Si mund t’i ndihmojë Bibla burrat që vuajnë nga ankthi
Kur mendon për dikë që vuan nga ankthi, a ndoshta të vjen ndër mend dikush i paralizuar nga frika ose që mezi ngrihet nga krevati në mëngjes apo që flet pa pushim për hallet e shumta.
Disa njerëz reagojnë vërtet kështu kur janë në ankth. Mirëpo, studiuesit kanë vërejtur se të tjerë, sidomos burrat, kanë tendencën të reagojnë ndryshe. Një studim komenton se ka shumë mundësi që burrat «të përdorin alkool, ilaçe dhe drogë për të përballuar ankthin. Ja pse, ajo që në pamje të parë duket si problem me alkoolin, mund të jetë shenjë e çrregullimeve të thella me ankthin. Shpesh ankthi te burrat shfaqet në formën e zemërimit dhe të acarimit».
Patjetër, burrat nuk reagojnë të gjithë njësoj. Por, pavarësisht nga reagimi i personit, ankthi po bëhet një problem gjithnjë e më i madh në këto «kohë kritike, [që janë] të vështira për t’u përballuar». (2 Timoteut 3:1) Nëse po lufton me ankthin, a mund të të ndihmojë Bibla?
Këshilla praktike nga Bibla për të përballuar ankthin
Bibla është e pasur me këshilla të besueshme që të ndihmojnë kur provon ankth. Shqyrto tri prej tyre.
1. «Mos jini kurrë në ankth për të nesërmen, sepse e nesërmja do të ketë ankthet e veta. Secilës ditë i mjaftojnë hallet e veta.»—Mateu 6:34.
Kuptimi: Tregohemi të mençur kur nuk shqetësohemi më tepër seç duhet për atë që mund ndodhë ose jo në të ardhmen. Shpesh frikësohemi për gjëra që nuk ndodhin kurrë. Madje, në disa raste, situatat mund të ndryshojnë për mirë, krejt papritur.
Sugjerim: Kujto rastet kur ishe i sigurt që do të ndodhte diçka e keqe, por që nuk ndodhi. Pastaj peshoji gjërat që të shqetësojnë dhe përpiqu të kuptosh se sa të ngjarë ka që të shndërrohen vërtet në një problem të madh.
2. «Ashtu si hekuri mpreh hekurin, edhe njeriu e mpreh shokun e vet.»—Proverbat 27:17.
Kuptimi: Të tjerët mund të na ndihmojnë të përballojmë ankthin, nëse ua lejojmë. Ata mund të na japin sugjerime praktike bazuar në përvojën e tyre ose të paktën do të na ndihmojnë ta shohim situatën me një sy tjetër.
Sugjerim: Mendo për dikë që mund të të ofrojë një këshillë të vlefshme, për shembull, një mik që ka pasur një problem të ngjashëm me tëndin. Pyete se çfarë e ndihmoi dhe çfarë jo.
3. «Ndërsa hidhni gjithë ankthin [ose «çdo shqetësim (merak)»] tuaj mbi të, sepse ai merakoset për ju.»—1 Pjetrit 5:7.
Kuptimi: Perëndia ka shumë merak për ata që po vuajnë. Ai na fton t’i lutemi për çdo shqetësim tonin.
Sugjerim: Bëj një listë të gjërave që po të shkaktojnë ankth. Pastaj lutju Perëndisë për këto shqetësime, foli për secilin prej tyre dhe kërkoji ndihmë që t’i përballosh.
Ankthi do të marrë fund
Bibla nuk na jep vetëm këshilla për të përballuar ankthin. Ajo na premton edhe se në të ardhmen e afërt, shqetësimet e sotme do të zhduken një herë e përgjithmonë. Si do të ndodhë kjo?
Mbretëria e Perëndisë do t’i eliminojë shkaqet e vërteta të ankthit. (Zbulesa 21:4) Në fakt, nën drejtimin e kësaj Mbretërie, as kujtimet nga ankthi dhe nga stresi nuk do të na rëndojnë më.—Isaia 65:17.
Kjo është e ardhmja që dëshiron për ty «Perëndia që jep paqe». (Romakëve 16:20) Ai na siguron: «Se unë e di mirë ç’mendoj për ju. . . . Dua që të keni paqe, dhe jo të këqija. Dua t’ju jap një të ardhme plot shpresë.»—Jeremia 29:11.