Kalo te përmbajtja

Shkrihen disa nga zyrat e degëve të Dëshmitarëve të Jehovait

Shkrihen disa nga zyrat e degëve të Dëshmitarëve të Jehovait

Që nga shtatori i vitit 2012, mbikëqyrja e më shumë se 25 zyrave të degëve të Dëshmitarëve të Jehovait u ka kaluar degëve më të mëdha.

Nga ana tjetër, janë formuar degë të reja në Serbi e Maqedoni. Këto ndryshime janë bërë për dy arsye kryesore.

1. Teknologjia ka thjeshtuar punën.

Vitet e fundit, përmirësimet në telekomunikacion dhe në teknologjinë e shtypjes kanë zvogëluar nevojën për personel në disa degë. Si pasojë, në këto degë u krijua mundësia për të mirëpritur vullnetarë nga shtete të tjera që kishin punuar në degë më të vogla.

Tani, çdo vend kyç ka një numër më të madh Dëshmitarësh me përvojë që kujdesen për arsimimin biblik. Për shembull, vepra e predikimit në vende, si Kosta Rika, Salvadori, Guatemala, Hondurasi, Nikaragua dhe Panamaja tani mbikëqyret nga dega e Meksikës. Prandaj, zyrat e degëve në këto gjashtë vende u mbyllën.

Dyzet Dëshmitarë nga këto gjashtë degë u ricaktuan të punonin në degën e Meksikës. Rreth 95 prej tyre qëndruan në vendet ku ishin dhe filluan shërbimin në kohë të plotë.

Ndërsa disa të tjerë filluan të punonin në zyra përkthimi nën mbikëqyrjen e degës së Meksikës. Për shembull, rreth 20 Dëshmitarë në Panama përkthejnë botime të Dëshmitarëve të Jehovait në gjuhë indigjene. Edhe 16 Dëshmitarë të tjerë në zyrën e mëparshme të degës në Guatemalë, tani përkthejnë botime në katër gjuhë vendëse. Prandaj, në Amerikën Qendrore, ky riorganizim ka ulur numrin e personelit nga 300 në rreth 75.

2. Punëtorët mund të kalojnë më shumë kohë në predikim

Falë këtyre shkrirjeve, lajmëtarë të kualifikuar që kanë shërbyer në degë të vogla, mund të përqendrohen tani në predikimin e lajmit të mirë.

Një Dëshmitar në Afrikë, që u ricaktua në shërbimin në fushë, shkroi: «Muajt e parë ishte një sfidë të përshtatesha me rrethanat e reja. Megjithatë, fakti që dal çdo ditë në shërbim më ka sjellë gëzim të pamasë dhe shumë bekime. Për momentin, drejtoj 20 studime biblike dhe disa prej tyre marrin pjesë në mbledhjet e kongregacionit.»