasë. Për shembull, Reparti i Udhëtimeve në Selinë Botërore blen biletat për ata që ftohen të ndjekin shkollën. Për klasën e 147-të të Galadit, çmimi mesatar vajtje-ardhje për në Paterson për çdo student të huaj ishte1.075 dollarë. Studentët nga Ishujt Solomon duhej të bënin katër fluturime për në Paterson dhe tri të tjera për t’u kthyer në shtëpi—gjithsej mbi 35.400 kilometra. Këto fluturime kushtuan 2.300 dollarë për student. Për të kursyer pará, ky repart përdor një program kompjuterik që të gjejë bileta me çmime të arsyeshme. Edhe pasi rezervohet bileta, ky program vazhdon të kërkojë për javë e madje për muaj me radhë për një biletë më të lirë. Gjithashtu, reparti përdor dhe kupona e pikë të dhuruara.

 Shumë studentë kanë nevojë për viza që të futen në Shtetet e Bashkuara. Për këtë arsye, Reparti Ligjor në Selinë Botërore i ndihmon për të marrë vizat. Viza dhe pagesa e regjistrimit kushtojnë mesatarisht 510 dollarë për student.

 Si nxjerrim dobi ne nga stërvitja që marrin këta studentë? Hendra Gunauani që shërben si plak në Azinë Juglindore, ka në kongregacionin e tij një çift që u diplomuan në Galad. Ai thotë: «Më parë kongregacioni ynë nuk kishte pionierë të rregullt. Mirëpo, të diplomuarit nga Galadi ishin goxha të zellshëm e të gatshëm të shërbenin. Kjo ndikoi për mirë te vëllezërit e motrat dhe dy prej tyre u bënë pionierë. Madje, ca kohë më vonë, një motër nga kongregacioni ynë ndoqi Shkollën për Ungjillëzuesit e Mbretërisë.»

 Serxho Panjaitani bashkëpunon me studentë të diplomuar në Galad në një Bethel në Azinë Juglindore. Ai thotë: «Stërvitja që kanë marrë, nuk është bekim vetëm për ta; edhe ne po nxjerrim dobi nga stërvitja e tyre. Sa shumë që kanë mësuar! Mirëpo nuk e mbajnë për vete këtë njohuri dhe nuk përpiqen të bien në sy. Kjo krijon një efekt domino, pra ne që inkurajohemi nga ata, inkurajojmë të tjerë.»

 Si mbulohen shpenzimet për këtë shkollë? Nëpërmjet dhurimeve për veprën mbarëbotërore, shumë prej të cilave bëhen me anë të mënyrave në donate.pr418.com. Faleminderit për kontributet tuaja bujare që mbështetin këtë shkollë globale!

a Programi i kësaj shkolle është hartuar dhe përditësohet nga Reparti i Shkollave Teokratike nën drejtimin e Komitetit të Mësimit të Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait. Mësimi jepet nga instruktorë të këtij reparti si dhe nga instruktorë të ftuar, ndër ta edhe anëtarë të Trupit Udhëheqës.