Si filloi jeta?
Si do ta plotësoje fjalinë e mëposhtme?
JETA ËSHTË REZULTAT I . . .
EVOLUCIONIT
KRIJIMIT
Disa mendojnë se ata që bazohen te shkenca do të zgjidhnin «evolucionin», kurse njerëzit fetarë do të zgjidhnin «krijimin».
Por nuk ndodh gjithnjë kështu.
Në të vërtetë, shumë njerëz të arsimuar, madje edhe disa shkencëtarë, e vënë në pikëpyetje teorinë e evolucionit.
Le të shohim rastin e Zherardit, profesor i entomologjisë (shkenca që merret me studimin e insekteve), të cilit në fakultet i kishin mësuar evolucionin. Ai pohon: «Në provime u jepja profesorëve përgjigjet që donin, ama vetë nuk i besoja.»
Pse edhe disa që bazohen te shkenca e kanë të vështirë ta pranojnë se jeta erdhi me evolucion? Për të marrë përgjigje, le të shqyrtojmë dy pyetje që i pështjellojnë shumë studiues. (1)Si nisi jeta? (2)Si u zhvilluan gjallesat?
Si filloi jeta?
ÇFARË THONË DISA. Jeta lindi spontanisht nga materia e pajetë.
PSE DISA NUK I KËNAQ KJO PËRGJIGJE. Shkencëtarët dinë për kiminë dhe strukturën molekulare të jetës më shumë se kurrë më parë, e prapëseprapë nuk arrijnë ta përcaktojnë qartë ç’është jeta. Materien e pajetë e ndan një hendek i madh qoftë edhe nga qeliza e gjallë më e thjeshtë.
Shkencëtarët vetëm sa mund të spekulojnë për kushtet që ishin në tokë miliarda vjet më parë. Ata kanë pikëpamje të ndryshme për vendin ku zuri fill jeta, për shembull, nëse nisi brenda një vullkani apo nën shtratin e oqeanit. Një tjetër bindje është se njësitë bazë të jetës në fillim u formuan diku tjetër në univers dhe mbërritën këtu futur në meteorë. Por, kjo nuk i përgjigjet pyetjes si nisi jeta; vetëm sa e zhvendos këtë çështje nga toka diku në hapësirë.
Shkencëtarët hamenden për ekzistencën e molekulave që i kanë paraprirë materialit gjenetik që njohim sot. Mendohet se këto molekula lindin spontanisht nga materia e pajetë dhe janë vetëshumëfishuese. Sidoqoftë, shkenca nuk ka gjetur fare prova që këto molekula të kenë ekzistuar ndonjëherë, as shkencëtarët nuk kanë arritur t’i krijojnë në laborator.
Gjallesat janë unike në mënyrën si e ruajnë dhe e përpunojnë informacionin. Qelizat bartin, përkthejnë dhe zbatojnë udhëzimet që gjenden në kodin e tyre gjenetik. Disa shkencëtarë e krahasojnë kodin gjenetik me programet kompjuterike, ndërsa strukturën kimike të qelizës me pjesën fizike të kompjuterit. Mirëpo, evolucioni nuk e shpjegon dot burimin e informacionit.
Molekulat proteinike janë të nevojshme për funksionimin e qelizës. Një molekulë proteinike tipike përbëhet nga qindra aminoacide të ndërthurura sipas një radhe të caktuar. Përveç kësaj, që molekula proteinike të jetë e dobishme, duhet të marrë një formë specifike tridimensionale. Disa shkencëtarë nxjerrin përfundimin se shanset që qoftë edhe një molekulë proteinike të krijohet vetvetiu, janë jashtëzakonisht të pakta. Fizikani Pol Dejvis shkruan: «Meqë funksionimi i qelizës kërkon mijëra proteina të ndryshme, është e palogjikshme të mendojmë se qelizat janë formuar thjesht rastësisht.»
PËRFUNDIMI. Pas dekadash kërkimi thuajse në të gjitha degët e shkencës, mbetet fakti se jeta vjen vetëm nga një jetë që ka ekzistuar më parë.
Si u zhvilluan gjallesat?
ÇFARË THONË DISA. Organizmi i parë i gjallë u zhvillua gradualisht në një shumëllojshmëri gjallesash, përfshirë njerëzit, përmes një procesi mutacionesh të rastësishme dhe përzgjedhjes natyrore.
PSE DISA NUK I KËNAQ KJO PËRGJIGJE. Disa qeliza janë më komplekse se të tjerat. Sipas një vepre referimi, mënyra si u zhvilluan qelizat më të thjeshta në qeliza më komplekse «shpesh renditet si misteri i dytë më i madh i evolucionit, pas origjinës së jetës».
