A do t’i kthehemi ndonjëherë normalitetit? Si mund të na ndihmojë Bibla në botën post-pandemike
«Të gjithë duam t’i kthehemi normalitetit.»—Angela Merkel, kancelare gjermane.
Mbase je dakord me fjalët e saj kur sheh që pandemia COVID-19 vazhdon të prekë njerëz në mbarë globin. Por çfarë është «normaliteti»? Për çfarë shpresojnë njerëzit?
T’i rikthehen jetës që bënin më parë. Shumë veta i ka marrë malli për jetën sociale kur përqafoheshin dhe shtrëngonin duart me njëri-tjetrin, si edhe për udhëtimet. Sipas tyre, «t’i kthehesh disi normalitetit» përfshin «të shkosh nëpër restorante, kinema dhe gjëra të tilla», shpjegon dr. Antoni Fauçi a.
Të përmirësojnë jetën. Disa e shohin pandeminë si një mundësi për të krijuar një «normalitet të ri», pra për një jetë më të mirë se më parë. Ata mendojnë se disa gjëra duhet të ndryshojnë në këtë botë, për shembull punët shfrytëzuese, pabarazitë sociale për shkak të racës dhe pozitës shoqërore dhe fakti që gjithnjë e më shumë njerëz po vuajnë nga sëmundje mendore. Klaus Shvabi, themelues i Forumit Ekonomik Botëror, tha: «Pandemia paraqet një mundësi të rrallë, por afatshkurtër, për të reflektuar, për ta ripërfytyruar dhe për ta risetuar këtë botë.»
Të tjerë janë goditur aq rëndë nga pandemia, sa shpresa për një jetë «normale» u duket tepër e largët. Për shembull, shumë kanë humbur punën, shtëpinë, shëndetin ose, më keq akoma, një njeri të dashur.
S’diskutohet që askush nuk mund ta parashikojë saktësisht si do të jetë bota post-pandemike. (Eklisiastiu 9:11) Megjithatë, Bibla mund të na ndihmojë të jemi realistë në atë që presim dhe të përballojmë çfarëdo që të ndodhë. Ç’është më e rëndësishmja, Bibla flet për një të ardhme për të cilën mund të jemi të sigurt që do të vijë, për një të ardhme që mbase as të ka shkuar në mendje që do të bëhet realitet.
Të kemi pikëpamjen e duhur për pandeminë COVID-19
Shumë kohë më parë, Bibla parathoshte se gjatë «përfundimit të sistemit» do të kishte «murtaja» ose sëmundje të përhapura. (Luka 21:11; Mateu 24:3) Kur e shohim pandeminë COVID-19 nga ky këndvështrim, kuptojmë se ajo është një nga ngjarjet domethënëse—ku ndër të tjera përfshihen luftërat, tërmetet e mëdha dhe mungesa e ushqimit—që parathotë Bibla.
Si na ndihmon njohja e këtyre fakteve: Gjendja aktuale e pandemisë mund të përmirësohet, gjithsesi Bibla na paralajmëron se po jetojmë në «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». (2 Timoteut 3:1) Kur dimë se në çfarë kohësh po jetojmë, kjo do të na ndihmojë të jemi realistë në atë që presim në këto kohë të vështira.
Bibla na jep pikëpamjen e duhur: bota ku jetojmë, e sfilitur nga gjithnjë e më shumë probleme, është në fazë tranzicioni, pra në prag të një ndryshimi të madh. Çfarë do të ndryshojë?
Një e ardhme post-pandemike që mbase nuk e pret
Bibla nuk parathotë vetëm problemet e rënda me të cilat përballemi sot, por edhe kohë të bukura që na presin së shpejti. Ajo premton një të ardhme që është ku e ku më e mirë se ç’mund të shpresojnë të arrijnë qeveritë njerëzore, një të ardhme që vetëm Perëndia mund ta sjellë. «Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre dhe nuk do të ketë më vdekje. Nuk do të ketë më as vajtim, as klithmë, as dhembje.»—Zbulesa 21:4.
Perëndia Jehova b premton: «Ja, po bëj çdo gjë të re.» (Zbulesa 21:5) Ai do të zgjidhë problemet e kësaj bote, edhe ato që janë përkeqësuar për shkak të pandemisë. Zoti do të sigurojë:
Shëndet të përsosur fizik e mendor dhe nuk do të ketë më sëmundje e vdekje.—Isaia 25:8; 33:24.
Punë të kënaqshme që sjell gëzim të vërtetë, jo punë të lodhshme që sjell zhgënjim ose sfilitje.—Isaia 65:22, 23.
Mirëqenie për të gjithë, duke i dhënë fund njëherë e mirë varfërisë dhe urisë.—Psalmi 72:12, 13; 145:16.
Shërim nga trauma emocionale, bashkë me shpresën për të takuar sërish njerëzit tanë të dashur që kanë vdekur dhe që do të kthehen në jetë.—Isaia 65:17; Veprat 24:15.
