Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A do të marrë fund ndonjëherë korrupsioni qeveritar?

A do të marrë fund ndonjëherë korrupsioni qeveritar?

 Korrupsioni nga ana e zyrtarëve të qeverive është një problem global me pasoja shkatërrimtare. a Për shembull, gjatë pandemisë COVID-19, zyrtarë nga njëri vend në tjetrin u akuzuan se po pasuroheshin me fondet e programuara për të përballuar pandeminë. Ky korrupsion u privoi njerëzve kujdesin e nevojshëm shëndetësor, e si rezultat shumë vuajtën dhe vdiqën.

 Korrupsioni qeveritar na prek të gjithëve. Dejvid Kameroni, ish-kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar, e shpjegoi kështu: «Korrupsioni është një rrjetë gjigante tejet e ngatërruar ku kanë ngecur të gjitha shtetet.»

 Megjithatë, mund të jemi të sigurt se së shpejti korrupsioni qeveritar do të zhduket plotësisht. Pse? Bibla shpjegon çfarë do të bëjë Zoti.

Pse jemi të sigurt se Perëndia do t’i japë fund korrupsionit

 Bibla dokumenton këto fjalë të Perëndisë: «Se unë, Jehovai, e dua drejtësinë; e urrej grabitjen e padrejtësinë.» b (Isaia 61:8) Perëndia e sheh kur njerëzit vuajnë nga veprimet korruptive të të tjerëve. (Proverbat 14:31) Ai premton: «Të munduarit shtypen, . . . ndaj unë do të ngrihem.»—Psalmi 12:5.

 Çfarë do të bëjë Zoti? Në vend që të reformojë qeveritë ekzistuese, ai do t’i zëvendësojë me qeverinë e tij qiellore, e cila quhet «Mbretëria e Perëndisë». (Marku 1:14, 15; Mateu 6:10) Bibla thotë: «Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri që . . . do të thërrmojë e do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive [të tjera], dhe vetëm ajo do të qëndrojë përgjithmonë.» (Danieli 2:44) Kështu Zoti do t’i japë fund korrupsionit që shohim sot.

Një qeveri e pakorruptueshme

 Nga e dimë se Mbretëria e Perëndisë nuk do të korruptohet kurrë? Mendo për faktorët e mëposhtëm.

  1.  1. Fuqia. Mbretërisë ia jep fuqinë Perëndia i Plotfuqishëm.—Zbulesa 11:15.

     Pse ka rëndësi kjo: Funksionimi i qeverive njerëzore varet nga paratë që marrin prej nënshtetasve të tyre. Shpesh kjo krijon hapësirë për ryshfete, vjedhje dhe manipulime. Kurse Mbretëria ka përkrahjen e Perëndisë së Plotfuqishëm, prandaj ajo do të jetë gjithmonë e aftë për t’u siguruar nënshtetasve të saj gjithçka që u nevojitet.—Psalmi 145:16.

  2.  2. Qeveritari. Perëndia ka emëruar Jezu Krishtin si Mbret të Mbretërisë së tij.—Danieli 7:13, 14.

     Pse ka rëndësi kjo: Edhe qeveritarët më të mirë njerëzorë mund të ndikohen nga të tjerët për të bërë diçka të gabuar. (Eklisiastiu 7:20) Ndryshe nga ata, Jezui ka vërtetuar se është i pakorruptueshëm. (Mateu 4:8-11) Përveç kësaj, në gjithçka që bën, ai motivohet nga dashuria e sinqertë për nënshtetasit e tij dhe interesohet me gjithë zemër për mirëqenien e tyre.—Psalmi 72:12-14.

  3.  3. Ligjet. Ligjet e Mbretërisë së Perëndisë janë të përsosura dhe sjellin kënaqësi.—Psalmi 19:7, 8.

     Pse ka rëndësi kjo: Shpesh ligjet njerëzore janë komplekse, të mundimshme dhe nuk zbatohen siç duhet, duke lënë vend për korrupsion. Nga ana tjetër, ligjet e Zotit janë praktike dhe të dobishme. (Isaia 48:17, 18) Veç kësaj, këto ligje nuk lidhen vetëm me veprimet, por edhe me motivet. (Mateu 22:37, 39) S’diskutohet që Perëndia mund të lexojë zemrat e njerëzve dhe të sigurohet që ato të zbatohen me dhembshuri.—Jeremia 17:10.

 Të ftojmë të mësosh më shumë për premtimin e Biblës për një të ardhme kur nuk do të ketë më qeveri të korruptuara.

a Sipas një përkufizimi, fjala «korrupsion» do të thotë të abuzosh me autoritetin që të është besuar për përfitim personal.

b Jehova është emri i Perëndisë. (Psalmi 83:18) Shih artikullin «Kush është Jehovai?»