Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A mund të të ndihmojë Bibla të mposhtësh varësinë ndaj drogës?

A mund të të ndihmojë Bibla të mposhtësh varësinë ndaj drogës?

 Çdo vit, miliona veta vdesin nga efektet direkte ose indirekte të përdorimit të substancave të ndryshme, ndër to edhe të drogës. Gjatë pandemisë COVID-19, ky problem vetëm sa është keqësuar. Këshillat e mençura të Biblës kanë ndihmuar shumë veta të mposhtin varësinë ndaj drogës. Nëse po lufton me këtë problem, mençuria e saj mund të të ndihmojë edhe ty. a

Në këtë artikull:

 Pse të besojmë se Bibla mund të na ndihmojë të mposhtim varësinë?

 Studiuesit kanë zbuluar se shpesh varësitë shkaktohen nga probleme më të thella, siç janë ndjenjat e vetmisë, stresi, ankthi dhe depresioni. Bibla mund të të ndihmojë të kesh besim te Perëndia që të përballosh me sukses ndjenjat që mund të çojnë drejt varësisë. Ajo tregon si mund të kesh një miqësi të ngushtë me Zotin. (Psalmi 25:14) Me ndihmën e tij mund t’u bësh ballë problemeve që mbase të duket e pamundur për t’i zgjidhur me forcat e tua.—Marku 11:22-24.

 Katër hapa që na mëson Bibla për t’u çliruar nga varësia

  1.  1. Njih Perëndinë Jehova. b (Gjoni 17:3) Ai është Krijuesi dhe Burimi i forcës së pashtershme. Për më tepër, është Ati yt i dashur qiellor, që dëshiron të jetë miku yt i ngushtë dhe ta përdorë fuqinë e tij për të të ndihmuar. (Isaia 40:29-31; Jakovi 4:8) Perëndia ka rezervuar një të ardhme të mrekullueshme për ty, nëse vendos të nxjerrësh dobi nga dashuria e tij.—Jeremia 29:11; Gjoni 3:16.

  2.  2. Kërkoji Jehovait të të ndihmojë. Lutju Perëndisë dhe kërkoji të të ndihmojë për të mposhtur varësinë, që të jesh ‘i shenjtë [ose i pastër] e i pranueshëm për të’. (Romakëve 12:1) Nëpërmjet frymës së tij të shenjtë, pra, forcës së tij aktive, Zoti do të të japë ‘fuqi përtej asaj që është normale’. (2 Korintasve 4:7; Luka 11:13) Kjo fuqi do të të ndihmojë të mos abuzosh më me drogën dhe të zhvillosh një ‘personalitet të ri’ siç i pëlqen Perëndisë.—Kolosianëve 3:9, 10.

  3.  3. Mbushe mendjen me mendimet e Perëndisë. (Isaia 55:9) Ai do të të ndihmojë ‘të rinosh prirjen tënde mendore’, domethënë të ndryshosh mënyrën si mendon. Nga ana tjetër, kjo do të të ndihmojë të çlirohesh nga varësia. (Efesianëve 4:23) Mendimet e Perëndisë gjenden në Bibël, ndaj është e rëndësishme ta lexosh çdo ditë. (Psalmi 1:1-3) Shumë veta kanë nxjerrë dobi kur dikush tjetër i ka ndihmuar të kuptojë mësimet e Biblës. (Veprat 8:30, 31) Dëshmitarët e Jehovait ofrojnë falas një kurs interaktiv për studimin e Biblës. Gjithashtu të ftojmë të marrësh pjesë në mbledhjet tona, ku shqyrtojmë Biblën dhe se si mund të zbatojmë mësimet e saj në jetën tonë.

  4.  4. Zgjidh shoqëri të mira. Shokët mund të ndikojnë jashtë mase te ti, për mirë a për keq, në luftën që po bën për të mposhtur varësinë. (Proverbat 13:20) Perëndia na siguron mundësi të krijojmë miqësi të mira me ata që e adhurojnë dhe dëshiron që të nxjerrësh dobi nga shoqëria e tyre. (Psalmi 119:63; Romakëve 1:12) Ji përzgjedhës edhe me zbavitjen, sepse personazhet që shohim, dëgjojmë apo për të cilët lexojmë, praktikisht bëhen shokët tanë. Shmang gjithçka që ta dobëson vendosmërinë për të bërë atë që është e drejtë.—Psalmi 101:3; Amosi 5:14.

 Vargje nga Bibla që mund të të ndihmojnë të mposhtësh varësinë

 Psalmi 27:10: «Edhe sikur nëna dhe babai të më braktisnin, Jehovai vetë do të më merrte në gji.»

 «S’e kam njohur kurrë babanë biologjik, dhe kjo ka lënë një ndjenjë boshllëku brenda meje. Kur njoha Perëndinë Jehova si një Person real që më donte vërtet, jeta ime mori kuptim dhe e kisha më të lehtë të mposhtja varësinë.»—Uillbi nga Haiti.

 Psalmi 50:15: «Më thërrit për ndihmë në ditë halli, se unë do të të shpëtoj.»

 «Ky shkrim më ka dhënë forcë sa e sa herë që të vazhdoj përpara, edhe pas rasteve kur i dorëzohesha tundimit. Jehovai e mbajti fjalën.»—Serhiji nga Ukraina.

