Kalo te përmbajtja

Fitojnë luftën kundër zjarrit

Fitojnë luftën kundër zjarrit

«Zjarr, ka rënë zjarr!» Sandra po hante mëngjes në shtëpinë e prindërve të burrit, kur pa të dilte flakë nga poshtë derës së një depoje të vogël ngjitur me shtëpinë. Bashkë me të shoqin, Tomasin, vepruan menjëherë. Ndërkohë që Sandra mori fikësin e zjarrit, Tomasi vrapoi për te depoja që të shihte ç’po ndodhte. Sandra nxitoi t’i jepte Tomasit fikësin dhe ai e shuajti zjarrin. Ajo kujton: «Nëse nuk do të kishim ndërhyrë, e gjithë depoja do të ishte shkrumbuar.»

Si arritën Tomasi dhe Sandra të shmangnin panikun e të vepronin menjëherë? Së bashku me rreth 1.000 të tjerë që punojnë në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Zeltërs, Gjermani, ata kanë mësuar si të veprojnë në raste emergjencash zjarri.

Prona prej 30-hektarësh (70 akra) në Zeltërs nuk përfshin vetëm zyra dhe rezidenca, por edhe një lavanderi, një shtypshkronjë dhe punishte të ndryshme—zona me rrezikshmëri të lartë zjarri. Prandaj, në këtë degë, Reparti për Sigurinë dhe Mjedisin krijoi një program për të mësuar masat e sigurisë ndaj zjarrit. Së pari, një grup që quhet Skuadra e Emergjencës stërvitet me repartin vendas të zjarrfikësve. Së dyti, të gjithë vullnetarët e degës bëjnë rregullisht këto gjëra:

  • Bëjnë prova evakuimi.

  • Marrin pjesë në seanca mësimore për sigurinë ndaj zjarrit.

  • Mësojnë si të shuajnë një zjarr që në fazat e hershme.

Kështu, vullnetarët fitojnë aftësi që janë të domosdoshme gjatë emergjencave.

Stërviten për masat e sigurisë kundër zjarrit

Gjatë seancave të praktikës, pjesëmarrësit mësojnë si të shuajnë zjarrin pa rrezikuar vetë. Kristina, e cila ka mësuar për herë të fundit për masat e sigurisë ndaj zjarrit kur ishte në fillore, e përshkruan kështu një seancë trajnimi në zyrën e degës: «Mora fikësin e zjarrit, i hoqa siguresën dhe iu afrova zjarrit nga ana e kundërt e erës. Përndryshe, flakët do të më vinin në fytyrë. Pastaj e shuajta—vetëm fare! Gjithashtu mësova si fiket një zjarr me një skuadër prej 4 a 5 vetash.»

Danieli, që punon në zyrën e degës si trajner për sigurinë ndaj zjarrit, thotë se seancat e stërvitjes «pakësojnë frikën nga zjarri». Ai shpjegon: «Kur bie zjarr, njerëzit shpesh i zë paniku, ankthi dhe mendojnë: ‘Çfarë duhet të bëjmë? Si të përdorim një fikës zjarri?’ Por, nëse dinë çfarë të bëjnë, mund të parandalojnë me lehtësi shndërrimin e një zjarri të vogël në një zjarr shkatërrimtar.» Ai thotë se gjatë trajnimit, «pjesëmarrësit mësojnë si të mbajnë siç duhet fikësit e zjarrit gjatë një emergjence dhe si të fikin zjarrin. Ata fitojnë siguri dhe guxim që të veprojnë pa vonesë».

Trajnimi sjell rezultate të kënaqshme

Shumë shprehen me mirënjohje për trajnimin. Kristina, e përmendur pak më lart, pranon: «Ishte hera e parë që mbaja në dorë një fikës zjarri. Mendoj se çdokush duhet të marrë këtë lloj trajnimi.» Nadja, e cila punon si vullnetare part-time në zyrën e degës dhe gjithashtu punon në një aeroport, tregon: «Gjatë 10 viteve të fundit në aeroport kam marrë vetëm mësime teorike për sa i përket sigurisë kundër zjarrit. Por, praktika në zyrën e degës më dha më shumë siguri. Nëse bie zjarr, tani di si të veproj.»

Sandra beson se stërvitja që mori në zyrën e degës e ndihmoi të vepronte menjëherë në shtëpinë e prindërve të burrit. Ajo thotë: «Tani nuk kam më aq shumë frikë të përdor një fikës zjarri. Është gjë e mirë që trajnohemi çdo vit. Pa dyshim, kjo më ndihmoi.»

Stërviten me repartin vendas të zjarrfikësve

Reparti vendas i zjarrfikësve zhvillon seanca praktike të rregullta në pronën e zyrës së degës. Kreu i zjarrfikësve, Teo Nekermani, shpjegon arsyen: «Reparti ynë i zjarrfikësve është përgjegjës për komunën e Zeltërsit, një zonë rurale. Zakonisht merremi me emergjencat e zjarrit në shtëpi private ose apartamente. Zyra e degës është unike në rajon për shkak të shtrirjes së madhe të pronës, të godinave gjigante dhe të punës me natyrë industriale. Kemi nevojë për aftësi të tjera që të përballojmë emergjencat në këtë kompleks. Prandaj jemi të kënaqur e mirënjohës që stërvitemi këtu.»

Në seancat stërvitore, më shumë se 100 anëtarët e Skuadrës së Emergjencës në degë bëjnë operacione shpëtimi dhe prova evakuimi bashkë me repartin e zjarrfikësve. Z. Nekerman thotë: «E admirojmë Skuadrën tuaj të Emergjencës. Pa ndihmën dhe drejtimin e tyre, provat e evakuimit dhe operacionet e emergjencave të zjarrit nuk do të ishin kaq efektive dhe të lehta.»

Demonstrojnë sa e rrezikshme është të përpiqesh të shuash me ujë vajin e djegur

Në një mbrëmje të shkurtit 2014, Reparti i zjarrfikësve dhe Skuadra e Emergjencës treguan aftësitë e tyre. Një nga apartamentet në një nga rezidencat e degës u mbush me tym. Danieli, i përmendur më sipër, kujton: «Tymi ishte kaq i dendur saqë nuk shihje dot asgjë. Menjëherë kontaktuam me repartin e zjarrfikësve dhe nisëm evakuimin e të 88 apartamenteve. Kur ata mbërritën, tashmë e kishim zbrazur të gjithë godinën.» Z. Nekerman thotë: «Është e paimagjinueshme të evakuohet kaq shpejt një godinë gjigante, në një qytet si Frankfurti. Ishit shumë të disiplinuar dhe Reparti juaj i Emergjencës ishte super!» Zjarrfikësit identifikuan rrezikun dhe vepruan menjëherë. Nuk u lëndua askush dhe nuk pati dëme serioze.

Të gjithë në zyrën e degës në Zeltërs shpresojnë të mos ndodhë asnjëherë ndonjë emergjencë zjarri serioze. Por, nëse ndodh, vullnetarët janë të përgatitur sepse kanë mësuar si të fitojnë luftën kundër zjarrit.