A është i saktë tregimi i Biblës për mërgimin e judenjve në Babiloni?
Rreth 2.600 vjet më parë, judenjtë i morën me forcë në Babiloni, ku qëndruan si të mërguar për pothuajse 70 vjet. Bibla tregon se Perëndia parashikoi disa nga kushtet në të cilat do të jetonin judenjtë gjatë mërgimit. Ai tha: «Ndërtoni shtëpi e banoni në to dhe mbillni kopshte e hani frytin e tyre. Merrni gra dhe bëni bij e bija. . . . Gjithashtu kërkoni paqen e qytetit ku ju kam çuar në mërgim.» (Jeremia 29:1, 4-7) Por, a jetuan vërtet ashtu siç e përshkruan Bibla?
Studiuesit kanë analizuar mbi 100 pllaka argjile që mendohet se janë nga Babilonia e lashtë ose nga rrethinat e saj. Ato tregojnë se shumë nga judenjtë e mërguar ruajtën kulturën dhe identitetin e tyre fetar ndërsa u bindeshin paqësisht autoriteteve babilonase. Pllakat, që datojnë nga viti 572 deri në 477 p.e.s., përmbajnë kontrata qiraje, plane biznesi, dëftesa pagesash dhe regjistrime të tjera financiare. Një vepër referimi thotë: «Këto dokumente na krijojnë një ide për jetën e të mërguarve që jetonin si gjithë të tjerët në zonat rurale: punonin tokën, ndërtonin shtëpi, paguanin taksat dhe i bënin shërbime mbretit.»
Gjithashtu, këto dokumente të rëndësishme dëshmojnë për ekzistencën e një komuniteti të madh judenjsh në një vend të quajtur Al-Jahudu, ose qyteti i judenjve. Në këto pllaka janë mbishkruar emrat e katër brezave të një familjeje judeje, nga të cilat disa janë me shkronja të hebraishtes së lashtë. Para se të zbuloheshin këto pllaka, studiuesit dinin fare pak për jetën e judenjve në Babiloni. Dr. Filip Vukosavoviç, një nga anëtarët e bordit drejtues të Autoriteteve për Antikitetet e Izraelit, tha: «Më në fund mund t’i njohim këta njerëz, emrat e tyre, kur jetuan, ku jetuan dhe çfarë bënin.»
Judenjtë e mërguar gëzonin njëfarë lirie për të lëvizur. Gjithashtu, Vukosavoviç tha se ata nuk jetuan «vetëm në Al-Jahudu, por edhe në disa qytete të tjera». Disa prej tyre mësuan zanate, të cilat më vonë i përdorën gjatë rindërtimit të Jerusalemit. (Nehemia 3:8, 31, 32) Pllakat e Al-Jahudusë vërtetojnë edhe se shumë judenj vendosën të qëndronin në Babiloni edhe pasi mbaroi periudha e mërgimit. Kjo tregon se në Babiloni jetonin në kushte disi paqësore, tamam siç e përshkruan Fjala e Perëndisë.