 Proverbat 3:5, 6: «Beso te Jehovai me gjithë zemër dhe mos u mbështet në aftësinë tënde për të kuptuar. Kushtoji vëmendje në të gjitha udhët e tua, dhe ai do t’i drejtojë shtigjet e tua.»

 «Këto vargje më ndihmuan të mos mbështetesha te vetja, por te Jehovai. Falë forcës së tij arrita ta ndryshoja rrënjësisht jetën time.»—Mikele nga Italia.

 Isaia 41:10: «Mos ki frikë, se unë jam me ty. Mos ji në ankth, se unë jam Perëndia yt. Unë do të të jap forcë, po, do të të ndihmoj, do të të mbaj fort me të djathtën time të drejtësisë.»

 «Vuaja nga kriza të tmerrshme ankthi kur nuk merrja dot drogë. Ky shkrim më bindi se Perëndia do të më ndihmonte të mposhtja ankthin, dhe ashtu ndodhi.»—Andi nga Afrika e Jugut.

 1 Korintasve 15:33, shënimi: «Mos u mashtroni! Shoqëritë e këqija prishin vlerat morale.»

 «Shoqëria e keqe më futi në rrugën e drogës. Arrita të çlirohesha nga kjo varësi vetëm pasi i preva marrëdhëniet me ta dhe zura miqësi të reja me njerëz të pastër, jetën e të cilëve e admiroja.»—Ajzaku nga Kenia.

 2 Korintasve 7:1: «Le të pastrohemi nga çdo gjë që ndot trupin e mendjen.»

 «Këto fjalë më motivuan që ta vazhdoja luftën për të pastruar trupin dhe për të lënë pas varësitë e veset që po më shkatërronin.»—Roza nga Kolumbia.

 Filipianëve 4:13: «Për çdo gjë kam forcë falë atij që më jep fuqi.»

 «E dija që s’ia dilja dot me forcat e mia të mposhtja vesin e drogës, prandaj iu luta Perëndisë për ndihmë. Ai më dha forcën që më duhej.»—Patricia nga Italia.

 Histori reale: Bibla i ndihmoi të mposhtin varësinë

 Xhozef Erenbogeni u rrit në një ambient të dhunshëm dhe krijoi varësi ndaj alkoolit, duhanit, marihuanës dhe heroinës. Disa herë rrezikoi të vdiste nga mbidoza. Në veçanti, një varg nga Bibla e bindi se mund të ndryshonte. Lexo historinë e tij në artikullin «Mësova të respektoja gratë dhe veten».

 Dmitri Korshunovi u përpoq shumë herë të çlirohej nga varësia ndaj alkoolit. Shih videon «M’u neverit jeta që bëja», për të kuptuar çfarë e ndihmoi t’ia dilte mbanë.

 A i ndalon Bibla trajtimet mjekësore kundër varësive?

 Jo. Bibla pranon: «Të shëndetshmit nuk kanë nevojë për mjek, kurse të sëmurët, po.» (Mateu 9:12) Po kështu, Instituti Kombëtar i SHBA-së për Abuzimin me Drogën thotë: «Varësia ndaj drogës është një sëmundje komplekse dhe zakonisht vetëm qëllimet e mira dhe dëshira e fortë nuk mjaftojnë për ta mposhtur.» S’diskutohet, ndihma që siguron Perëndia, është shumë më e fuqishme se vullneti i kujtdo. Gjithsesi, shumë nga ata që janë çliruar nga varësia ndaj substancave të ndryshme duke zbatuar këshillat e Biblës, kanë pasur nevojë edhe për ndihmën e trajtimeve mjekësore. c Për shembull, një burrë që quhet Alen, kujton: «Kur po përpiqesha të lija alkoolin, dhimbja fizike ishte e padurueshme. Aty e kuptova se përveç ndihmës që po më jepte Bibla, kisha nevojë edhe për trajtim mjekësor.»

 A e ndalon Bibla përdorimin e drogave për arsye mjekësore?

 Jo. Në fakt, Bibla flet për përdorimin e alkoolit për të kuruar sëmundje ose për të lehtësuar dhimbjet e dikujt që është buzë vdekjes. (Proverbat 31:6; 1 Timoteut 5:23) Megjithatë, siç ndodh me alkoolin, edhe drogat që përdoren për të përballuar dhimbjen, ka mjaft të ngjarë të krijojnë varësi. Prandaj është e mençur të shqyrtojmë rreziqet e mundshme dhe të tregojmë kujdes lidhur me përdorimin e qetësuesve të rekomanduar.—Proverbat 22:3.

a Edhe pse ky artikull tregon kryesisht si të mposhtim varësinë ndaj drogës, parimet e Biblës që trajtohen këtu, mund të ndihmojnë edhe ata që po luftojnë me probleme të tjera, përfshirë varësinë ndaj alkoolit, duhanit, ushqimit, bixhozit, pornografisë ose medias sociale.

b Jehova është emri i Perëndisë. (Psalmi 83:18) Shih artikullin «Kush është Jehovai?»

c Shumë qendra trajtimi, spitale dhe programe shërimi mund të ndihmojnë. Çdo njeri duhet të analizojë me kujdes opsionet dhe të vendosë se ç’lloj trajtimi është më i miri për të.—Proverbat 14:15.