Udhëtim prapa në kohë
Në tetor 2012 filluan të bëheshin vizita pa ciceron në selinë botërore në Bruklin, Nju-Jork, ku tregohet shkurtimisht historia e Dëshmitarëve të Jehovait. a Ekspozita nxjerr në pah betejat, rreziqet dhe fitoret e disa prej atyre që u përpoqën të praktikonin krishterimin.
Vizitorët bëjnë një udhëtim prapa në kohë, duke nisur me periudhën e krishterë në vitin 33 të e.s. deri sot. Ekspozita ndahet në katër pjesë dhe përfshin një tabelë kronologjike që i bashkon të gjitha pjesët. Secila pjesë ka një temë të bazuar në Shkrime dhe prezantohet me një video të shkurtër, e cila mund të dëgjohet në anglisht me titra në gjashtë gjuhë të tjera: frënge, italiane, japoneze, koreane, portugeze e spanjolle.
Pjesët kryesore të ekspozitës
Pjesa e parë, «Njerëzit e deshën errësirën», e merr emrin nga fjalët e Jezuit te Gjoni 3:19. Bibla paratha se njerëz të ligj ‘do të ngriheshin e do të thoshin gjëra të shtrembëruara’. (Veprat 20:30) Tabela kronologjike është plot me prova të zymta të veprimeve nga njerëz të tillë.
Pjesa e dytë ka temën «Le të ndriçojë drita», marrë nga 2 Korintasve 4:6. Tabela kronologjike tregon periudhën nga fundi i viteve 1800 deri në fillim të viteve 1900. Kjo pjesë fillon me historinë e njerëzve të zellshëm që nisën studimin e Biblës pa u ndikuar nga mësimet e përhapura dhe tregon si u rritën në njohuri e në numër para Luftës I Botërore.
Më pas, kjo pjesë tregon për programin e famshëm me emrin «Foto-Drama e Krijimit». Në vitin 1914, Studentët e Biblës (siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait) filluan të shfaqnin këtë program unik ku ndërthureshin fotografi e filmime me muzikë në sfond. Që kur doli, miliona veta vërshuan për të parë këtë program. Ekspozita ka disa nga pikturat origjinale, një video që tregon si fillonte Foto-Drama dhe mbi 500 diapozitiva me ngjyra.
Pjesa e tretë ka temën «Dragoi u zemërua» që bazohet te Zbulesa 12:17. Ajo tregon për përndjekjen që vuajtën dishepujt e Krishtit në fillim të shekullit të 20-të dhe përmban histori të gjalla për të krishterët besnikë të kohës së luftës. Një videoklip tregon historinë e Remigio Cuminetti, një Dëshmitar që nuk pranoi të vishte uniformën ushtarake italiane dhe të luftonte në Luftën I Botërore. Një Dëshmitar tjetër ishte Alois Moser nga Austria. Ai nuk pranoi të thoshte: «Heil Hitler!» Prandaj humbi punën dhe e futën në kampin e përqendrimit në Dachau.
Një qeli e zymtë e me ndriçim të zbehtë shërben si sfond për fotografi të Dëshmitarëve të Jehovait që u burgosën ngaqë praktikuan besimin në vende, si: Greqi, Japoni, Poloni dhe Serbi.
Pjesa e fundit ka temën «Lajm i mirë për të gjitha kombet», që bazohet te Mateu 24:14 dhe përmbledh veprimtarinë e Dëshmitarëve të Jehovait nga viti 1950 deri sot. Një kolazh fotografish tregon historinë e rritjes së vrullshme, të predikimit pa pushim dhe të dashurisë vëllazërore që janë pikërisht gjërat për të cilat shquhen Dëshmitarët e Jehovait.
Në fund të vizitës, mund të bëhet një vizitë virtuale në Shtëpinë e Biblës dhe në Tabernakullin e Bruklinit, falë stendave të posaçme me kompjuter në dispozicion të vizitorëve. Këto ndërtesa, Dëshmitarët e Jehovait i përdorën më tepër se 100 vjet më parë.
Pse u krijua ekspozita?
Për këtë ekspozitë u deshën një vit planifikim dhe muaj të tërë për ta zbatuar planin. Dëshmitarë nga e gjithë bota kontribuan duke sjellë sende që i konsideronin trashëgimi e çmuar.
Pse u bë gjithë kjo punë? Kur një anëtar të Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait e pyetën për dobinë që do të nxirrnin Dëshmitarët e Jehovait kur ta vizitonin ekspozitën, ai përsëriti një thënie të njohur: «Që të dimë ku po shkojmë, duhet të dimë nga vijmë.»
a Ekspozita ndodhet në adresën 25 Columbia Heights, Bruklin, Nju-Jork, dhe është e hapur nga e hëna në të premten, ora 8.00-17.00. Hyrja është falas.