Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë thotë Bibla për krizën ushqimore të ditëve tona?

Çfarë thotë Bibla për krizën ushqimore të ditëve tona?

 «Zero uri.» Ky është synimi i liderëve botërore për një nga problemet më të mëdha të njerëzimit, pra të sigurojnë ushqim për çdo njeri në tokë. a Por, a do të zgjidhet ndonjëherë problemi i urisë në botë? Çfarë thotë Bibla?

Bibla e kishte parathënë krizën aktuale të ushqimeve

 Bibla ka profetizuar se, në kohën tonë, një periudhë që quhet «ditët e fundit», do të kishte mungesë ushqimi. (2 Timoteut 3:1) Përgjegjës për këtë problem nuk është Perëndia, gjithsesi ai na ka paralajmëruar se kjo do të ndodhte. (Jakovi 1:13) Vër re këto dy profeci të Biblës.

 «Do të ketë mungesa ushqimi . . . nga njëri vend në tjetrin.» (Mateu 24:7) Kjo profeci e Biblës parathoshte se do të kishte zi buke në shumë vende. Vlen të përmendet çfarë thotë një raport i fundit nga institucione që monitorojnë prodhimin dhe shpërndarjen e ushqimit: «Bota po bën hapa mbrapa në përpjekjet e saj për t’i dhënë fund urisë, pasigurisë ushqimore dhe kequshqyerjes.» b Në dhjetëra vende, qindra mijë njerëz nuk arrijnë dot të sigurojnë ushqimin e nevojshëm. Për këtë arsye, mjerisht shumë veta nuk mbijetojnë.

 «Ja, pashë një kalë të zi, dhe kalorësi i tij kishte në dorë një peshore.» (Zbulesa 6:5) Në këtë profeci, kali dhe kalorësi i tij simbolizojnë zinë e bukës në ditët e fundit. c Peshorja në dorën e kalorësit shërben për të peshuar racionet e ushqimit. Teksa kalorësi kalëron, dëgjohet një zë që thotë se çmimet e ushqimeve do të ishin shumë të larta dhe i paralajmëron njerëzit të mos i shpërdorojnë ushqimet bazë. (Zbulesa 6:6) Kjo profeci përshkruan me saktësi krizën ushqimore që shohim sot në botë, ku miliarda njerëz nuk gjejnë dot ushqim të shëndetshëm ose nuk ua mban xhepi ta blejnë.

Si do të marrë fund kriza ushqimore

 Ekspertët thonë se toka prodhon ushqim më se të mjaftueshëm për çdo njeri. Atëherë, çfarë problemesh e shkaktojnë krizën ushqimore? Dhe, sipas Biblës, si do t’i zgjidhë këto probleme Krijuesi ynë, Jehovai? d

 Problemi: Qeveritë s’mund t’i eliminojnë varfërinë dhe pabarazinë ekonomike që shkaktojnë zinë e bukës.

 Zgjidhja: Qeveritë e papërsosura njerëzore do të zëvendësohen me një qeveri të përsosur, Mbretërinë e Perëndisë. (Danieli 2:44; Mateu 6:10) Sot, shumë të varfër rropaten për bukën e gojës, por, kur të qeverisë Mbretëria e Perëndisë, nuk do të jetë më kështu. Ja çfarë thotë Bibla për Jezu Krishtin, Mbretin e kësaj Mbretërie: «Ai do ta çlirojë të varfrin që thërret për ndihmë, si edhe të përvuajturin e këdo që s’ka kush e ndihmon. . . . Në tokë do të ketë drithë me bollëk e në majat e maleve drithi do të vërshojë.»—Psalmi 72:12, 16.

 Problemi: Luftërat sjellin shkatërrim dhe paqëndrueshmëri ekonomike, që kufizojnë ose pengojnë shpërndarjen e ushqimit.

 Zgjidhja: «Luftërat anembanë tokës [Jehovai] i shuan; harqet i thyen dhe heshtat i bën copë-copë; karrocat e luftës i bën shkrumb e hi.» (Psalmi 46:9) Zoti do të asgjësojë armët e luftës dhe ata që nxitin luftën. Si rezultat, askush s’do ta ketë problem të sigurojë ushqim në mënyrë të sigurt. Bibla premton: «I drejti do të lulëzojë dhe do të ketë paqe pa fund.»—Psalmi 72:7.

 Problemi: Moti ekstrem dhe katastrofat natyrore shkatërrojnë të mbjellat dhe vrasin gjënë e gjallë.

 Zgjidhja: Perëndia do t’i ketë nën kontroll forcat e natyrës dhe do të krijojë kushte që favorizojnë prodhimin e ushqimit. Bibla thotë: «[Jehovai] stuhinë e shndërron në puhizë, e dallgët fashiten dalëngadalë. . . . E shndërron shkretëtirën në pellg plot kallamishte dhe vendin e thatë në burime uji, e atje vendos të uriturin, që . . . të mbjellë ara e vreshta që japin fryt me bollëk.»—Psalmi 107:29, 35-37.

 Problemi: Njerëz lakmitarë e të korruptuar prodhojnë ushqime që dëmtojnë shëndetin ose pengojnë shpërndarjen tek ata që kanë nevojë.

 Zgjidhja: Mbretëria e Perëndisë do të zhdukë të gjithë njerëzit e pandershëm dhe të korruptuar. (Psalmi 37:10, 11; Isaia 61:8) Bibla e përshkruan Perëndinë Jehova si «Ai që u siguron drejtësi të shtypurve, . . . Ai që u jep bukë të uriturve».—Psalmi 146:7.

 Problemi: Një e treta e ushqimit që prodhohet sot në botë, shkon dëm.

 Zgjidhja: Kur të qeverisë Mbretëria e Perëndisë, prodhimet ushqimore do të menaxhohen siç duhet. Kur ishte në tokë, Jezui bëri kujdes që ushqimi të mos shpërdorohej. Për shembull, një herë ai ushqeu me anë të një mrekullie një turmë prej mbi 5.000 vetash. Pastaj i udhëzoi dishepujt e tij: «Mblidhni copat që tepruan, që asgjë të mos shkojë dëm.»Gjoni 6:5-13.

 Mbretëria e Perëndisë do të eliminojë shkaqet e urisë, prandaj të gjithë njerëzit do të kenë ushqim të mirë e të shëndetshëm me bollëk. (Isaia 25:6) Që të mësosh se kur do ta realizojë këtë Mbretëria e Perëndisë, lexo artikullin: «Kur do ta qeverisë tokën Mbretëria e Perëndisë?»

a Axhenda 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm, miratuar nga të gjitha shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara më 2015.

b Një raport i përbashkët nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, Fondi Ndërkombëtar për Zhvillimin e Bujqësisë, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, Programi Botëror për Ushqimin i OKB-së dhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

c Që të mësosh më shumë për katër kalorësit e Zbulesës, shih artikullin: «Cilët janë katër kalorësit?»

d Jehova është emri i Perëndisë. (Psalmi 83:18) Shih artikullin: «Kush është Jehovai?»