Veganizmi—Çfarë thotë Bibla?
Kudo në botë ka një interes të madh për veganizmin.
«Veganizmi është një filozofi dhe një mënyrë jetese që përpiqet të përjashtojë—për aq sa është e mundur dhe praktike—çdo formë shfrytëzimi dhe mizorie ndaj kafshëve për ushqim, veshje a diçka tjetër.»—The Vegan Society.
Përveç merakut për kafshët, disa bëhen veganë për të përmirësuar mjedisin ose për arsye shëndetësore a fetare.
«Ndryshe nga shumica e zgjedhjeve në të ushqyer, veganizmi më shpesh shihet si një koncept filozofik, një zgjedhje etike dhe një formë aktivizmi individual që synon të ketë efekt global.»—Britannica Academic.
A është veganizmi zgjidhja për një botë më të mirë? Çfarë thotë Bibla?
Pikëpamja e Krijuesit për njerëzit dhe kafshët
Bibla tregon se Krijuesi, Perëndia Jehova, a i konsideron njerëzit superiorë ndaj kafshëve dhe se u ka dhënë pushtet mbi to. (Zanafilla 1:27, 28) Më vonë Perëndia lejoi që njerëzit të përdornin kafshët për ushqim. (Zanafilla 9:3) Gjithsesi nuk e justifikon në asnjë mënyrë keqtrajtimin ndaj kafshëve.—Proverbat 12:10.
Sipas Biblës, zgjedhim të hamë mish apo jo, është një vendim personal. b Vendimi që marrim, nuk na bën njerëz më të mirë në sy të Perëndisë. (1 Korintasve 8:8) Asnjëri prej nesh nuk duhet të kritikojë vendimet e të tjerëve për zgjedhjet në të ngrënë.—Romakëve 14:3.
Zgjidhja për një botë më të mirë
Bibla tregon se mënyra si zgjedhim ta jetojmë jetën, nuk i ndreq problemet që hasim sot. Shumë probleme i kanë rrënjët te sistemi politik, social dhe ekonomik i kësaj bote, të cilat asnjëri prej nesh nuk mund t’i zgjidhë. Bibla thotë:
«Ajo që është e shtrembër, s’mund të drejtohet.»—Eklisiastiu 1:15.
Krijuesi ynë do t’i zgjidhë problemet që kemi sot. Bibla përdor një gjuhë të figurshme për të përshkruar çfarë do të bëjë Zoti.
«Pashë një qiell të ri dhe një tokë të re, sepse qielli i mëparshëm dhe toka e mëparshme kishin kaluar dhe deti nuk ishte më.»—Zbulesa 21:1.
Perëndia do t’i zëvendësojë qeveritë njerëzore ose ‘qiellin e mëparshëm’ me «një qiell të ri», një qeveri qiellore që quhet Mbretëria e Perëndisë. Kjo Mbretëri do të eliminojë ‘tokën e mëparshme’, pra ata që janë të ligj, dhe do të qeverisë mbi «një tokë të re» ose mbi ata që janë të gatshëm t’i nënshtrohen autoritetit të tij.
Vetëm nën Mbretërinë e Tij njerëzit do të mësojnë si të jetojnë në harmoni të përsosur me kafshët dhe mjedisin.—Isaia 11:6-9.
a Jehova është emri i Perëndisë.—Psalmi 83:18.
b Bibla na urdhëron: «Rrini larg . . . nga gjaku.» (Veprat 15:28, 29) Kjo do të thotë të mos pimë gjak ose të mos hamë mish që nuk është lënë t’i kullojë gjaku. Gjithashtu nuk duhet të hamë asnjë lloj ushqimi të cilit i është shtuar gjak.