A do të marrë fund terrorizmi?
Pas një sulmi terrorist, mbase natyrshëm pyet veten: «A është indiferent Zoti? Pse ndodhin gjëra të tilla? A do të marrë fund terrorizmi? a Si mund të jetoj me këtë frikë?» Bibla jep përgjigje të kënaqshme për këto pyetje.
Si ndihet Perëndia për terrorizmin?
Ai i urren dhunën dhe terrorizmin. (Psalmi 11:5; Proverbat 6:16, 17) Jezui, përfaqësuesi i Perëndisë, i qortoi dishepujt kur përdorën dhunën. (Mateu 26:50-52) Edhe pse disa pretendojnë se sulmet e dhunshme i kryejnë në emër të Zotit, Ai nuk ua jep këtë të drejtë. Në fakt, as lutjet nuk ua dëgjon.—Isaia 1:15.
Perëndia merakoset për këdo që po vuan, ku futen edhe ata që janë prekur nga sulmet terroriste. (Psalmi 31:7; 1 Pjetrit 5:7) Bibla tregon edhe se Ai do t’i japë fund dhunës.—Isaia 60:18.
Shkaku i terrorizmit
Bibla zbulon shkakun e vërtetë të terrorizmit: «Njeriu ka sunduar mbi njeriun në dëm të tij.» (Eklisiastiu 8:9) Gjatë gjithë historisë, njerëzit me pushtet kanë përdorur terrorizmin për të shtypur të tjerët. Nga ana tjetër, edhe të shtypurit përdorin terrorizmin për t’iu kundërpërgjigjur.—Eklisiastiu 7:7.
Fundi i terrorizmit
Zoti premton të zhdukë frikën e dhunën dhe të vendosë paqen në tokë. (Isaia 32:18; Mikea 4:3, 4) Ai:
Do të zhdukë shkakun e terrorizmit. Perëndia do t’i zëvendësojë qeveritë njerëzore me qeverinë e tij mbarëbotërore. Mbreti i kësaj qeverie, Jezu Krishti, do të trajtojë këdo me drejtësi dhe do të eliminojë shtypjen e dhunën. (Psalmi 72:2, 14) Kur të vijë ajo ditë, askush nuk do të kryejë akte terroriste. Njerëzve «do t’u kënaqet shpirti me paqen e pafund».—Psalmi 37:10, 11.
Do të zhbëjë çdo pasojë të terrorizmit. Perëndia do t’i shërojë njerëzit nga pasojat e terrorizmit, qofshin dëmtime fizike, qofshin trauma emocionale. (Isaia 65:17; Zbulesa 21:3, 4) Madje premton të ringjallë të vdekurit, duke i kthyer në jetë në një tokë paqësore.—Gjoni 5:28, 29.
Bibla na jep arsye të vlefshme për të besuar se Zoti do të veprojë së shpejti. Gjithsesi ndoshta mendon: «Pse Zoti nuk i ka dhënë fund terrorizmit deri tani?» Për të mësuar përgjigjen, shih videon Pse i lejon Perëndia vuajtjet?
a «Terrorizmi» në përgjithësi i referohet përdorimit të dhunës ose kërcënimit me dhunë, sidomos kundër civilëve. Terroristët duan t’i frikësojnë njerëzit, me synimin që të sjellin ndryshime politike, fetare ose shoqërore. Megjithatë, njerëzit mund të mos bien dakord nëse një veprim specifik duhet konsideruar terrorizëm apo jo.