Dy përkthyes që rivendosën emrin e Perëndisë në Dhiatën e Re
Një nga lutjet e para që mësojnë shumë njerëz, është lutja «Ati ynë», që Jezui ua mësoi dishepujve të tij. Këtë lutje e gjejmë tek ajo që njihet gjerësisht si Dhiata e Re dhe fillon me fjalët: «Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt!» (Mateu 6:9) Megjithatë, emri i Perëndisë, që në anglisht është përkthyer «Jehovah» e ndonjëherë «Yahweh», (në shqip, Jehova e me raste Jahve) gjendet rrallë në përkthimet e Dhiatës së Re në anglisht. Por të bën përshtypje që në këto përkthime gjejmë emrat e perëndive të rreme, si Zeusi, Hermesi dhe Artemisa. Ndaj, a nuk duhej të ishte përdorur edhe emri i Perëndisë së vërtetë dhe i Autorit të Biblës?—Veprat 14:12; 19:35; 2 Timoteut 3:16.
Përkthyesit e Biblës në gjuhën angleze, Lanselot Shaduelli dhe Frederik Parkeri besonin se emri i Perëndisë duhej rivendosur në Dhiatën e Re. Pse përdorim fjalën «rivendosur»? Sepse ata arritën në përfundimin se në fillim emri i Perëndisë gjendej në shkrimet origjinale, por më vonë u hoq. Pse arritën në këtë përfundim?
Shaduelli dhe Parkeri e dinin se emri i Perëndisë shfaqej me mijëra herë në dorëshkrimet ekzistuese të asaj që shpesh quhet Dhiata e Vjetër, e cila fillimisht u shkrua kryesisht në hebraisht. Prandaj vrisnin mendjen pse dorëshkrimet e Dhiatës së Re që dispononin ata, e kishin hequr formën e plotë të emrit të Perëndisë. a Përveç kësaj, Shaduelli vuri re se, kur në dorëshkrimet e Dhiatës së Re përdoreshin shprehje të njohura nga Dhiata e Vjetër, si «engjëlli i Jehovait», me sa duket kopistët e Dhiatës së Re në greqisht e kishin zëvendësuar emrin e Perëndisë me terma, si Kírios, që do të thotë «Zotëri».—2 Mbretërve 1:3, 15; Veprat 12:23.
Disa përkthyes të tjerë të Dhiatës së Re në anglisht e kishin rivendosur emrin e Perëndisë në përkthimet e tyre përpara Shaduellit dhe Parkerit, por vetëm në relativisht pak vende. b Me aq sa dimë, para vitit 1863, kur Parkeri botoi Biblën A Literal Translation of the New Testament, asnjë përkthyes i gjuhës angleze nuk e kishte rivendosur emrin e Perëndisë në aq shumë vende sa e rivendosi ai në Dhiatën e Re. Çfarë dimë për Lanselot Shaduellin dhe Frederik Parkerin?
Lanselot Shaduelli
Lanselot Shaduelli (1808-1861) ishte avokat dhe djali i sër Lanselot Shaduellit, zëvendëskancelarit të Anglisë. Ai ishte anëtar i Kishës së Anglisë. Ndonëse besonte te Triniteti, tregoi respekt për emrin e Perëndisë dhe e quante «emri i lavdishëm i JEHOVAIT». Në përkthimin e tij, The Gospels of Matthew, and of Mark, ai e përdori emrin «Jehova» 28 herë në tekstin kryesor dhe 465 herë në shënimet shoqëruese.
Shaduelli mund ta ketë mësuar emrin e Perëndisë kur lexoi Dhiatën e Vjetër në hebraishten origjinale. Ai tha se ata që e kishin zëvendësuar emrin e Perëndisë me termin Kírios në përkthimin grek të Dhiatës së Vjetër, «nuk ishin përkthyes të ndershëm».
Në përkthimin e tij, Shaduelli e përdori për herë të parë emrin «Jehova» te Mateu 1:20. Shënimi i tij për këtë varg thotë: «Fjala [Kírios] këtu dhe në vargje të tjera të Dhiatës së Re duhet përkthyer JEHOVA, që është emri i vetë Perëndisë; është tejet e rëndësishme që ky emër të rivendoset në përkthimin në anglisht.» Më tej shton: «Duhet ta bëjmë patjetër këtë që të nderojmë Perëndinë. Ai e ka bërë të njohur veten me emrin JEHOVA; ndaj s’ka më mirë se sa ta përdorim këtë emër kur flasim për të.» Pastaj komenton: «Në Biblën tonë Established Version [që ndryshe quhet King James Version], emri i JEHOVAIT del rrallë. . . . Në vend të emrit të Perëndisë, lexojmë fjalën Zotëri.» Shaduelli pohon se «Zotëri . . . është një titull absolutisht i padenjë» për të zëvendësuar emrin e Perëndisë dhe shton se edhe atë vetë e thërrasin «Zotëri» në vendlindjen e tij.
«[Perëndia] e ka bërë të njohur veten me emrin JEHOVA; ndaj s’ka më mirë se sa ta përdorim këtë emër kur flasim për të.»—Lanselot Shaduelli
Në vitin 1859, Shaduelli botoi përkthimin e tij të Mateut dhe më 1861 botoi një version që përfshinte përkthimet e Mateut dhe të Markut. Mirëpo, puna e tij u ndërpre, sepse vdiq më 11 janar 1861, në moshën 52-vjeçare. Gjithsesi, përpjekjet e tij nuk shkuan dëm.