Shkencëtarët kanë zbuluar se në çdo qelizë ka makineri të zhdërvjellëta molekulare të përbëra nga molekula proteinike që bashkëpunojnë për të kryer punë komplekse. Këto punë përfshijnë transportin dhe shndërrimin e lëndëve ushqyese në energji, riparimin e pjesëve të qelizës dhe dërgimin e mesazheve në të gjithë qelizën. A mund të jenë mutacionet e rastësishme dhe përzgjedhja natyrore përgjegjëse për grumbullimin dhe funksionimin e këtyre elementeve kaq të sofistikuara? Shumë vetave ky koncept u duket i vështirë për t’u pranuar.
Kafshët dhe njerëzit zhvillohen nga një vezë e vetme e pllenuar. Brenda embrionit, qelizat shumohen dhe me kohë specializohen duke marrë forma e funksione të veçanta që të krijohen pjesë të ndryshme të trupit. Evolucioni nuk mund ta shpjegojë si «e di» çdo qelizë në çfarë të kthehet dhe ku të shkojë brenda organizmit.
Shkencëtarët sot e kuptojnë se, që një lloj kafshe të zhvillohet në një kafshë të një lloji tjetër, kërkohen ndryshime në nivel molekular brenda qelizës. Gjithsesi, ata nuk e shpjegojnë dot si mund të prodhojë evolucioni qoftë edhe qelizën «më të thjeshtë». Atëherë, a ka kuptim që llojet e ndryshme të kafshëve në planet të kenë ardhur për shkak të mutacioneve të rastësishme dhe të përzgjedhjes natyrore? Profesori i shkencave biologjike, Majkëll Bihi, thotë për strukturën e kafshëve se, ndërsa kërkimet ‘kanë zbuluar një kompleksitet mahnitës të papritur, nuk është bërë asnjë hap për të kuptuar si mund të ketë evoluar nga procese pa intelekt’.
Qeniet njerëzore janë të vetëdijshme e të ndërgjegjshme, të afta të mendojnë e të arsyetojnë dhe zotërojnë cilësi morale, si bujaria, vetëmohimi dhe mund të dallojnë të drejtën nga e gabuara. Mutacionet e rastësishme dhe përzgjedhja natyrore nuk mund ta shpjegojnë ekzistencën e këtyre cilësive unike të mendjes njerëzore.
PËRFUNDIMI. Edhe pse shumë këmbëngulin se është fakt i padiskutueshëm që jeta e ka origjinën nga evolucioni, të tjerë nuk kënaqen me përgjigjet e evolucionit për zanafillën dhe zhvillimin e jetës.
Një përgjigje që ia vlen ta shqyrtojmë
Pasi shqyrtojnë provat, shumë nxjerrin përfundimin se jeta është produkt i një intelekti më të lartë. Të shohim rastin e Entoni Fluit, një profesor filozofie që dikur ishte mbrojtës i zjarrtë i ateizmit. Ai ndryshoi mendje kur mësoi për kompleksitetin mahnitës të jetës dhe për ligjet fizike të universit. Duke përmendur arsyetimin e filozofëve të lashtë, shkroi: «Duhet ta ndjekim argumentin kudo që të çojë.» Për profesor Fluin, dëshmitë çonin në ekzistencën e një Krijuesi.
Edhe Zherardi i përmendur më herët në këtë artikull, arriti në një përfundim të ngjashëm. Edhe pse tejet i arsimuar dhe me karrierë në entomologji, ai thotë: «Nuk gjeta asnjë dëshmi se jeta lindi spontanisht nga materia e pajetë. Rregulli dhe kompleksiteti i gjallesave më bindën se duhet të ekzistojë një Organizues dhe Projektues.»
Ashtu si dikush mëson për një artist duke shqyrtuar veprën e tij, Zherardi arriti të dallonte cilësitë e Krijuesit duke studiuar natyrën. Gjithashtu gjeti kohë për të shqyrtuar një libër që i atribuohet Krijuesit, Biblën. (2 Timoteut 3:16) Atje mori përgjigje të kënaqshme për pyetjet lidhur me të kaluarën e njerëzimit dhe zgjidhje praktike të problemeve që hasin njerëzit sot. Kështu u bind se edhe Bibla ishte produkt i një mendjeje më të lartë.
Siç e pa edhe Zherardi, ia vlen t’i shqyrtojmë përgjigjet e Biblës. Të nxitim edhe ty t’i shqyrtosh.