A vlejnë ende sot normat e Biblës për të drejtën dhe të gabuarën?
Shumë njerëz, madje edhe ata që pohojnë se janë të krishterë, mendojnë se normave morale të Biblës për seksin dhe martesën u ka ikur koha. Që t’u përshtaten ditëve të sotme, disa kisha i kanë ndryshuar mësimet e tyre për sjelljen e drejtë dhe të gabuar. A vlejnë ende sot normat e Biblës për të drejtën dhe të gabuarën? Po. Ky artikull shpjegon pse jemi të sigurt për këtë.
Njerëzit kanë nevojë për normat që ka vendosur Perëndia për të drejtën dhe të gabuarën
Njerëzit u krijuan me nevojën që të kërkojnë drejtim nga Krijuesi. Bibla thotë: «Njeriut që ecën, nuk i takon as të drejtojë hapat e tij.» (Jeremia 10:23) Edhe pse Perëndia Jehova a na krijoi me aftësinë për të marrë vendime, ai nuk na ka dhënë autoritetin ose aftësinë për të vendosur ne vetë se çfarë është e drejtë dhe çfarë e gabuar. Prandaj për këtë, dëshiron që të kërkojmë drejtimin e tij.—Proverbat 3:5.
Këtë drejtim moral të Perëndisë e gjejmë në Bibël. Të shohim pse këto norma kanë kaq shumë vlerë.
Perëndia na ka krijuar. (Psalmi 100:3) Si Krijuesi ynë, Perëndia Jehova e di përsosmërisht çfarë na nevojitet për të gëzuar shëndet të mirë fizik, mendor dhe emocional. Ai e di çfarë na bën të lumtur. Di edhe pasojat që do të korrim nëse shpërfillim drejtimin e tij për çështjet morale. (Galatasve 6:7) Gjithashtu, Jehovai dëshiron më të mirën për ne. Ja pse Bibla e pëshkruan Perëndinë si «Ai që të mëson si të nxjerrësh dobi për vete, Ai që të udhëheq nëpër rrugën nga duhet të shkosh».—Isaia 48:17.
Dëshirat tona mund të na çojnë në udhë të shtrembër. Shumë veta mendojnë se mund të përcaktojnë çfarë është e drejtë ose e gabuar duke ndjekur zemrën—pra, dëshirat dhe pasionet e tyre. Mirëpo, Bibla thotë se «zemra është më e pabesë se çdo gjë tjetër. Ajo është e rrezikshme». (Jeremia 17:9) Nëse zemra jonë nuk udhëhiqet nga mençuria e Perëndisë, do të na nxitë të veprojmë në ndonjë mënyrë për të cilën do të bëhemi pishman më vonë.—Proverbat 28:26; Eklisiastiu 10:2.
A duhet t’i shpërfillin udhëheqësit fetarë normat e Biblës për të drejtën dhe të gabuarën?
Jo! Bibla na mëson të vërtetën për Perëndinë dhe përcakton se si dëshiron ai që të sillemi. (1 Korintasve 6:9-11; Galatasve 5:19-23) Ai do që njerëzit ta dinë këtë të vërtetë. (1 Timoteut 2:3, 4) Prandaj, udhëheqësit fetarë duhet t’u mësojnë të tjerëve çfarë thotë Fjala e Perëndisë.—Titit 1:7-9.
Mirëpo, shumë njerëz nuk duan t’ia dinë për normat morale të Biblës dhe kërkojnë mësues fetarë «që t’u thonë atë që duan të dëgjojnë». (2 Timoteut 4:3, shënimi) Megjithatë, Fjala e Perëndisë jep këtë paralajmërim që të sjell në vete: «Mjerë ata që thonë se e mira është e keqe dhe e keqja është e mirë.» (Isaia 5:20) Është e qartë, pra, se Perëndia do t’u kërkojë llogari udhëheqësve fetarë që nuk u mësojnë saktësisht njerëzve pikëpamjen e Tij për të drejtën dhe të gabuarën.
A nxitin intolerancën normat e Biblës?
Jo. Ata që duan t’i pëlqejnë Perëndisë, ndjekin shembullin dhe mësimet e Jezu Krishtit. Ai u mësoi dishepujve të mos i gjykonin të tjerët, por të tregonin dashuri dhe respekt për të gjithë.—Mateu 5:43, 44; 7:1.
Ata që ndiqnin Jezuin, duhej t’u përmbaheshin normave morale të Perëndisë në jetën e tyre. Gjithsesi duhej të pranonin faktin se të tjerët mund të zgjidhnin norma të ndryshme nga të tyret. (Mateu 10:14) Jezui nuk i autorizoi dishepujt të përdornin politikën ose ndonjë mjet tjetër për t’u imponuar njerëzve pikëpamjet e Perëndisë.—Gjoni 17:14, 16; 18:36.
Ç’dobi nxjerrim kur jetojmë sipas normave morale të Biblës?
Ata që përpiqen të zbatojnë normat e Perëndisë për të drejtën dhe të gabuarën, do të nxjerrin dobi tani e në të ardhmen. (Psalmi 19:8, 11) Disa prej këtyre dobive janë:
a Jehova është emri i Perëndisë siç tregohet në Bibël.—Psalmi 83:18.