Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

mustafahacalaki/​DigitalVision Vectors via Getty Images

QËNDRONI VIGJILENTË!

Inteligjenca artificiale: bekim apo mallkim?—Çfarë thotë Bibla?

Inteligjenca artificiale: bekim apo mallkim?—Çfarë thotë Bibla?

 Kohët e fundit, liderë botërorë, shkencëtarë dhe profesionistë në fushën e teknologjisë kanë komentuar për fuqinë e inteligjencës artificiale (AI). Megjithëse e pranojnë vlerën e saj, ata kanë shprehur edhe shqetësimin se ç’mund të ndodhë po të keqpërdoret.

  •   «Inteligjenca artificiale është një nga teknologjitë më të fuqishme sot për sot dhe ka potencialin të përmirësojë jetën e njerëzve. . . . Njëkohësisht ka potencialin të kërcënojë seriozisht sigurinë, të cenojë të drejtat civile dhe privatësinë, si edhe të minojë besimin e njerëzve te demokracia.»—Kamala Harris, zëvendëspresidente e Shteteve të Bashkuara, 4 maj 2023.

  •   «Ndonëse inteligjenca artificiale (AI) ofron zgjidhje premtuese në fushën e kujdesit shëndetësor, ajo paraqet edhe rreziqe për shëndetin fizik dhe emocional të njerëzve»,—shkroi një ekip ndërkombëtar mjekësh dhe specialistësh në fushën e shëndetësisë të drejtuar nga dr. Frederik Fidërshpil, në një artikull të botuar më 9 maj 2023, në revistën BMJ Global Health. a

  •   «Që sot njerëzit mund ta përdorin inteligjencën artificiale si mjet keqinformimi. Së shpejti, ajo mund t’i lërë njerëzit pa punë. Disa që punojnë në fushën e teknologjisë, janë mjaft të shqetësuar që në të ardhmen ajo mund të dëmtojë njerëzimin.»—The New York Times, 1 maj 2023.

 Vetëm koha do të tregojë se deri në ç’masë do ta përdorin njerëzit inteligjencën artificiale për mirë ose për keq. Por, çfarë thotë Bibla për këtë çështje?

Pse përpjekjet e njerëzve ngjallin pasiguri?

 Bibla tregon pse njerëzit nuk mund të garantojnë se shpikjet në fushën e teknologjisë do të përdoren vetëm për mirë.

  1.  1. Njerëzit mund të nisen nga qëllime të mira, por nuk i parashikojnë dot efektet negative të veprimeve të tyre.

    •   «Është një udhë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të çon në vdekje.»—Proverbat 14:12.

  2.  2. Një person nuk e ka në dorë si do ta përdorin ose keqpërdorin të tjerët punën e tij.

    •   «Duhej t’ia lija [punën time] atij që do të më zinte vendin. E kush e di nëse ai do të jetë i mençur apo i marrë? Sido që të jetë, ai do të shtjerë në dorë të gjitha gjërat që fitova me mund e mençuri nën diell.»—Eklisiastiu 2:18, 19.

 Një pasiguri e tillë thekson pse kemi nevojë të drejtohemi nga Krijuesi.

Kujt t’i besojmë?

 Krijuesi na ka dhënë fjalën se s’ka për t’i lejuar kurrë njerëzit dhe as ndonjë teknologji që shpikin ata, të shkatërrojnë tokën ose njerëzimin.

  •   «Toka qëndron përjetë.»—Eklisiastiu 1:4.

  •   «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.»—Psalmi 37:29.

 Nëpërmjet Biblës, Krijuesi ynë na udhëheq drejt një të ardhmeje të paqtë e të sigurt. Që të mësosh më shumë për atë që thotë Bibla, lexo artikujt «Një udhëzues i besueshëm për të ardhmen» dhe «Shpresë e sigurt për një të ardhme më të mirë».

a Nga artikulli «Rreziqet që sjell inteligjenca artificiale te shëndeti dhe tek ekzistenca e njeriut»,—shkruar nga Frederik Fidërshpil, Ruth Miçëll, Asha Asokan, Karlos Umana dhe Dejvid Mekoi.