Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

QËNDRONI VIGJILENTË!

Kriza e refugjatëve​—Miliona largohen nga Ukraina

Kriza e refugjatëve​—Miliona largohen nga Ukraina

 Më 24 shkurt 2022 Rusia nisi një sulm ushtarak kundër Ukrainës, duke shkaktuar një krizë të rëndë humanitare teksa qindra mijë civilë ikën për t’i shpëtuar konfliktit. a

 «Dëgjonim ngado bombardime dhe shpërthime. Nuk gjej fjalë ta përshkruaj tmerrin që përjetuam. Kur dëgjuam se do të kishte trena evakuimi, vendosëm të largoheshim. Supozohej që mundin e një jete të tërë ta paketonim brenda një çante shpine. Arritëm të merrnim vetëm dokumente, ilaçe, ujë dhe diçka të vogël për të ngrënë në çantën që mbanim secili. Lamë pas gjithçka tjetër dhe vajtëm te stacioni i trenit, ndërsa bombardimet s’kishin të reshtur.»—Natalia nga Harkovi, Ukrainë.

 «Deri në momentin e fundit nuk e besonim se do të kishte luftë. Dëgjova shpërthime nga disa pjesë të qytetit dhe dritaret po dridheshin. Vendosa të ikja duke marrë vetëm gjërat më të domosdoshme. Dola nga shtëpia në 8.00 të mëngjesit, mora trenin për në Lvov, pastaj autobusin për në Poloni.»—Nadja nga Harkovi, Ukrainë.

Në këtë artikull

 Cilat janë shkaqet e vërteta të kësaj krize refugjatësh?

 Kriza e refugjatëve në Ukrainë nisi për shkak të sulmit ushtarak të Rusisë. Megjithatë, Bibla shpjegon çfarë qëndron në rrënjë të të gjitha krizave të refugjatëve:

  •   Qeveritë njerëzore në mbarë botën e kanë lënë në baltë dhe e kanë zhgënjyer familjen njerëzore. Shpesh ata që janë në pushtet e përdorin autoritetin si mjet për t’i shtypur të tjerët.—Eklisiastiu 4:1; 8:9.

  •   Satana Djalli, «sundimtari i kësaj bote», ushtron një ndikim aq të lig mbi njerëzit, sa Bibla thotë: «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të Ligut.»—Gjoni 14:30; 1 Gjonit 5:19.

  •   Përveç problemeve që kanë pllakosur prej shekujsh njerëzimin, tani po jetojmë në një periudhë që Bibla e kishte parathënë me këto fjalë: «Në ditët e fundit do të ketë kohë kritike, të vështira për t’u përballuar.» (2 Timoteut 3:1) Jo vetëm kaq, por këto ditë do të karakterizoheshin nga luftëra, katastrofa natyrore, mungesa ushqimi dhe murtaja—situata që i detyrojnë njerëzit të largohen.—Luka 21:10, 11.

 Ku mund të gjejnë shpresë refugjatët?

 Bibla tregon se Krijuesi ynë, Jehovai, b është një Perëndi që ndien dashuri e dhembshuri për refugjatët dhe për njerëzit që shpërngulen nga shtëpitë e tyre. (Ligji i përtërirë 10:18) Ai premton të zgjidhë problemet e refugjatëve me anë të qeverisë së tij qiellore, që quhet Mbretëria e Perëndisë, e cila do të zëvendësojë qeveritë njerëzore. (Danieli 2:44; Mateu 6:10) Me anë të kësaj Mbretërie, Jehovai do të zhdukë Satana Djallin. (Romakëve 16:20) Kjo Mbretëri do të jetë një qeveri globale që do t’u japë fund përçarjeve që shkaktojnë kufijtë kombëtarë. I gjithë njerëzimi do të jetë një familje e bashkuar mbarëbotërore. Askush nuk do të detyrohet të largohet më kurrë nga shtëpia, sepse Bibla premton: «Secili do të ulet nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet, dhe askush nuk do t’i trembë, sepse vetë Jehovai i ushtrive ka folur.»—Mikea 4:4.

 Vetëm Mbretëria e Perëndisë mund të zgjidhë një herë e mirë krizat e refugjatëve që shohim sot. Me anë të Mbretërisë së tij, Jehovai do të eliminojë problemet që i detyrojnë njerëzit të bëhen refugjatë. Shqyrto disa shembuj:

 A mund t’i ndihmojë Bibla refugjatët sot?

 Po. Bibla jo vetëm u jep refugjatëve një shpresë të sigurt për të ardhmen, por edhe i ndihmon që tani të përballojnë sfidat që hasin.

 Parim nga Bibla: «Naivët i besojnë çdo fjale, por mendjemprehtët matin çdo hap që hedhin.»—Proverbat 14:15.

 Kuptimi: Mendoji që më përpara rreziqet që mund të hasësh dhe se si do të mbrohesh prej tyre. Bëj kujdes nga kriminelët që kanë në shënjestër refugjatët dhe që shfrytëzojnë mungesën e përvojës dhe pasiguritë e tyre në vendin e ri.

 Parim nga Bibla: «Nëse kemi ç’të hamë e ç’të veshim, të kënaqemi me kaq.»—1 Timoteut 6:8.

 Kuptimi: Mos e mbaj mendjen te gjërat materiale. Kur kënaqesh me gjërat e domosdoshme, do të jesh më i lumtur.

 Parim nga Bibla: «Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta.»—Mateu 7:12.

 Kuptimi: Ji i duruar dhe i sjellshëm. Kështu do ta kesh më të lehtë që të të respektojnë dhe të të pranojnë në komunitetin e ri.

 Parim nga Bibla: «Mos ia ktheni askujt të keqen me të keqe.»—Romakëve 12:17.

 Kuptimi: Mos lejo që zemërimi të të shtyjë të hakmerresh ndaj atyre që të keqtrajtojnë. Kjo vetëm sa do ta keqësonte situatën.

 Parim nga Bibla: «Për çdo gjë kam forcë falë atij që më jep fuqi.»—Filipianëve 4:13.

 Kuptimi: Bëje Zotin pjesë të rëndësishme të jetës sate dhe lutju atij. Ai do të të japë forcë që t’ia dalësh mbanë.

 Parim nga Bibla: «Mos jini në ankth për asgjë, por për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime. Kështu paqja e Perëndisë, që tejkalon çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe mendjen tuaj.»—Filipianëve 4:6, 7.

 Kuptimi: Lutju Perëndisë të të japë paqe mendore dhe shpirtërore përballë çfarëdolloj situate. Shih artikullin «Filipianëve 4:6, 7—‘Mos u shqetësoni për asgjë.’»

a Ditën pas sulmit, Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) shpalli nivelin më të lartë të emergjencës për këtë krizë. Brenda vetëm 12 ditëve, mbi 2 milionë refugjatë u larguan nga Ukraina në drejtim të shteteve fqinje, kurse 1 milion të tjerë janë shpërngulur brenda vendit.

b Jehova është emri i Perëndisë. (Psalmi 83:18) Shih artikullin «Kush është Jehovai?»