Plotësuan afatin 60-ditësh
Të premten, më 5 korrik 2013, familja Bethel në Shtetet e Bashkuara u emocionua shumë kur Anthony Morris, pjesëtar i Trupit Udhëheqës, bëri këtë njoftim: «Është lidhur një kontratë për të shitur gjashtë ndërtesat, përfshirë kompleksin e 117 Adams Street dhe 90 Sands Street në Bruklin. a Shitja e ndërtesave 1 deri në 5 kërkon t’i boshatisim brenda mesit të gushtit të këtij viti.»
S’do mend që do të ishte një punë kolosale. Sipërfaqja e të gjitha kateve në pesë ndërtesat është sa 11 fusha futbolli që përdoren për ndeshje ndërkombëtare. Dhe duheshin boshatisur brenda 60 ditëve.
Për dekada me radhë, në ndërtesat 1 deri në 5 kishte shtypshkronja dhe makineri libralidhjeje, por më 2004 këto u transferuan në një vend të ri në Uollkill, Nju-Jork.
Që atëherë, ndërtesat janë përdorur si depo dhe godina mirëmbajtjeje, plot me materiale ndërtimi, mobilie për zyra dhe pajisje për projekte ndërtimi në Shtetet e Bashkuara e në vende të tjera.
Kërkohej një planifikim goxha i kujdesshëm që ndërtesat të boshatiseshin brenda afatit. Në fillim u bë një inventar i gjërave brenda ndërtesave, për të parë cilat duheshin shitur, hedhur ose mbajtur. Pastaj u morën masa që puna të bëhej edhe në mënyrë të sigurt, edhe të efektshme.
Familja Bethel punoi pa u lodhur për të mbështetur projektin. Veç kësaj, u ftuan të vinin në Bethel për të ndihmuar 41 vullnetarë të përkohshëm. Ata erdhën nga çdo cep i Shteteve të Bashkuara. Shumica ishin të rinj beqarë plot forcë. Pranuan ftesën që të punonin në Bethel për gjashtë deri në dhjetë javë, duke lënë pas familjen, miqtë e punën. Si ndiheshin për caktimin?
Xhordani, një 21-vjeçar nga shteti i Uashingtonit, tha: «Gjynah që nuk e bëra më shpejt kërkesën!»
Stivëni 20-vjeçar që erdhi nga Teksasi, tha: «Ndihem pjesë e një familjeje të madhe, të palodhur që gjendet në mbarë botën.»
Xhastini 23-vjeçar shkroi: «Këtu në Bethel ndihem si në shtëpinë time. Thesari i pashtershëm i mençurisë frymore, dashuria dhe shoqëria në Bethel janë fantastike.»
Adleri 20 vjeç, që erdhi nga Porto-Rikoja, tha: «Mezi zgjohesha herët në mëngjes, ama kam lidhur miqësi që do të zgjatin pafundësisht.»
Uilliami, që është 21 vjeç, u shpreh: «Që në fëmijëri e kam pasur ëndërr të vija në Bethel. Pata frikë mos do të ndihesha i humbur ose i vetmuar, por e kisha gabim. Betheli ka qenë përvoja më e mrekullueshme në jetën time! Nuk imagjinoj dot asgjë më të mirë sesa të jem këtu.»
A e plotësoi afatin skuadra e punëtorëve të zellshëm? Posi jo—madje, brenda 55 ditësh.
a Banesa në 90 Sands Street do të boshatiset gjatë vitit 2017.