Lavanderia e Bethelit: Nga leckat e kuzhinës te kollaret e mëndafshta
Të rinj e të reja në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Shtetet e Bashkuara, japin nga koha dhe energjia e tyre për të larë 1.800 tonë rroba çdo vit në tri komplekset ku puna është e organizuar njësoj: në Bruklin, Patterson dhe në Uollkill të Nju-Jorkut. Vetëm sasia e teshave është e pabesueshme, por ajo që e bën unike këtë punë, është larmia e rrobave me të cilat punojnë bethelitët.
Çdo ditë, ata që jetojnë në komplekset e Bethelit në Shtetet e Bashkuara dërgojnë mbi 11.000 lloje të ndryshme rrobash në lavanderitë e Bethelit: 2.300 këmisha dhe 650 palë pantallona, çorape, të brendshme e bluza. Gjithashtu dërgojnë 900 rroba të tjera për pastrim kimik.
Duhen larë edhe pirgje me shtresa si: çarçafë, peshqirë, batanije, bashkë me uniformat e kamerierëve dhe leckat e pastrimit. Gjithçka duhet larë, tharë e dërguar. Rroba të tilla, si leckat, pastrohen të gjitha bashkë, kurse kollaret e mëndafshta dhe bluzat delikate trajtohen një më një.
Punëtorët e lavanderisë kontrollojnë çdo rrobë nëse ka të grisura a i mungon ndonjë kopsë. Në rast se duhet vënë ndonjë kopsë, këtë punë e bën një makinë automatike ose e qepin me dorë. Nëse një rrobë duhet arnuar ose ndrequr disi, me këtë punë merret një rrobaqepës i zotë.
Për të regjistruar mijëra rrobat që vijnë, një makinë stampon secilën me një etiketë të vogël që ka një kod të caktuar. Falë këtij kodi, rrobat zgjidhen automatikisht dhe, pasi pastrohen e hekurosen, mund të dërgohen në rezidencat e individëve përkatës të familjes Bethel në Shtetet e Bashkuara.
Punëtorët e rinj të lavanderisë stërviten nga punëtorë të tjerë me përvojë. Një i sapoardhur mund të mësojë deri në 20 caktime të ndryshme. Një punë e thjeshtë në dukje, që kërkon goxha kohë për ta mësuar, është heqja e njollave. Punëtori i ri duhet të fitojë njohuri të thellë për llojet e copave dhe për reagimin e tyre ndaj trajtimeve e teknikave të ndryshme.
Tashi, i cili ka një vit e gjysmë që punon në lavanderi, thotë për shokët e punës: «Shoqëria që kemi me njëri-tjetrin është e mrekullueshme; sa bukur është të punosh me njerëz të prejardhjeve të ndryshme!» Shelli, një punëtore tjetër, thotë: «Është privilegj të ndihmosh që familja jonë Bethel të duket xixë.»