Parime nga Bibla që mund të të ndihmojnë kur humb punën
Humbja e punës mund të ndikojë për keq jo vetëm tek ana financiare, por edhe te jeta familjare, te gjendja emocionale dhe mendore. Shqyrto si mund të të ndihmojnë sugjerimet vijuese që bazohen te parimet e Biblës të cilat nuk njohin kohë.
Fol me të tjerët për ndjenjat e tua.
Bibla thotë: «Miku i vërtetë të do në çdo kohë.»—Proverbat 17:17.
Kur humb punën, mbase ndihesh i trishtuar, i zemëruar, i çorientuar e madje sikur nuk vlen për asgjë. Por, nëse flet hapur me familjarët dhe me miqtë e ngushtë, ata mund të të mbështetin emocionalisht. Madje mund të të japin ndonjë sugjerim që të ndihmon të mos dorëzohesh.
Shmang ankthin e tepërt.
Bibla thotë: «Mos jini kurrë në ankth për të nesërmen, sepse e nesërmja do të ketë ankthet e veta.»—Mateu 6:34.
Është e vërtetë që Bibla na nxit të bëjmë plane. (Proverbat 21:5) Megjithatë na këshillon edhe të mos mbajmë tepër ankth për të ardhmen. Shpesh shqetësohemi për gjëra që mund të mos ndodhin kurrë, ndaj bëjmë mirë t’i marrim ditët një e nga një.
Bibla ka edhe këshilla praktike për të përballuar stresin që po përjeton. Për të mësuar më shumë, lexo artikullin «Si ta përballosh stresin?»
Përshtate buxhetin sipas të ardhurave.
Bibla thotë: «Di të jetoj me pak dhe di të jetoj me bollëk.»—Filipianëve 4:12.
Përshtatu me situatën e re. Shtriji këmbët sa ke jorganin duke ndryshuar mënyrën si i shpenzon të ardhurat. Bëj kujdes të mos futesh në borxhe të panevojshme.—Proverbat 22:7.
Për më shumë sugjerime si të përshtatesh me situatën e re financiare, shih artikullin «Si t’ia dalësh me më pak të ardhura».
Përdore me mençuri kohën.
Bibla thotë: «Vazhdoni të silleni me mençuri . . . duke e shfrytëzuar sa më mirë kohën.»—Kolosianëve 4:5.
Edhe pse për momentin nuk je në punë dhe as ke orare fikse, prapëseprapë bëj një program që ta përdorësh sa më mirë kohën. Kështu do të kesh stabilitet dhe do të të rritet vetëvlerësimi.
Ji elastik.
Bibla thotë: «Çdo punë e palodhur sjell dobi.»—Proverbat 14:23.
Ji i gatshëm të bësh edhe punë të ndryshme nga ajo që kishe. Mbase mund të të duhet të pranosh edhe punë që duken të rëndomta ose që paguhen më pak se puna e mëparshme.
Ji këmbëngulës.
Bibla thotë: «Mbille farën në mëngjes dhe mos e lër dorën tënde të pushojë deri në mbrëmje, sepse nuk e di cila do të mbijë.»—Eklisiastiu 11:6.
Vazhdo të kërkosh për punë dhe hap fjalë te të afërmit, të njohurit, ish-kolegët dhe fqinjët. Interesohu tek agjencitë e punësimit, kontrollo njoftimet për punë nëpër gazeta ose biznese, si dhe lajmërimet nëpër site të kompanive të ndryshme. Përgatitu mendërisht se mund të të duhet të bësh shumë intervista dhe të dorëzosh sa e sa CV para se të gjesh punë.