Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Anemia: Shkaqet, simptomat dhe kurimi

Anemia: Shkaqet, simptomat dhe kurimi

 «Kam vuajtur nga anemia kur isha adoleshente,—kujton Bethi.—Ndihesha e plogësht, lodhesha shpejt, kockat më dhimbnin dhe e kisha të vështirë të përqendrohesha. Mjeku më dha një kurë me hekur. E bëra kurën, si dhe përmirësova dietën. Shpejt nisa të ndihesha më mirë.»

 Problemi shëndetësor i Bethit është një problem i përhapur. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), 2 miliardë njerëz—rreth 30 përqindëshi i popullsisë botërore—janë anemikë. Në vendet në zhvillim, mesatarisht 50 për qind e grave shtatzëna dhe 40 për qind e parashkollorëve janë anemikë.

 Pasojat e anemisë mund të jenë serioze. Rastet më të rënda mund të çojnë në probleme me zemrën, madje në pamjaftueshmëri të zemrës. Sipas OBSH-së, në disa vende anemia «shkakton 20 për qind të të gjitha vdekjeve maternale». Foshnjat e nënave me anemi nga mungesa e hekurit—forma më e zakonshme e anemisë—mund të lindin para kohe dhe nënpeshë. Fëmijët anemikë mund të kenë një zhvillim më të ngadaltë dhe mund të jenë më të prirur për infeksione. Gjithsesi, anemia e shkaktuar nga mungesa e hekurit zakonisht mund të parandalohet ose të kurohet. a

Çfarë është anemia?

 Anemia është një sëmundje. Me pak fjalë, njerëzit me anemi nuk i kanë në sasinë e duhur rruazat e kuqe të shëndetshme. Arsyet mund të jenë të ndryshme. Në fakt, kërkuesit kanë identifikuar më shumë se 400 lloje të anemisë. Kjo sëmundje mund të jetë e përkohshme ose kronike, e lehtë ose e rëndë.

Çfarë e shkakton aneminë?

 Anemia ka tri shkaqe kryesore:

  •   Humbja e gjakut që pakëson numrin e rruazave të kuqe në trup.

  •   Trupi nuk prodhon sasinë e duhur të rruazave të kuqe të shëndetshme.

  •   Trupi i shkatërron rruazat e kuqe.

 Anemia e shkaktuar nga mungesa e hekurit konsiderohet si anemia më e përhapur në botë. Kur trupi nuk ka mjaftueshëm hekur, ai nuk prodhon hemoglobinën e nevojshme, molekulë e rruazave të kuqe që transporton oksigjenin.

Cilat janë simptomat e anemisë nga mungesa e hekurit?

 Fillimisht anemia mund të jetë e lehtë dhe të mos kuptohet nga ata që e kanë. Edhe pse simptomat variojnë, anemia e shkaktuar nga mungesa e hekurit mund të japë këto shenja:

  •   Lodhje të madhe

  •   Duar dhe këmbë të ftohta

  •   Këputje

  •   Zbehje të lëkurës

  •   Dhembje koke dhe marrje mendsh

  •   Dhembje kraharori, rrahje të shpeshta të zemrës, vështirësi me frymëmarrjen

  •   Thonj të brishtë

  •   Mungesë oreksi, sidomos te foshnjat dhe fëmijët

  •   Dëshirë të madhe për të ngrënë akull, amidon ose niseshte e madje dhé

Cilët janë më të rrezikuar?

 Gratë janë më të prirura për aneminë nga mungesa e hekurit, sepse humbin gjak gjatë ciklit menstrual. Gratë shtatzëna janë po ashtu të rrezikuara nëse në dietë nuk përfshijnë sa duhet vitaminën B9, e njohur ndryshe si acidi folik.

 Foshnjat e lindura para kohe ose me peshë të ulët që nuk marrin mjaftueshëm hekur nga qumështi i gjirit ose nga qumështi artificial.

 Fëmijët që nuk hanë një shumëllojshmëri ushqimesh të shëndetshme.

 Vegjetarianët që nuk përfshijnë mjaftueshëm ushqime të pasura me hekur në dietën e tyre.

 Njerëzit me sëmundje kronike të tilla, si: sëmundjet e gjakut, kanceri, mosfunksionimi i veshkave, ulcerat që shkaktojnë hemorragji të paktë ose disa lloje infeksionesh.

Si ta kurosh aneminë?

 Jo të gjitha anemitë mund të parandalohen ose të kurohen. Por ato të shkaktuara nga mungesa e hekurit ose e vitaminave, zakonisht mund të parandalohen ose të kurohen me një dietë të shëndetshme që përfshin ushqyesit e mëposhtëm:

 Hekuri. Gjendet te mishi, fasulet, thjerrëzat dhe te zarzavatet me gjethe jeshile të fortë. b Për këtë mund të ndihmojë gatimi në enë prej hekuri, meqë studimet sugjerojnë se rrit sasinë e hekurit në ushqim.

 Vitamina B9. Gjendet te frutat, zarzavatet me gjethe jeshile të fortë, bizelet, fasulet, djathi, vezët, peshku, bajamet dhe kikirikët. Gjendet edhe te produktet e grurit të pasuruara me vitamina, si buka, drithërat, makaronat dhe orizi. Forma sintetike e vitaminës B9 është acidi folik.

 Vitamina B12. Gjendet te mishi, qumështi dhe nënproduktet e tij, drithërat e pasuruara me vlera ushqyese dhe te produktet e sojës.

 Vitamina C. Gjendet te qitro dhe lëngu i saj, specat, brokoli, domatet, pjepri dhe te luleshtrydhet. Ushqimet me vitaminë C ndihmojnë që trupi të përthithë hekurin.

 Ushqimet janë në varësi të zonave. Prandaj njih cilat ushqime të zonës kanë vlerat ushqyese thelbësore. Kjo është me rëndësi nëse je grua, sidomos nëse je shtatzënë ose po planifikon të mbetesh shtatzënë. Duke u kujdesur për shëndetin tënd, ul rrezikun që foshnja të lindë anemik. c

a Informacioni i këtij artikulli për dietën dhe gjëra që kanë lidhje me të është marrë kryesisht nga klinika «Mejo» dhe nga The Gale Encyclopedia of Nursing and Allied Health. Konsultohu me një mjek, nëse dyshon se ke anemi.

b Mos merr ose mos i jep fëmijës hekur pa u këshilluar më parë me mjekun. Hekuri i tepërt mund të dëmtojë mëlçinë dhe të shkaktojë probleme të tjera.

c Ndonjëherë mjekët e trajtojnë aneminë me transfuzionin e gjakut, terapi që Dëshmitarët e Jehovait nuk e pranojnë.—Veprat 15:28, 29.