Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë thotë Bibla për krizën globale të ujit?

Çfarë thotë Bibla për krizën globale të ujit?

 Të gjithë kemi nevojë për ujë të pastër që të jetojmë. Por, siç paralajmëroi sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterresi, «meqë nevoja për ujë vazhdon të rritet në shkallë globale, gjendemi përballë një krize serioze për ujë». Tashmë miliarda njerëz anembanë botës nuk arrijnë të sigurojnë kollaj ujë të pijshëm.

Strdel/AFP via Getty Images

 A do të vijë një ditë kur do të ketë mjaft ujë për të gjithë? Apo do të na duhet të përballemi gjithmonë me kriza të ujit? Çfarë thotë Bibla?

Çfarë premton Bibla për rezervat ujore

 Bibla tregon se do të vijë një ditë kur problemi i ujit do të zhduket. Në fakt, atëherë do të kemi ujë të pastër e të freskët me bollëk.

 «Në shkretëtirë do të vërshojnë ujërat dhe në rrafshinën e shkretë përrenjtë. Toka e zhuritur do të kthehet në pellg me kallamishte, toka e etur në burime uji.»—Isaia 35:6, 7.

 Pse mund të kemi besim te premtimi i Biblës? Mendo pak se çfarë thotë Bibla për një aspekt të mënyrës si është projektuar planeti ynë.

Çfarë thotë Bibla për tokën dhe për ciklin e ujit

 «[Perëndia] nuk e krijoi [tokën] pa një qëllim, por e formoi që të banohej.»—Isaia 45:18.

 Meqë Perëndia e krijoi tokën që të ishte e përshtatshme për të jetuar, ai projektoi sisteme natyrore që të prodhonin me bollëk ujë të freskët.

 «[Perëndia] i tërheq lart pikat e ujit, dhe mjegulla që formohet prej tyre, kondensohet e kthehet në shi; pastaj retë derdhen si rrebesh, e mbi gjithë njerëzimin shiu bie rrëmbyeshëm.»—Jobi 36:27, 28.

 Me fjalë të thjeshta, këto vargje përshkruajnë si projektoi Perëndia një sistem natyror për të mundësuar riciklimin e ujit dhe furnizimin e vazhdueshëm të tokës me këtë burim të çmuar. Uji avullon nga toka dhe deti, kondensohet dhe bie në formë shiu, duke siguruar vazhdimisht ujë të pastër e të freskët për njerëzit e kafshët.—Eklisiastiu 1:7; Amosi 5:8.

 «Do t’ju jap shira të bollshme në kohën e duhur; toka do të japë prodhim dhe pemët e fushës do të japin fryte.»—Levitiku 26:4.

 Perëndia premtoi se do ta bekonte me korrje të frytshme kombin e lashtë të Izraelit, një popull që merrej me bujqësi, duke u siguruar rregullisht ujë. Ai e di se të korrat e mbara varen nga shiu në sasinë dhe në kohën e duhur.

 Atë që bëri në Izraelin e lashtë, Zoti do ta bëjë së shpejti për të gjithë tokën. (Isaia 30:23) Ndërkohë, në shumë vende të botës, kriza për ujë po keqësohet, dhe mungesa e shiut është vetëm një pjesë e problemit. Çfarë thotë tjetër Bibla për zgjidhjen e problemeve të ujit që hasim sot?

Si do të marrë fund kriza për ujë

 Bibla tregon se Perëndia, me anë të Mbretërisë së tij, do të zgjidhë problemet që po has planeti ynë, ku përfshihet kriza aktuale e ujit. (Mateu 6:9, 10) Mbretëria e Perëndisë është një qeveri qiellore që do të qeverisë mbi tokë. (Danieli 2:44; Zbulesa 11:15) Për më tepër, kjo Mbretëri do të bëjë atë që qeveritë njerëzore nuk janë të afta ta bëjnë: do të eliminojë shkaqet e problemeve të ujit.

 Problemi: Ndryshimi i klimës po shkakton çekuilibrim të madh në ciklin e ujit. Si pasojë, sot shohim thatësira ekstreme dhe përmbytje masive, për shkak të shirave të rrëmbyeshme dhe rritjes së nivelit të detit.

 Zgjidhja: Mbretëria e Perëndisë do të rikthejë ekuilibrat natyrorë të mjedisit, që planeti ynë të rigjenerohet. Perëndia ka premtuar: «Ja, po bëj çdo gjë të re.» (Zbulesa 21:5) Vendet e shkreta do të kenë me bollëk ujë të freskët, duke i kthyer edhe vendet e pabanueshme sot në vende ku gëlon jeta. (Isaia 41:17-20) Mbretëria e Perëndisë, nën drejtimin e Jezu Krishtit, do të ushtrojë kontroll edhe mbi forcat e natyrës.

 Kur Jezui ishte në tokë, ai qetësoi një stuhi të frikshme dhe kështu tregoi në një masë të vogël fuqinë që i kishte dhënë Perëndia. (Marku 4:39, 41) Kur Krishti të qeverisë si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë, nuk do të ketë më katastrofa natyrore. Njerëzit do të jetojnë në paqe dhe siguri të vërtetë, e nuk do të kenë më frikë nga asnjë katastrofë.

 Problemi: Njerëzit dritëshkurtër dhe korporatat lakmitare ndotin lumenjtë, liqenet dhe rezervuarët nëntokësorë. Kjo pakëson rezervat e ujit të pastër.

 Zgjidhja: Zoti do të pastrojë tokën dhe do të rigjenerojë lumenjtë, liqenet, detet dhe dheun. Toka do të bëhet parajsë. Me gjuhë poetike, Bibla thotë: «Shkretëtira dhe vendet e thata do të ngazëllojnë. Rrafshina e shkretë do të gëzojë dhe do të lulëzojë si shafrani.»—Isaia 35:1.

 Çfarë i pret ata që nuk kanë merak për mjedisin ose për njerëzit e tjerë? Perëndia ka premtuar se ‘do të shkatërrojë ata që shkatërrojnë tokën’.—Zbulesa 11:18; Proverbat 2:21, 22.

 Problemi: Burimet e ujit po keqpërdoren dhe rezervat e ujit po mbarojnë më shpejt nga ç’mund të prodhojë toka.

 Zgjidhja: Falë Mbretërisë, ‘në tokë do të bëhet vullneti i Perëndisë’—jo i njerëzve egoistë. (Mateu 6:9, 10) Mbretëria e Perëndisë do t’u sigurojë nënshtetasve të saj arsimimin më të mirë. Isaia 11:9 thotë: «Njohuria për Jehovain do të vërshojë në tokën mbarë.» a Të pajisur me këtë njohuri më të lartë, bashkë me dashuri të thellë për Perëndinë dhe për tërë krijimin e tij, njerëzit do të kujdesen në mënyrë të përsosur për planetin tonë të bukur dhe për burimet e tij natyrore.

a Jehova është emri i Perëndisë. (Psalmi 83:18) Shih artikullin «Kush është Jehovai?»