Frederik Parkeri
Përkthimi i Mateut nga Shaduelli tërhoqi vëmendjen e një biznesmeni të pasur londinez, Frederik Parkerit (1804-1888), i cili kishte nisur të përkthente Dhiatën e Re kur ishte rreth 20 vjeç. Ndryshe nga Shaduelli, Parkeri e kishte hedhur poshtë mësimin e Trinitetit. Ai shkroi: «[Uroj] që krejt Kisha e Birit të dashur [të Perëndisë] . . . ta pranojë me gjithë zemër të vërtetën . . . dhe të adhurojë Jehovain e Plotfuqishëm, që është një i vetëm.» Parkeri besonte edhe se dorëshkrimet e Dhiatës së Re që përdornin termin Kírios edhe për Perëndinë, edhe për Jezuin, e mjegullonin dallimin mes tyre. Prandaj i bëri shumë përshtypje kur pa se në kontekste të caktuara Shaduelli e përkthente «Jehova» fjalën Kírios.»
Si e kuptoi Parkeri këtë gjë? Ai studioi gjuhën greke dhe shkroi disa libra e fletushka për gramatikën greke. Gjithashtu u bë anëtar i Institutit Biblik të Anglisë, i cili i dha shtysë punës kërkimore për dorëshkrimet e Biblës, me synimin për të prodhuar Bibla më cilësore në anglisht. Në vitin 1842, Parkeri nisi të botonte përkthimin e tij të parë të Dhiatës së Re në disa pjesë e vëllime. c
Përpjekjet e Parkerit për të rivendosur emrin e Perëndisë
Prej disa vitesh, në shkrimet e tij Parkeri kishte trajtuar pyetje të tilla, si: «Në cilat raste fjala Kírios i referohet Jezuit dhe në cilat raste i referohet Perëndisë? Pse shpesh fjala Kírios përdoret gramatikisht si emër dhe jo si titull?»
Kur Parkeri pa përkthimin e Mateut të vitit 1859 nga Shaduelli me komentet e tij për fjalën Kírios, u bind se në disa kontekste, Kírios «duhej përkthyer Jehova». Prandaj, ai e rishikoi të gjithë përkthimin e tij të Dhiatës së Re, që të fuste emrin «Jehova» aty ku mendonte se e kërkonte konteksti ose gramatika e tekstit në greqisht. Ndaj, në botimin e vitit 1863 A Literal Translation of the New Testament, që kishte një vëllim, emri i Perëndisë shfaqet 187 herë në tekstin kryesor. Me sa dimë deri më sot, ky është përkthimi i parë në anglisht që përdor emrin hyjnor në të gjithë Shkrimet e Krishtere Greke. d
Në vitin 1864, Parkeri publikoi edhe botimin A Collation of an English Version of the New Testament . . . With the Authorized English Version. Ai i bashkoi dy Dhiatat e Reja në një vëllim të vetëm për të treguar ku dhe si ndryshonte versioni i tij nga tjetri. e
Për të theksuar sa e rëndësishme ishte të rivendosej emri i Perëndisë, Parkeri e tërhoqi vëmendjen te disa vargje nga Bibla Authorized Version, ndër to edhe te Romakëve 10:13, që thotë: «Sepse kushdo që do të thërrasë emrin e Zotërisë, do të shpëtojë.» Parkeri ngriti këtë pyetje: «[E kush] vallë mund ta kuptojë nga Authorized English Version se në këto vargje bëhet fjalë për Jehovain, dhe jo për Birin, pra Zotërinë tonë Jezu Krisht?»
Parkeri shpenzoi mijëra paunde—një shumë marramendëse në atë kohë—për të botuar dhe për të reklamuar fletushkat, veprat e tij dhe shkrime të tjera. Në fakt, në vetëm një vit, ai shpenzoi 800 paunde, që sot janë të barasvlershme me mbi 100.000 paunde britanike (132.000 dollarë amerikanë). Ai gjithashtu u dhuroi kopje të mjaft prej botimeve të tij disa të njohurve dhe klerikëve të lartë që t’i lexonin.
Megjithatë, disa studiues i vunë në lojë veprat e Parkerit dhe përkthimet e tij të Dhiatës së Re, të cilat u shtypën në numër shumë të limituar. Në këtë mënyrë, ata lanë në hije përpjekjet e sinqerta që ai, Shaduelli dhe të tjerë kishin bërë për të rivendosur emrin e Perëndisë në Dhiatën e Re në anglisht.
Nëse ke dëshirë të dish më shumë, mund të shohësh edhe videon 10-minutëshe: Vizitat në muzeun e Uoruikut: «Bibla dhe emri hyjnor».
a «Jah», forma e shkurtuar e emrit «Jehova», gjendet te Zbulesa 19:1, 3, 4, 6 në fjalën «Halelujah», që do të thotë «Lëvdoni Jah!»
b Shaduelli nuk e përktheu të gjithë Dhiatën e Re. Ndër përkthyesit e tjerë ishin: Filip Dodrixhi, Eduard Harudi, Uilliam Njukami, Edgar Tejlëri dhe Gilbert Uejkfilldi.
c Për të ndarë çështjet e biznesit nga studimet e tij rreth Biblës, Parkeri përdori pseudonimin Herman Hajnfeteri në veprat e tij fetare dhe në përkthimet e Biblës. Ky emër del disa herë në shtojcat e Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re.
d Në vitin 1864, Parkeri botoi An English Version of the New Testament, që përdor emrin e Perëndisë 186 herë.
e Para përkthimeve të Parkerit, kishte mjaft përkthime të Dhiatës së Re në hebraisht që përdornin emrin e Perëndisë në vargje të ndryshme. Gjithashtu, më 1795, Johan Jakob Shtolci botoi një përkthim në gjermanisht ku e përdor emrin e Perëndisë mbi 90 herë nga Mateu deri te Juda.