Si na ndihmon njohja e këtyre fakteve: Bibla thotë: «Këtë shpresë e kemi si një spirancë për jetën.» (Hebrenjve 6:19, shënimi) Kjo shpresë për një të ardhme më të mirë na jep stabilitet. Na ndihmon të përballojmë vështirësitë që hasim sot, të pakësojmë ankthin dhe të ruajmë ekuilibrin emocional.
Por a mund të besosh te premtimet e Biblës? Shih artikullin «Bibla: Burim i besueshëm i së vërtetës».
Parime nga Bibla që na ndihmojnë ndërsa presim të mbarojë pandemia
Vlerësoje jetën
Shkrimi: ‘Mençuria i ruan gjallë ata që e zotërojnë.’—Eklisiastiu 7:12.
Çfarë do të thotë kjo për ty: Merr vendime të mençura që të pakësosh rrezikun që të sëmuresh. Shqyrto nivelin e rrezikut në zonën tënde. Merr parasysh rregullat për sigurinë shëndetësore, shkallën e infektimeve dhe përqindjen e popullsisë që është vaksinuar plotësisht.
Vazhdo të bësh kujdes
Shkrimi: «I mençuri është i kujdesshëm dhe e shmang të keqen, por i pamendi është kokëkrisur dhe i beson tepër vetes.»—Proverbat 14:16.
Çfarë do të thotë kjo për ty: Vazhdo të tregosh kujdes për të ruajtur shëndetin. Sipas ekspertëve të shëndetësisë, koronavirusi nuk do të zhduket sa hap e mbyll sytë.
Bazohu tek informacione të besueshme
Shkrimi: «Naivët i besojnë çdo fjale, por mendjemprehtët matin çdo hap që hedhin.»—Proverbat 14:15.
Çfarë do të thotë kjo për ty: Zgjidh me kujdes se çfarë këshillash do të ndjekësh. Zgjedhja jote ka shumë rëndësi, sepse nëse merr vendime duke u bazuar në informacione të rreme, mund të dëmtosh shëndetin.
Ruaj optimizmin
Shkrimi: «Mos thuaj: ‘Si ka mundësi që ditët e kaluara ishin më të mira se të tanishmet?’, sepse kjo pyetje nuk është aspak e mençur.»—Eklisiastiu 7:10.
Çfarë do të thotë kjo për ty: Ji i vendosur të bësh më të mirën në rrethanat aktuale. Përpiqu të mos jesh nostalgjik për jetën para pandemisë dhe të mos të rrijë mendja te mundësitë që humbe për shkak të kufizimeve që solli pandemia.
Trego respekt për të tjerët
Shkrimi: «Nderoni njerëz të çdo lloji!»—1 Pjetrit 2:17.
Çfarë do të thotë kjo për ty: Njerëzit kanë reaguar në mënyra të ndryshme ndaj pandemisë dhe pasojave të saj. Respektoji opinionet e tyre, por përmbaju vendimeve të mençura që ke marrë. Trego konsideratë për ata që nuk janë vaksinuar, për të moshuarit dhe për ata që kanë probleme të rënda shëndetësore.
Kultivo durimin
Shkrimi: «Dashuria është e duruar dhe plot mirësi.»—1 Korintasve 13:4.
Çfarë do të thotë kjo për ty: Kur dikush të shpreh se ndien ankth për të rifilluar aktivitetet që nuk përbënin problem para pandemisë, përpiqu ta mirëkuptosh. Ndërsa masat ndaj pandemisë lehtësohen, ji i duruar me veten kur planifikon aktivitetet e tua.
Si po i ndihmon Bibla njerëzit të përballojnë pandeminë
Dëshmitarët e Jehovait marrin zemër nga premtimet e Biblës për një të ardhme fantastike. Kjo i ndihmon të shohin përtej pandemisë. Përveç kësaj, ata i bëhen krah njëri-tjetrit duke iu bindur urdhrit të Biblës që të mblidhen rregullisht bashkë për të adhuruar Perëndinë. (Hebrenjve 10:24, 25) Kushdo është i mirëpritur të ndjekë mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait, që tani gjatë pandemisë mbahen virtualisht, nëpërmjet videokonferencave.
Edhe të tjerë janë shprehur se këto mbledhje virtuale me Dëshmitarët e Jehovait kanë qenë shumë të dobishme gjatë këtyre kohëve të vështira. Për shembull, një grua që u infektua me COVID-19 pranoi ftesën për të ndjekur mbledhjet virtuale të Dëshmitarëve të Jehovait. Këto mbledhje e ndihmuan emocionalisht, pavarësisht nga problemet e vazhdueshme shëndetësore që i shkaktoi virusi. Më vonë, ajo tha: «Ndihem edhe unë pjesë e kësaj familjeje. Leximi i Biblës më jep paqe mendore dhe qetësi. Më ndihmon të përqendrohem te shpresa për të ardhmen dhe jo te problemet. Faleminderit që më ndihmuat të krijoj atë lidhje me Perëndinë që kam dashur gjithë jetën!»
a Instituti Kombëtar për Alergjinë dhe Sëmundjet Ngjitëse në Shtetet e Bashkuara.
b Jehova është emri i Perëndisë siç tregohet në Bibël.—Psalmi 83:18.