Udhëtimi më i paharrueshëm i jetës
Çdo vit dhjetëra mijë veta vizitojnë ndërtesat e zyrës së degës në Shtetet e Bashkuara dhe selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në shtetin e Nju-Jorkut. Këto vende quhen Bethel, një emër hebraik që do të thotë «shtëpi e Perëndisë». Vizitorët vijnë nga të katër anët që të shohin si prodhohet literatura, si organizohet vepra jonë, si edhe të takojnë miqtë që shërbejnë atje. Kohët e fundit një nga vizitorët bëri përpjekje të veçanta për këtë udhëtim.
Marcellus, një Dëshmitar i Jehovait që jeton në Anchorage, Alaskë, SHBA, arrin të shqiptojë vetëm pak fjalë që kur i ra një iktus disa vjet më parë. a Është i ngujuar në karrige me rrota dhe i duhet ndihmë për të bërë gjërat e përditshme. Me gjithë këto vështirësi, kishte dëshirë të zjarrtë të vizitonte Bethelin. Kohët e fundit e realizoi këtë ëndërr.
Corey, një mik që e ndihmoi të planifikonte udhëtimin, thotë: «Ishte këmbëngulës. Më telefononte rregullisht për ndonjë të re për udhëtimin. Fjalori i tij i paktë ka kryesisht fjalët ‘po’ dhe ‘jo’, prandaj kur më telefononte, duhej t’i bëja një varg pyetjesh.» Biseda shkonte pak a shumë kështu:
Do që të vij aty?
Jo.
Do që t’i telefonoj mjekut?
Jo.
E ke llafin për udhëtimin në Bethel?
Po.
«Atëherë më duhej t’i shpjegoja si po ecnin planet. S’më mbante vendi nga gëzimi kur Marcellus e arriti synimin.»
Marcellus kapërceu disa pengesa për të bërë këtë udhëtim. Ngaqë kishte pak të ardhura, kurseu dy vjet që të paguante udhëtimin prej 5.400 kilometrash deri në Nju-Jork. Për shkak të kufizimeve fizike duhej të gjente edhe një shok udhëtimi të aftë që ta ndihmonte. Së fundi, i duhej leja e mjekut për udhëtimin, dhe këtë e mori vetëm pak ditë para fluturimit të programuar.
Kur Marcellus mbërriti në Nju-Jork, bëri xhiron me ciceron në ndërtesat e Bruklinit, Patterson dhe Uollkill. Pa shtypshkronjat e stërmëdha ku shtypen libra e Bibla dhe mësoi shumë për organizimin e veprës sonë. Pa edhe ekspozitat «Bibla dhe emri hyjnor» dhe «Një popull për emrin e Jehovait». Gjatë vizitës zuri plot miq. Ishte vërtet udhëtimi më i paharrueshëm i jetës së tij!
Shumë veta nuk gjejnë dot fjalët për të përshkruar vizitën në Bethel. Por, kur e pyetën Marcellus nëse ia vlejtën gjithë ato përpjekje për të vizituar Bethelin, ai u përgjigj me të vetmen mënyrë që mundej: «Po! Po! Po!»
Vizita në Bethel mund të jetë shumë inkurajuese për ju dhe familjen tuaj, siç ishte për Marcellus. Vizitorët janë të mirëpritur në zyrat e degëve përqark botës. Pse të mos vini edhe ju?
a Marcellus vdiq më 19 maj 2014, ndërsa ky artikull përgatitej për botim.