Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mjetet ushtarake: Anton Petrus/Moment via Getty Images; kartëmonedhat: Wara1982/iStock via Getty Images Plus

QËNDRONI VIGJILENTË!

Triliona po shpenzohen për luftërat—⁠Vetëm kaq është kostoja?

Triliona po shpenzohen për luftërat—⁠Vetëm kaq është kostoja?

 Botës po i kushtojnë tepër shtrenjtë luftërat.

  •   «Shpenzimet ushtarake për luftërat e shumta në mbarë botën kanë arritur shifrën rekord prej 2,2 trilionë dollarësh.»—The Washington Post, 13 shkurt 2024.

 Por kjo kosto nuk është vetëm në vlerë monetare. Të marrim vetëm një shembull: luftën në Ukrainë.

  •   Ushtarët. Nga disa përllogaritje, thuajse 500.000 ushtarë janë vrarë ose plagosur që kur filloi lufta 2 vjet më parë.

  •   Civilët. Sipas Kombeve të Bashkuara, mbi 28.000 veta kanë mbetur të vrarë ose të lënduar. Megjithatë një funksionar i lartë i OKB-së deklaron: «Është e pamundur të llogaritim sa jetë njerëzish janë rrënuar nga kjo luftë shkatërrimtare.» a

 Çmimi i vuajtjeve që po paguajnë njerëzit për shkak të luftërave dhe konflikteve anekënd botës, është i jashtëzakonshëm.

  •   114 milionë njerëz. Numri i të evakuarve për shkak të luftërave dhe konflikteve të armatosura anekënd botës, deri në shtator të vitit 2023.

  •   783 milionë njerëz. Numri i atyre që vuajnë nga uria kronike. «Konfliktet mbeten shkaku kryesor i urisë. 70 për qind e popullsisë së botës që vuan nga uria, jeton në zonat e prekura nga luftërat e dhuna.»—Programi Botëror për Ushqimin.

 A do të marrin fund luftërat? A ka shpresë për paqe? A do të përdoren ndonjëherë burimet e pasura të tokës për t’i dhënë fund urisë dhe varfërisë? Çfarë thotë Bibla?

Një kohë me luftëra

 Bibla kishte parathënë se në çdo cep të botës do të kishte luftëra dhe e përshkruan këtë me kalërimin e një kalorësi simbolik.

  •   «Doli një kalë tjetër me ngjyrë të kuqe zjarr. Kalorësit të tij iu lejua të hiqte paqen nga toka, që njerëzit të masakronin njëri-tjetrin, dhe iu dha një shpatë e madhe.»—Zbulesa 6:4.

 Këtë kalorës simbolik e ndjekin dy të tjerë që simbolizojnë mungesën e ushqimit dhe vdekjen, të përhapura në mbarë botën, që shkaktohen nga sëmundje dhe shkaqe të tjera. (Zbulesa 6:5-8) Që të mësosh më shumë për këtë profeci të Biblës dhe pse mund të jemi të sigurt se ajo po përmbushet në kohët tona, lexo artikullin «Cilët janë katër kalorësit?»

Një e ardhme plot paqe

 Së shpejti, pasuritë e botës nuk do të përdoren më për luftërat. Megjithatë, kjo nuk do të arrihet si rezultat i përpjekjeve njerëzore. Bibla thotë:

  •   «Luftërat anembanë tokës [Perëndia] i shuan.»—Psalmi 46:9.

  •   Zoti do të zhbëjë pasojat tragjike të luftërave. «Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre dhe nuk do të ketë më vdekje. Nuk do të ketë më as vajtim, as klithmë, as dhembje. Gjërat e mëparshme shkuan.»—Zbulesa 21:4.

  •   Perëndia do të sjellë paqe të përhershme për të gjithë. «Populli im do të banojë në një vend paqësor, në banesa të sigurta e në vende të qeta.»—Isaia 32:18.

 Sipas profecive të Biblës, luftërat dhe ngjarjet e tjera që shohim sot tregojnë se kjo kohë plot me paqe është në prag.

 Si do ta sjellë Perëndia këtë të ardhme plot paqe? Nëpërmjet qeverisë së tij qiellore ose Mbretërisë së tij. (Mateu 6:10) Që të mësosh më shumë se çfarë është kjo Mbretëri dhe si do të ndikojë në jetën tënde, shih këtë video të shkurtër Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?

a Mirosllav Jença, ndihmëssekretar i përgjithshëm i OKB-së për Evropën, 6 dhjetor 2023.