Toleranca—Si na ndihmon Bibla
«Toleranca [është] virtyti që bën të mundur paqen.»—Deklarata e Parimeve mbi Tolerancën e UNESCO-s, 1995.
Intoleranca, nga ana tjetër, mund të ngjallë mungesë respekti, e madje urrejtje. Shpesh këto ndjenja çojnë në të folur plot urrejtje, në diskriminim dhe në dhunë.
Mirëpo ka opinione të ndryshme se çfarë është vërtet toleranca. Disa mendojnë se njerëzit tolerantë duhet të aprovojnë çdo lloj sjelljeje a veprimi. Kurse të tjerë mendojnë se njerëzit tolerantë respektojnë të drejtën e çdo individi për të zgjedhur vlerat e bindjet e veta, edhe nëse ata vetë nuk i aprovojnë ato vlera a bindje. Këtë pikëpamje mbështet edhe Bibla.
A mund t’i ndihmojë Bibla njerëzit të jenë vërtet tolerantë në ditët tona?
Çfarë thotë Bibla për tolerancën
Bibla na nxit të jemi tolerantë. Ajo thotë: «Arsyetueshmërinë tuaj le ta njohin të gjithë njerëzit.» (Filipianëve 4:5) Bibla na inkurajon t’u tregojmë konsideratë të tjerëve dhe t’i trajtojmë me mirësjellje e paanshmëri. Ata që zbatojnë këtë këshillë mbase nuk janë dakord me vlerat e personit tjetër ose nuk i përqafojnë ato, ama i japin liri atij ose asaj të sillet siç dëshiron.
Nga ana tjetër, Bibla tregon se Perëndia ka vendosur disa norma se si duhet të sillen njerëzit. Ajo thotë: «[Perëndia] të ka thënë, o njeri, se ç’është e mirë.» (Mikea 6:8) Bibla përmban këshillat e Perëndisë për njerëzit, që ata ta gëzojnë sa më shumë jetën.—Isaia 48:17, 18.
Zoti nuk na jep të drejtën për të gjykuar të tjerët. Bibla thotë: «Një i vetëm është Ligjdhënës dhe Gjykatës. . . . Po ti, kush je që të gjykosh tjetrin?» (Jakovi 4:12) Perëndia i jep liri secilit prej nesh të bëjë zgjedhjet e veta, për të cilat do të mbajmë vetë përgjegjësi.—Ligji i përtërirë 30:19.
Çfarë thotë Bibla për respektin
Bibla thotë se duhet «të kemi respekt për të gjithë». (1 Pjetrit 2:17, New Jerusalem Bible) Prandaj, ata që vendosin të jetojnë sipas normave të Biblës, i trajtojnë të gjithë njerëzit me respekt, pavarësisht nga çfarë besojnë ose nga stili i jetesës që zgjedhin. (Luka 6:31) Kjo s’do të thotë se ata që jetojnë sipas Biblës do të bien dakord me çdo bindje a opinion të të tjerëve ose se do të mbështetin çdo vendim që ata marrin. Por, në vend që të sillen pa edukatë ose pa respekt, do të përpiqen të imitojnë sa më mirë mënyrën si i trajtoi Jezui të tjerët.
Për shembull, Jezui takoi një grua që kishte një fe të cilën ai nuk e miratonte. Veç kësaj, ajo jetonte me një burrë që nuk ishte bashkëshorti i saj, dhe për Jezuin kjo lloj jete ishte e papërshtatshme. Prapëseprapë, Jezui i foli me respekt asaj gruaje.—Gjoni 4:9, 17-24.
Si Jezui, edhe shërbëtorët e Perëndisë sot janë të përgatitur për t’ia shpjeguar kujtdo që dëshiron të dëgjojë bazat e bindjeve të tyre, por e bëjnë këtë me «respekt të thellë». (1 Pjetrit 3:15) Bibla na mëson të mos ua imponojmë opinionet tona të tjerëve. Në të thuhet se ai që ndjek shembullin e Krishtit, «nuk duhet të luftojë, por duhet të jetë i ëmbël me të gjithë», pra, edhe me ata që kanë bindje të ndryshme nga të tijat.—2 Timoteut 2:24.
Çfarë thotë Bibla për urrejtjen
Bibla na nxit ‘të ndjekim udhën e paqes me të gjithë’. (Hebrenjve 12:14) Kush ndjek udhën e paqes, nuk i urren të tjerët. Nuk bën kompromis me vlerat e veta, por njëkohësisht përpiqet fort të jetojë në paqe me të tjerët. (Mateu 5:9) Gjithashtu, Bibla i inkurajon të krishterët të duan armiqtë, duke u sjellë në mënyrë të njerëzishme edhe ndaj atyre që i trajtojnë keq.—Mateu 5:44.
Vërtet, Bibla thotë se Perëndia «i urren» ose i konsideron ‘të pështira’ disa veprime që e zhveshin nga dinjiteti njeriun ose që dëmtojnë të tjerët. (Proverbat 6:16-19) Por, në këto vargje Bibla e përdor fjalën ‘urrejtje’ për të përshkruar një ndjenjë të fortë mospëlqimi për veprimet e gabuara, jo për njerëzit. Ajo tregon se Zoti është i gatshëm të falë dhe të ndihmojë këdo që dëshiron të kthejë rrugë dhe të jetojë sipas normave të Tij.—Isaia 55:7.
Vargje nga Bibla për tolerancën dhe respektin
Titit 3:2: ‘Jini të arsyeshëm e tregoni gjithmonë butësi ndaj të gjithëve.’
Një person i arsyeshëm reagon me butësi kur dikush shpreh një mendim ndryshe nga i tiji. Kështu i kontribuon respektit reciprok.
Mateu 7:12: «Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta.»
Të gjithëve na pëlqen kur të tjerët na trajtojnë me respekt dhe marrin parasysh pikëpamjet e ndjenjat tona. Që të mësosh më shumë si ta zbatosh këtë rregull sjelljeje të mirënjohur që na mësoi Jezui, shih artikullin «Çfarë është Rregulla e Artë?»
Josiu 24:15: «Zgjidhni sot kujt do t’i shërbeni.»
I kontribuojmë paqes kur respektojmë të drejtën e të tjerëve për të bërë zgjedhjet e veta.
Veprat 10:34: «Perëndia nuk është i anshëm.»
Zoti nuk diskriminon askënd pavarësisht nga kultura, gjinia, kombësia, raca ose prejardhja. Ata që duan të imitojnë Perëndinë, respektojnë çdo njeri.
Habakuku 1:12, 13: «[Perëndia] nuk e toleron dot ligësinë.»
Toleranca e Perëndisë ka kufij. Ai nuk do të lejojë që njerëzit të kryejnë vepra të liga pafundësisht. Që të mësosh më shumë, shih videon Pse i lejon Perëndia vuajtjet?
Romakëve 12:19: «Lërini vend zemërimit të furishëm [të Perëndisë], sepse është shkruar: “‘Hakmarrja më përket mua, unë do të shpaguaj’,—thotë Jehovai.”» a
Perëndia Jehova nuk autorizon asnjë njeri të marrë hak. Ai do të sigurohet që drejtësia të vihet në vend në kohën e duhur sipas tij. Që të mësosh më shumë, lexo artikullin «A do të dëgjohet ndonjëherë thirrja për drejtësi?»
a Jehova është emri i Perëndisë. (Psalmi 83:18) Shih artikullin «Kush është Jehovai?»